Fatos RUSHITI
Shkup, 9 nëntor – Pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, në të cilat BDI dhe LSDM ishin në koalicion parazgjedhor ndërsa partneri i tyre qeveritar – Aleanca për Shqiptarët ishte në koalicion për rrethin e dytë zgjedhor me partinë opozitare – Lëvizjen BESA, në opinion janë hapur dilemat lidhur me pozicionin e partisë së Ziadin Selës në Qeveri, shkruan gazeta KOHA. Nga ana tjetër, ditëve të fundit janë shtuar zërat që PDSH e Menduh Thaçit mund të bëhet pjesë e qeverisë reformatore. PDSH dhe BDI në rrethin e dytë zgjedhor bashkëpunuan mes vete në disa komuna, dhe ky bashkëpunim ka gjasa të vazhdohet edhe në pushtetin qendror me PDSH-në si pjesë e Qeverisë. Kur jemi tek plotësimi i vendeve vakante pas zgjedhjeve lokale, dy partitë më të mëdha të koalicionit qeveritar – BDI dhe LSDM kanë konfirmuar zërat se ka pasur disa takime mes dy kryetareve Ali Ahmeti dhe Zoran Zaevit. E njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe mes partnerit tjetër qeveritar – Aleanca për Shqiptarët, kur dhjetë ditë pas mbarimit të rrethit të dytë zgjedhor – ende nuk ka takim Sela Zaev ndonëse nga ASH thonë se deri në fundjavë pritet të ndodh ky takim dhe vetëm pas kësaj, do të dihet pozicioni i kësaj partie në Qeveri.
Megjithatë, ndryshe nga ASH, që thotë se deri në fundjavë pritet takimi, nga LSDM nuk ka përgjigje se a do të ketë dhe kur do të ketë takim mes Zaevit dhe Selës. Madje, në Qeveri thonë se nuk është e sigurt se ministri i Shëndetësisë, pas zgjedhjet së ish-ministrit Arben Taravari kryetar i Gostivarit, do t’i takojë Aleancës për Shqiptarët. “Gjithçka varet se cila parti do të nominojë kuadër më kualitativ për ministër të Shëndetësisë. Kjo vlen edhe për ministrin e Investimeve të Huaja, në vendin e Ramiz Merkos, kryetarit të ri të Gostivarit”, thonë në Qeveri.
Në këto rrethana, drejt asaj që Qeveria të jetë sa më stabile dhe të mund të realizojë sa më mirë misionin reformues të saj në shumë sfera – LSDM dhe BDI vazhdojnë të jenë të interesuara për zgjerimin e shumicës parlamentare me futjen e PDSH-së në Qeveri. Por, sipas burimeve partiake, dilemë mbetet nëse kryetari i kësaj partie, Menduh Thaçi, do të pranojë të jetë bashkë në Qeveri me ish partiakun e tij, Ziadin Sela kur dihen qëndrimet publike të Thaçit kundër Selës. Ndërkaq, nga ASH thonë se kjo parti ka hisen e vet në Qeveri dhe nuk e pengon ajo që edhe PDSH të jetë pjesë e Qeverisë reformatore. Kohë më parë, kryetari i ASH-së, Sela gjatë takimit në Tetovë me kryetarin BESËS, Bilall Kasami theksoi se nuk është kundër që edhe PDSH të jetë pjesë e Qeverisë. Edhe në BDI, funksionarë të saj partiak thonë se parimisht si parti janë të interesuar që shumica parlamentare të jetë sa më e zgjeruar përfshirë dhe PDSH-në brenda saj. “Kryetari Ali Ahmeti pati takim para zgjedhjeve lokale me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe biseduan për mundësitë që PDSH të jetë pjesë e shumicës parlamentare. Rëndësi ka që koalicioni qeveritar funksionon mirë dhe Qeveria po punon drejt qëllimit kryesor – atë të integrimit të Maqedonisë në NATO, dhe bërjen e reformave në shumë sfera për ta afruar vendin drejt Bashkimit Evropian. Por nëse do të zgjerohet shumica parlamentare me PDSH-në dhe deputetë tjerë të pavarur, kjo do të bënte Qeverinë më stabile dhe të qëndrueshme sa i përket numrave në Parlament në kohë më afatgjate”, thonë zyrtarë të lartë partiak nga BDI. Ditë më parë, deputeti Artan Grubi tha se kryetari Ahmeti dhe kryeministri Zev janë në komunikim intensiv për plotësimin e resorëve qeveritar. E njëjta gjë është thënë edhe nga LSDM se Zaevi është në komunikim më liderin e BDI-së. Zyrtarë të lartë të ASH-së thonë se mbeten në qëndrimin zyrtar që të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë, kjo për shkakun se dëshiron të kontribuojë në realizmin e agjendës reformatore të Qeverisë. Në lidhje me hyrjen e mundshme të PSDH-së në Qeveri, nga ASH-ët thonë se nuk janë kundër që PDSH të jetë pjesë e Qeverisë, meqë si parti e kanë ndarë më herët hisen e tyre të pushtetit. “Ne e kemi ndarë para se të formohet Qeveria hisen tonë të pushtetit dhe nuk kemi pse të jemi kundër asaj që Qeveria të jetë më stabile”, thonë nga ASH. (koha.mk)