Tetovë, 3 dhjetor – Dyzeteshtatë vjeçari Velibor Jaqimovski, kryetar i Shoqatës së Personave me Invaliditet Trupor “Mobilitet” Tetovë dhe Gostivar për herë të parë pas 29 viteve sa është në karrocën e invalidëve vetë arriti që sot të hyjë në objektin e Komunës përmes një platforme qasëse me ashensor që të mund të marrë pjesë në ngjarjen e rastit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta, njofton KOHA.
“Me karrocë të thjeshtë më ngitnin tre persona në duar dhe ashtu kam hyrë dy-tre herë në Komunë. Tani arrita vetë, duhet korrigjim i vogël i platformës por në çdo rast shkëlqyeshëm që Komuna u kujtua që ta vendosë ashensorin”, deklaroi Velibor Jaqimovski.
Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi theksoi se kanë trashëguar platformë joqasëse që është zëvendësuar nga ana e tyre.
“Tani është funksionale platforma, nëse ka hollësi do t’i zgjidhim. Vlerësojmë se gjatë këtij viti bëmë hap shumë të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve për personat me nevoja të veçanta. Këtu i ndajmë projektet për qasjen në shkollën e tekstilit dhe në SHF “Liria”. Gjithashtu, kemi 22 psikologë dhe terapeutë të cilët mund të punojnë me çdo fëmijë me autizëm si asistentë personalë, dhe të gjithë të cilët kanë nevojë mund të marrin një ndihmë të tillë”, tha Arifi.
Në kuadër të Projektit “Partneritete inkluzive në bashkësitë e fondacionit për iniciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas hapi” ishin ndarë përvojat pozitive nga aktivitetet projektuese të realizuara nga komunat partnere.
Projekti zbatohet në gjashtë komuna me qëllim që të ketë tejkalim më gjithëpërfshirës të problemeve, e jo vetëm në sektorë të caktuar. (koha.mk)