E-Klasa ose platforma nacionale e unifikuar për vijimin e procesit edukativ-arsimor “online” do të fillojë të zbatohet nga e mërkura. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, njoftoi se në faqen elektronike www.eduino.gov.mk të do të publikohen video-leksione me kohëzgjatje prej 15 minutash të përgatitura nga mësimdhënësit, për të gjitha klasat dhe për të gjitha lëndët e detyrueshme.
Tashmë, sipas Ademit, janë paraqitur më shumë se 600 mësimdhënës të cilët kanë treguar gatishmëri për përgatitjen e këtyre materialeve dhe numri i tyre pritet të rritet. Këto mësimdhënës kanë paralajmëruar përgatitjen e mijëra video-leksione të cilat do të kontrollohen dhe do të bëhet kujdes që të mos përsëriten, të ketë një leksion për një temë. Ndërkohë, ai shtoi se mësimi do të vazhdojë edhe në distancë, nëpërmjet kanalit të parë dhe të dytë të servisit publik dhe me organizim individual të mësimdhënësve. Nxënësit ose prindërit e atyre që nuk kanë pajisje teknologjike ose telefona të mençur për të ndjekur mësimin, duhet të paraqesin rastin.
Platforma vlen për arsimin fillor dhe të mesëm, kurse ministri Ademi nuk e konsideron si sfidë shumë të madhe punën në distancë në arsimin e lartë. Qeveria tashmë ka miratuar edhe urdhëresat që u japin mundësi mësimdhënësve dhe profesorëve të bëjnë edhe vlerësime dhe të vendosin nota për nxënësit ose studentët.
Ministria e Arsimit është duke shikuar mënyra për sigurimin e “vauçerit” me internet për familjet që nuk kanë qasje, për t’u përdorur për vijimin e mësimit. Ademi pret ndër-aktivitet dhe interesim nga nxënësit dhe mësimdhënësit.