Partitë kryesore politike shqiptare BDI, ASH, BESA në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit do të paraqiten me platforma zgjedhore që synojnë zgjidhje për problemet e përditshme të qytetarëve. Ato zotohen se në fushatën elektorale do të ndeshen me ide dhe zgjidhje konkrete
Destan JONUZI
Shkup, 25 janar – Tri partitë kryesore shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja BESA, në zgjedhjet e 12 prillit para elektoratit premtojnë se do të ndeshen me ide dhe platforma për qytetarin, me të cilat synojnë zgjidhjen e problemeve të përditshme.
BDI: RINIA NË FOKUS
Nga BDI thonë se po përgatisin program në përputhje me rezolutat programore të miratuara në Kongresin partiak më 21 dhjetor të vitit të kaluar. “BDI po përgatit program në përputhje me rezolutat programore të miratuara në Kongresin partiak më 21 dhjetor 2019. Ai bazohet në integrim konsensual, vetting, cilësi jetese, zhvillim dhe vende pune. Ndërsa rinia është në vend të parë për sa i përket renditjes së prioriteteve. Të gjitha temat e mëdha etnike dhe integruese që i kemi premtuar tashmë i kemi realizuar ose janë në rrugë të mbarë për tu përfunduar, prandaj fokusi ynë në vijim do të jetë cilësia e të jetuarit me të gjithë elementet përcjellëse, ekonomia dhe zhvillimi, krijimi i vendeve të reja të punës, prioritet për punësim për secilën familje që nuk ka asnjë të ardhur, përfshirjen e rinisë në të gjitha politikat duke iu dhënë atyre përparësi.”, deklaroi për KOHA, Artan Grubi, shef i kabinetit të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti dhe deputet.
ASH: PËR SHTET LIGJOR
Nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) thonë se angazhim i tyre prioritar politik është kthimi në funksionim i shtetit ligjor, pasi që, siç shprehet nënkryetari i kësaj partie, Remzi Mehmedi pa këtë nuk mund të flitet për zhvillime tjera në vend. “Maqedonia e Veriut është vend të cilin qeveritë e deritanishme e kanë bërë që të renditet krah për krahë me vendet më të dështuara të Evropës. Dhe këtë më së miri e dëshmon fakti i zbrazjes së përditshme të vendit nga të gjithë, sidomos nga gjeneratat e reja të cilat kërkojnë në mos më tepër, të paktën një jetë normale, ku do të mundë të jetojnë të pa diskriminuar në baza etnike, gjinore apo çfarëdo përkatësie tjetër, të jetojnë në ajër më të pastër, të shkollohen në mënyrë më cilësore etj. Kjo situatë na shtynë që të promovojmë në fushatë politika alternative për të gjitha këto sfera dhe shumë të tjera. Sepse jemi të bindur dhe të vendosur që vetëm duke përmirësuar funksionimin e shtetit në këto segmente, atëherë do të mundësojmë që të flitet sa më pak për projekte të mëdha të politikave të jashtme”, deklaroi për KOHA, Mehmedi.
BESA: REFORMAT GJYQËSORE, ZHVILLIM EKONOMIK
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha informon se partia e tij në zgjedhjet e 12 prillit në çfarëdo mënyrë të garës, në koalicion me ASH-në apo e vetme do të promovojë politika që për synim kanë zgjidhje konkrete dhe zhvillim ekonomik. “Shtyllat kryesore në të cilat do bazohet oferta politike janë reformat ne gjyqësor, projekte konkrete për zhvillim ekonomik etj. Me fjalë tjera do ofrojmë zgjidhje konkrete për çështje që drejtpërdrejt e përmirësojnë jetën e qytetarit”, deklaroi për KOHA, Hoxha. Në anën tjetër, profesori universitar Bashkim Selmani vlerëson se premtimet e partive politike shqiptare nuk janë shpresëdhënëse.
“Shikuar në prizmin funksional të partive politike shqiptare në Maqedoni, rezultatet e tyre të deritanishme flasin se premtimet e tyre nuk janë shpresëdhënëse. Aspekti tjetër, është trupi votues që tani më është i përçarë për nga besueshmëria, për shkak të dëshpërimit të madh nga partitë politike, kriza e rëndë ekonomike etj”, shprehet Selmani.
Sipas tij, qytetarët tani më e kanë kuptuar, se ka vetëm grupe interesi që merren duke nënvlerësuar njëri tjetrin dhe jo për të gjetur një strategji të përbashkët mbrojtës për kombin shqiptar, e cila rezulton me humbje të vendeve shqiptare në Parlament. “Besimin mund të kthehet te qytetarët nëse partitë shqiptare do kishin synim zgjidhjen e çështjes së rëndë ekonomike, ndalimin e qytetarëve që lëshojnë vendin, dhe autonomi fiskale për komunat shqiptare. Mirëpo, oratoria e komunikimit publik mes partive politike dëshmon se janë larg synimeve që presin qytetarët”, nënvizon Selmani. Ndërkohë më 12 shkurt pritet që parlamenti të shpërbëhet dhe të shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet. Partitë politike fushatën elektorat zyrtarisht e zhvillojnë 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. (koha.mk)