Janë tragjike pamjet kaotike të qyteteve e rrugëve tona dhe sidomos kultura e edukata që marrin fëmijët tanë, se kaosi duhet të jetë normalitet. S’ka ide më të madhe në fakt se t’i japish shoqërisë normalitet. S’ka ide më të madhe se të jetuarit qetë, me ujë, me pastërti, me rend, me shkolla të rregullta, me parkingje, me spitale funksionale. Janë po aq ide të mëdha sa patriotizmi, kombi, gjuha. Madje janë vetë kombi, patriotizmi dhe gjuha
Nga Nazim RASHIDI
Dielli i dalë, madje dhe i herët me temperaturat e larta që karakterizon Shkupin, megjithatë të josh që të rrish më shumë jashtë se brenda. Dhe në një dalje të tillë mëngjesi, në bisedë sado që të tingëllojë e lehtë, u shtrua pyetja mes një miku se “a jetojmë në kohën e njerëzve të vegjël, e me ide të mëdha?”.
Në fakt është pyetje thelbësore tashmë. Bora e shkrirë moti që shpesh mbulon çdo pejsazh të shëmtuar tashmë është zëvendësuar nga dielli ndjellës që nxjerr në shesh gjithë këto vogëlsirat e shëmtuara, e me të cilat s’po merret askush.
E para, për të cilën të gjithë bien dakord është papastërtia. Plehra para banesave, plehra nëpër rrugë, plehra në parqe, plehra në lumenj, plehra gjithandej. Por papastërtia nuk është ide e madhe dhe me sa duket askush nga zyrtarët tanë nuk po merr “fshesën” në dorë. Ata duan ide të mëdha. Po me këto të “voglat” kush do merret se? Nga ana tjetër s’ka njeri që nuk shpreh ankesa.
Po në këtë kafe të lehtë mëngjesi, dy të njohur të ndryshëm, totalisht të pavarur nga njëri-tjetri, sepse nuk dëgjuan bisedat paraprake, ankesën nuk e kishin më për politikanë, politika dhe ide të mëdha. Nuk bënë as analiza lajmesh, apo deklarata politikanësh siç ndodh rëndom, por edhe ata për plehrat, të cilat nuk po largohen as nga oborret e as nga rrugët ku jetojnë.
Kafeja e mëngjesit hapi dhe çështjen e dytë. Edhe kjo s’kishte të bënte me ide të mëdha. Shqetësimi i të gjithë të pranishmëve, tek rrufisnin kafenë, të ulur para kafenesë, në cep të asfaltit të një parkingu ku si peizazh ishin makina të pista nga pluhuri i ajrit të ndotur, ishte rrëmuja e shkaktuar nga trafiku.
Njëri prej tyre ditë më parë, ma bënte me dorë për të më treguar se ku kisha parking të lirë. I dhashë gas makinës, që të mbërrij sa më shpejtë te vendparkimi i lirë, dhe ç’të shoh. Ishte vendi i rezervuar për kalimtarë. Madje kishte dhe një “X” të madh që të thoshte qartë se s’duhej parkuar. Por miku im më drejtonte ta parkoj makinën.
– Jo, i thashë, nuk parkoj aty. Se duhet të kalojnë njerëz, e sidomos nëna me fëmijë apo dhe njerëz që lëvizin me karroca.
– Ouuu, më tha, parkoju se të gjithë bëjnë ashtu.
Nuk u parkova. Realisht ishte i pa parkueshëm vendi. Dhe kjo s’ka lidhje me vetëmburrjen, se jo që edhe unë skam bërë ndonjë veprim të ngjashëm në rrethana të tjera, por rrëfimi ka të bëjë pikërisht me personin, i cili më shumë nga të tjerët, kritikonte rrëmujën. Madje një nga ditët makina e tij, jo që ishte e parkuar keq dhe aspak në vendin e duhur, por kishte bllokuar dhe disa të tjera. Justifikimi i tij ishte se kishte lënë numrin e telefonit tek xhami i makinës, dhe kush do që do të dilte do ta merrte në telefon, edhe pse ky ishte 15 minuta larg vendparkimit. Nuk shqetësohej se dikush mund të kishte urgjencë, ndërkohë gjatë kafesë së këtij mëngjesi, shau e përlau të gjithë të tjerët që bënin rrëmujën duke u parkuar keq.
Madje akuza ishte tek autoritetet, normal, sepse ata nuk vënë rend. Dhe sigurisht, nëpër cepe të ndryshëm parkingjesh e rrugësh, për një arsye ose tjetër, policë nuk ka. Si të gjithë ne, edhe ai, fajin tek vetja nuk e sheh, por tek të tjerët. Çështja është se autoritetet as atë e as të tjerët, po edhe mua, nuk i dënon kur gabojmë. Kjo përforcon edhe më shumë pamjen e rrëmujës.
Por, e gjithë biseda për këto ide “të mëdha” u hap sepse një natë më parë, një mikesha ime më shkruan në mes të natës, pas orës 22,30 nëse ishte e mundur të reagohet, sepse disa makina ishin mbledhur poshtë ballkonit të saj dhe bënin zhurmë të tmerrshme.
Makina, të llojit më luksoz, fishkëllenin gomat dhe tregonin krenarinë e motorëve të tyre, duke bërë gara se cila gomë bërtet më shumë, e cili motor tmerron më shumë. Aq shumë zhurmë bëhej sa dëgjohej edhe në telefon. Makinat me radhë bënin rrotullime të hatashme mbi asfalt, sa gjurmët e zeza të lënë, të cilat shiheshin në mëngjes, nuk të linin përshtypjen se je në një qytet me parking normal, por se je para një terreni ku mund të kishin ndodhur garat e formula 1. Sipas mikeshës time, autoritetet disa herë janë njoftuar, por siç ndodh rëndom pa asnjë rezultat.
Të gjitha rastet të përditshmërisë banale e që janë “minore”, por ja që i flasim sa për të marrë dozën e zakonshme të kofeinës, e që kanë emërues të përbashkët mungesën e ideve “të mëdha” i lidhte një gjë: Kritika e madhe që u bëhej autoriteteve për mungesën e marrjes së masave dhe si politika nuk bën asnjë gjë për këto fenomene.
Por mëngjesi filloi me pyetjen e madhe: “A jetojmë në kohën e njerëzve të vegjël, e me ide të mëdha?”. Si ndodhi tani të flasim për politikën, për partitë që kanë ide “të mëdha” dhe për plehrat, trafikun, parkingjet…
Por çfarë është ide e madhe sot? Çdo të thotë të merresh me politikë në shoqërinë tonë aktuale? Cila ide është e madhe dhe cila e vogël?
Në të gjitha rastet, duket se këta zyrtarët tanë, janë “njerëz të mëdhenj”, se as e si nuk po zgjidhin problemet e vogla. Normale, të mëdhenjtë nuk merren me vogëlsira.
Por në fakt, tashmë realiteti është i kundërt. Fjalori i madh me terme rilindase, nuk është më mburojë për mospastrimin e plehrave. Dhe prandaj është normale të pyesin njerëzit, po si do arrijnë të merren këta me ide të mëdha kur si bëjnë këto “vogëlsirat”?
Nëse e çon logjikën edhe më përtej, më duket se politikanët e brezit të mesëm, kanë ngecur mes “ideve të mëdha” dhe çështjeve “të vogla” dhe hutia nuk sjell asnjë veprim. Jo rastësisht, të hutuarit tanë zyrtarë, dalin vrull dhe gojëplotë në opinion për çështje politikash kombëtare, të drejta apo dhe ato etnike (që pa diskutim janë jetike), dhe ngurojnë e fshihen kur duhet të tregojnë ç’kanë bërë për rrugët, rrëmujën, pisllëkun, parkingjet.
Nëse e pranojmë këtë si konstatim, mendoj se duhet të fillojë ç’kompleksimi i politikës nga çështjet e përditshmërisë. Ose si t’i bindim politikanët se bëjnë punë të mëdha edhe kur merren me pastrimin e plehrave? Në fakt gjithë këto probleme të marra si shembull nga një kafe e parëndësishme mëngjesi me diell, nxjerr në pah një mendësi të vjetruar politike, e cila ka shumë rëndësi që të ndryshojë.
Jetojmë në një kohë ku politika sot ka një domethënie tjetër dhe ku brezi që vjen ka prioritete të tjera. Ata që duan pushtet me çdo kusht duhet të ndjejnë presionin e kërkesave që sado “të vogla” në dukje janë baza e një ndryshim të madh, jo vetëm cilësor në jetë, por edhe në koncepte. Duhet tua themi se, politikisht, është “sexy” të merren me plehra.
Nuk ka ide më madhore, po qoftë dhe kombëtare e patriotike, se të rrisësh fëmijët me frymën e rendit, rregullit dhe respektimit të normave dhe ligjeve. Nuk ka gjë më me vlerë se sa të ushqesh përgjegjësinë të cilën duhet ta japish si shembull nga posti e detyra që ke marrë, e sidomos të ushtrosh postin e detyrën ndaj shkelësve e tu kërkosh përgjegjësi.
Janë tragjike më pamjet kaotike të qyteteve e rrugëve tona dhe sidomos kultura e edukata që marrin fëmijët tanë, se kaosi duhet të jetë normalitet. S’ka ide me të madhe në fakt se t’i japish shoqërisë normalitet. S’ka ide më të madhe se të jetuarit qetë, me ujë, me pastërti, me rend, me shkolla të rregullta, me parkingje, me spitale funksionale. Janë po aq ide të mëdha sa patriotizmi, kombi, gjuha. Madje janë vetë kombi, patriotizmi dhe gjuha. Kombet e avancuara të shekullit 21, janë më rrugë pa gropa, parkingje të rregullta, shtet ligjor. Këto çështje “të vogla” në dukje, të një kafeje mëngjesi në fakt nuk janë gjë tjetër se sa pasqyra e asaj ku jemi. Prandaj politikës sot i duhet thënë se idetë “e mëdha” edhe ndryshojnë. Prioritetet e kombit jo gjithnjë janë të njëjta, mirëqenia dhe progresi nuk vjen më veç duke folur për atdhedashuri, ajo tashmë tregohet me vepra dhe veprat janë gjithçka, që nga pastërtia e plehrave e deri tek ligji për gjuhët. Asgjë nuk përjashton më njëra-tjetrën me pushtetet dhe detyrat që kanë! Partitë dhe politika këtë gjë duhej ta dinin tashmë ose në të kundërt do të dënohen pikërisht nga plehrat, mungesa e rendit, kaosi!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)