Bruksel, 8 maj – Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, në një deklaratë për MIA-n thotë se Kroacia do të bëjë gjithçka që mundet që t’i ndihmojë Maqedonisë së Veriut që të marrë datën për negociata në qershor, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli, transmeton Koha.mk
Plenkoviq, i cili dje pasdite ishte për vizitë në Bruksel, dhe vendi i të cilit e merr kryesimin me BE-në që nga viti i ardhshëm, përkujtoi se zgjerimi do të jetë lartë në agjendën e vendit të tij.
Në pyetjen e MIA-s se a do të tentojë që në Këshillin e ardhshëm në qershor vendi i tij që t’i bindë vendet e tjera të cilat ende kanë rezerva për fillimin e negociatave, ai tha se vendi i tij shumë mirë e kupton se një hap para është shumë i rëndësishëm.
“Të gjithë miqtë tanë në atë që është Maqedonia e Veriut janë shumë të vetëdijshëm se sa e mbështesim rrugën e tyre evropiane”, tha Plenkoviq.
Ai më tutje e shfrytëzoi rastin që të përkujtojë se Maqedonia e Veriut e filloi procesin evropian edhe para Kroacisë, në vitin 2000 në Zagreb.
“Për ata të cilët nuk i dinë hollësitë, duhet të theksohet se Maqedonia e lidhi marrëveshjen për stabilizim dhe asociim para Kroacisë, gjegjësisht ata e iniciuan këtë marrëveshje në margjinat e samitit në Zagreb para nëntëmbëdhjetë viteve”, përkujtoi kryeministri kroat.
Plenkoviq shtoi se nëse një vend e kupton se sa është i rëndësishëm një hap para për Maqedoninë e Veriut” , ai është Kroacia.
“Jemi të bindur fuqishëm se pas marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë për ndryshimin e emrit ata meritojnë një hap përpara, do të bëjmë gjithçka që mundim që ta mbështesim në këtë drejtim, ndërsa së pari ta shohim se çka do të rekomandojë Komisioni Evropian në raportet në maj”, theksoi Andrej Pleknoviq.
Maqedonia e Veriut në qershor pret që të marrë datën për fillimin e bisedimeve, siç u angazhua vitin e kaluar Bashkimi Evropian nëse përmbushen katër kushtet e parapara. Një nga betejat që zhvillohen në Komisionin Evropian është e ashtuquajtura “ndarje” nga Shqipëria. Në Komisionin Evropian, sipas burimeve në këtë institucion, ekzistojnë dy rryma, njëra vlerëson se të dy vendet duhet të grupohen, përderisa të tjerët vlerësojnë se Maqedonia e Veriut duhet të ndahet duke pasur parasysh atë se progresi është më i dukshëm në vendin tonë.
Gjithashtu, për shkak të jostabilitetit më të madh politik në Shqipërinë fqinje, shumë persona frikohen se Maqedonia mund të jetë “viktimë” e logjikës së tillë të grupimit të vendeve, veçanërisht nëse kemi parasysh faktin se Bashkimi Evropian udhëhiqet nga Principi i meritave individuale.
Një nga variantet të cilat shqyrtohen në Komisionin Evropian është që të përdoret fjalor më i fuqishëm në favor të fillimit të negociatave me Maqedoninë në raportet e ardhshme më 29 maj, veçanërisht pasi zgjedhjet presidenciale kaluan qetë dhe pa kritika të mëdha, dhe kuptohet për shkak të ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në të dyja vendet.
Mbetet gjithashtu që të shihet se a do të vendoset zgjerimi i BE-së në agjendën e ministrave në qershor. Nëse parlamenti gjerman nuk ka kohë që ta miratojë vendimin për negociata me Maqedoninë në fillim të qershorit, nuk përjashtohet mundësia që të thirret këshill i thirr i ministrave gjatë korrikut, nën presidencën finlandeze.
Finlanda e ndërmerr kryesimin me BE-në nga 1 korriku deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa pas saj në krye të BE-së është Kroacia, e cila paralajmëroi se zgjerimi do të jetë një nga prioritetet e larta. (koha.mk)