Gjatë javës së kaluar janë regjistruar më se 30 persona pozitiv dhe numri i përgjithshëm i të sëmurëve deri sot është 193, kanë vdekur gjashtë persona, kurse numri i të shëruarve është 62. Deri para tre javësh, të sëmurët kryesisht ishin nga qyteti i Dibrës, por këto ditë pozitiv me Kovid-19 janë edhe banorë të fshatrave Mogorçë, Broshicë, Xhepishtë, Kosovrast i Poshtëm dhe fshati Papranik i Madh
Vjollca SADIKU
Dibër, 27 korrik – Rritja rapide e të sëmurëve nga Kovid-10 në Dibër është alarmante, kurse si shkaktarë i rritjes së numrit që janë pozitiv në Kovid-19, drejtpërdrejt shkaktohet nga mosrespektimi i masave për mbrojtjen shëndetësore dhe protokolleve të objekteve shërbyese në qytet. Këtë e deklaroi dje njeriu i par i Njësisë për Shëndet Publik në Dibër, Mentor Mela, epidemiologu i cili zbuloi edhe rastet e para me koronavirus në Dibër dhe rajon më 26 shkurt.
Sipas Melës, rritjen e personave pozitiv me koronavirus e shkakton aktualisht edhe plazhi i Liqenit të Dibrës, ku nuk respektohen masat mbrojtëse, si dhe pjesa më e madhe e kafeterive në qytet. Situatën tejet alarmante e vlerëson edhe Shtabi Operativ i krizës. “Shtabi në të cilën edhe unë jam anëtar, vlerëson se nuk po respektohen masat për mbrojtje nga koronavirusi. Në Spitalin e Përgjithshëm në Dibër vazhdon të rritet numri i personave që kanë simptoma të Kovid-19, kurse në Njësinë e Shëndetit Publik rritet edhe lista e personave që janë pozitiv”, thotë Mela. Edhe pse institucionet kompetente thonë se në Dibër, në pjesën më të madhe nuk respektohet masa e mbajtjes së maskave, numri i personave që janë paditur për shkak të mos respektimit të masës mbrojtëse është minimal. Në dhjetë ditët e fundit, numri i personave që janë paditur, sipas SPB-Ohër, është diçka më shumë se 15, edhe pse nëpër qytet pjesa dërmuese nuk mbajnë maska.
Dibra dhe rajoni sidomos një rritje të madhe të të sëmurëve të Kovid-19 kanë në fazën e dytë. Në fazën e parë kishte 51 të sëmurë, por në fazën e dyte ky numër po trefishohet. Gjatë javës së kaluar janë regjistruar më se 30 persona pozitiv dhe numri i përgjithshëm i të sëmurëve deri sot është 193, kanë vdekur gjashtë persona, kurse numri i të shëruarve është 62. Deri para tre javësh, të sëmurët kryesisht ishin nga qyteti i Dibrës, por këto ditë pozitiv me Kovid-19 janë edhe banorë të fshatrave Mogorçë, Broshicë, Xhepishtë, Kosovrast i Poshtëm dhe fshati Papranik i Madh. (koha.mk)