Partitë politike shqiptare, mjerisht, po shihet se i kanë mbushur bateritë, jo me oferta konkrete, jo me programe apo platforma parazgjedhore, por me breshëri akuzash e dëshirash se si ta “pensionojnë” BDI-në e Ali Ahmetit!
Destan JONUZI
Shkup, 18 janar – Edhe pak ditë na ndajnë nga shpërbërja e Parlamentit dhe shpallja zyrtare e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 12 prillit. Ndërkohë, partitë politike shqiptare në prag të fillimit të fushatës zgjedhor garojnë në mes veti duke i treguar “muskujt” njëri tjetrit se kush është më i forti në nahinë e tij. Asgjë nuk flitet për problemet real të qytetarëve, si në aspektin ekonomik, kulturor, social etj., madje krijohet përshtypja se partitë politike shqiptare kanë hequr dorë edhe nga projektet etnike.
Ish-deputeti, Izet Zeqiri në prononcim për gazetën KOHA thotë se partitë politike shqiptare duhet të hartojnë jo vetëm programet politike por ato duhet kenë plan strategjik, që është një mjet menaxhimi për ta parë të ardhmen, mundësitë, apo sfidat për të fituar pozicionin.
“Partitë politike shqiptare konkurrues në garën politike me partitë maqedonase duhet të ofrojnë zgjidhje të problemeve, jo të akuzohen mes veti. Në kohën e ndryshimeve turbulente të mjedisit nuk është lehtë të ndiqen ndryshimet dhe të identifikohen pyetjet e rëndësishme strategjike që janë me rëndësi për suksesin e partive politike dhe realizimin e interesave të qytetarëve. Mos pasje e plani strategjikë partitë politike shqiptare shpesh reagohet ex post. Prandaj, është e rëndësishme për partitë politike shqiptare të reagojë në mënyrë të planifikuar në bazë të situatës së diagnostifikuar dhe vlerësimit të mënyrave alternative të reagimit në situatë të caktuar”, deklaroi për KOHA, Zeqiri.
Sipas tij, planifikimi strategjik i partive politike shqiptare do të mundësonte: krijimin e vizionit, misionit, qëllimeve dhe objektivave nga të cilat definohen politikat, alternativat strategjike për realizimin e tyre dhe zhvillimi i planeve të detajuara për realizimin e tyre.
“Planifikimi strategjik paraqet sistem të integrimit të tri llojeve të planeve: planeve strategjike, planeve afatmesme dhe planeve operative, në mënyrë që partitë kurë të vijnë në pushtet t’i realizojnë të njëjtat. Përmes planifikimit strategjik partitë politike duhet tu përgjigjen pyetjeve fundamentale edhe atë: Ku jemi ne tani? (Vlerësimi i situatës së shqiptarëve të në gjitha sferat e jetës); Ku ne duam të jemi? (zbrazëtirën/e ardhmja); Si do ta mbyllim zbrazëtirën (plani strategjik); Si do ta monitorojmë progresin apo realizimin e qëllimeve”, shprehet Zeqiri.
Në anën tjetër, Seladin Xhezairi, drejtor informacioni në TV Klan Maqedonia vlerëson se partitë politike shqiptare, mjerisht, po shihet se i kanë mbushur bateritë, jo me oferta konkrete, jo me programe a platforma parazgjedhore, por me breshëri akuzash e dëshirash se si ta ‘pensionojnë’ BDI-në e Ali Ahmetit.
“Këtë mbase edhe duhet kuptuar, për shkak se kjo betejë, për Selën, Kasamin, Gashin e Thaçin, mund të jetë një betejë ‘për jetë a vdekje’. Dua të them për mbijetesën e tyre politike. Mirëpo, ajo vështirë se fitohet vetëm me retorikë tashmë të dëgjuar e të stërvjetëruar, kur sfidën e integrimit euroatlantik po e përballojmë, ndërkohë që problemet për sigurimin e të mirave publike, për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbeten të hapura. Marrëdhëniet e konflikteve, sedrat e sëmura, gjithë kjo nuk është se nuk lë gjurmë edhe në elektoratin edhe ashtu të fragmentuar dhe, gjithashtu, me interesa të fragmentuara”, deklaroi për KOHA, Xhezairi.
Sipas tij është kohë e fundit që forcat politike të cilat mëtojnë të zënë vend në mozaikun e organizimit partiak tonin, duhet ta kuptojnë përfundimisht se janë ato që duhet të përshtaten me ndryshimet e deritanishme dhe konform kësaj të japin ndihmesën për të çuar çështjet a punët përpara. “Kjo, natyrisht se mund të arrihet vetëm me përkushtim e jo me llafe. Fundja, zgjedhjet janë afër dhe ato nuk duhet të jenë vetëm betejë për karrige”, thekson ai. Ndryshe, me vendin aktualisht po udhëheq Qeveri teknike me kryeministër Oliver Spasovskin, ku është përfshirë edhe opozita me disa ministra, zëvendësministra e zëvendësministra plotësues. Ndërsa më 12 shkurt pritet që parlamenti të shpërbëhet dhe të shpallen edhe zyrtarisht zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë politike fushatën elektorat zyrtarisht e zhvillojnë 15 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ndërkohë që për momentin ende pa u shpallur zgjedhjet në mënyrë zyrtare partitë kanë ashpërsuar tonet mes veti me akuza dhe kundër akuza, ndërkaq qytetari edhe kësaj here mbetet vetëm se shikues i këtij cirku politik. (koha.mk)