Rritje të pagës mesatare dhe minimale, me qindra miliona për bujqësi dhe miliarda investime të huaja dhe miliarda Përmirësim i jetesë dhe mirëqenies së qytetarëve. Këto janë vetëm një pjesë e ofertave të partive politike në Maqedoninë e Veriut që premtohen në fazën e deritanishme të fushatës zgjedhore për përbërjen e re të Parlamentit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 korrik – Rritje të pagës mesatare dhe minimale, me qindra miliona për bujqësi dhe miliarda investime të huaja . Përmirësim i jetesë dhe mirëqenies së qytetarëve. Këto janë vetëm një pjesë e ofertave të partive politike në Maqedoninë e Veriut që premtohen në fazën e deritanishme të fushatës zgjedhore për përbërjen e re të Parlamentit.
BDI PËR NJË POLITIKË TATIMORE ZERO
Bashkimi Demokratik për Integrim në programin e saj ekonomik, premton se pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti , do të realizohet shpërndarja e barabartë e investimeve publike, apo me fjalë të tjera vendimet kryesore ekonomike për buxhetin, investimet dhe tatimet nga Qeveria nuk do mund të kalojnë pa mbështetjen e shumicës së anëtarëve shqiptarë të kabinetit qeveritar. Do të ngrihet iniciativë për një politikë të tatimeve zero të të ardhurave për tre vjet për çdo të punësuar për herë të parë nën moshën 35 vjeç, dhe tatime zero për kompanitë për tre vjet për çdo të vetëpunësuar nën moshën 35 vjeç. Përveç kësaj, kompania do të marrë një stimul prej 1500 eurosh si mundësi punësimi për të rinjtë. Për të rritur investimet, do të ofrohen 5000 deri në10000 euro ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për blerjen e pajisjeve të nevojshme.
BDI do të propozojë që Qeveria të subvencionojë 50 për qind të kontributeve sociale për çdo punësim të ri që do ta përmirësojë përfaqësimin e drejtë të të gjitha bashkësive etnike në ndërmarrjet private. Do të propozohet edhe orari fleksibël i punës gjatë javës dhe gjysmë ditë pune të premten, ndërsa synohet edhe miratimi i ligjit që ndalon kazinotë dhe shtëpitë e lojërave të fatit në largësi prej një kilometri nga shkollat, kishat dhe xhamit. Do të propozohet edhe një pagë minimale prej 600 eurosh për çdo infermier, mësues dhe arsimtar., ndërsa do të ofrohet edhe 20,000 euro grant në kohë për secilin fermer të ri nën moshën 35 vjeç. Parashikohet edhe rrritje graduale e pensioneve, duke marrë për bazë parametrat zhvillimore ekonomike dhe rritjen e Prodhimit të Brendshmë bruto. Parashikohet edhe ndërtimi i shtëpive të reja për pensionistët në: Dibër, Tetovë dhe Manastir. Pritet edhe një angazhim për marrëveshjen për sigurim social mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, me qëllim të realizimit të drejtës së pensionit.
ASH-AAA PREMTOJNË ZHVILLIMIT TË BARABARTË EKONOMIK
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në programin e tyre parashikojnë ndër të tjera edhe zhvillimin e barabartë ekonomik dhe territorial si dhe rritje ekonomike prej 4- 5 për qind, ulje të papunësisë deri në 10 për qind në mandatin 4 vjeçar, hapjen e 25.000 vendeve të reja të punës në sektorin publik dhe privat si dhe rritje për 20 për qind të rrogës mesatare. Njëherësh parashikohet që lojërat e fatit të lejohen vetëm në hotele me 5 yje, të cilët garantojnë që nuk do të jenë afër vendbanimeve, nuk mund të ketë qasje gjithsecili. Premtohet edhe kthimi i mbështetjes financiare për fëmijë të tretë si dhe transferimi i mbrojtjes sociale nën kompetencën e komunave.
Parashikohete dhe hartimi i planit për revitalizimin e vendbanimeve me vlerë pej 500 milion euro,që do të përmirësojë mirëqenien e qytetarëve. Për pagën minimale parashikohet tatim zero personal. Me qëllim të ndalimit të emigrimit të rinisë, për çdo të punësuar deri në 30 vjet, bizneset do të lirohen në afat prej tre vitesh prej kontributeve, me kusht që paga neto të mos jetë në pagën mesatare në shtet.
Parashikohete dhe Fond për zhvillimin e rajoneve më pak të zhvilluara me vlerë prej 100 deri 200 milion euro për të zbutur disparitetet në zhvillimin e komunave. Agjencia për investime të huaja do të riformatohet në Agjenci të investimeve të Diasporës dhe Investimeve të huaja, çka do të lehtëson komunikimin dhe do të krijojë kushte për investime nga mërgata. Parashikohet edhe sigurimi i mjeteve shtesë financiare për individë që kujdesen për prindër mbi 70 vjet në kushte familjare, apo 30 për qind të pagës mesatare në shtet.
Njëherësh investimet kapitale do të rriten në 2 miliardë euro për katër vite .Parashikohet edhe përjashtimi i TVSH-së nga produktet bazë ushqimore dhe kthimi i pragut të TVSH nga 2 milion në tre milion denarë. Në katër vitet e ardhshme do të rriten e dhe të ardhurat e komunave nga 16 për qind në 30 për qind të të ardhurave të përgjithshme në katër vitet e ardhshme.
PDSH: NDARJE E DREJTË DHE PROPORCIONALE E BUXHETIT
Partia Demokratike Shqiptare premton punësim të çdo familje shqiptare që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar. Githashtu ajo premton se të gjithë bizneseve të vogla apo të mëdha do tu mbulohen humbjet deri në 70 për qind. Ndarja e drejtë dhe proporcionale e buxhetit, si në fazën e ndërtimit të buxhetit vjetor, ashtu edhe në fazën e propozimit të buxhetit për miratim, do të kontrollohet me veto nga ana e zëvendëskryeministrit shqiptar, thonë nga PDSH. Njëherësh në Qeveri do të aplikohet demokracia konsensuale ku Zëvendëskryeministri me të drejtë të vetos do të sigurohet që buxheti do të ndahet drejtë dhe proporcionalisht.
Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut luajnë një rol shumë të rëndësishëm edhe në mbarëvajtjen e stabilitetit ekonomik ndaj PDSH do të kujdeset që investimet e huaja të bëhen edhe në zonat shqiptare duke siguruar transparencë, luftë kundër krimit e korrupsionit dhe funksionimin e gjyqësisë së pavarur. PDSH premton edhe ndalim të diskriminimit ekonomik dhe kanalizimin e 30 për qind të buxhetit drejt zonave shqiptare.
LSDM-BESA, INVESTIME TË HUAJA NJË MILIARDË EURO
Lidhja Social Demokrate q është në koalicion me Lëvizjen Besa dhe më shumë parti të tjera, premton 600 milion euro mbështetje për investimet e huaja dhe vendore, 200 milion euro në vit për bujqësi dhe zhvillim rural si dhe pension minimal prej 10.700 denarë. Rënie të papunësië me tre për qind në vit dhe ndërtimin e 260 kilometrave të autostradave dhe 950 kilometrave të rrugëve lokale si dhe rritje të pagës minimale për 40 për qind. Premtohen edhe investime të huaja prej së paku një miliardë euro në katër vitet e ardhshme, si dhe investime kapitale prej 2,2 miliardë euro për një mandat qeverisës. Paga mesatare deri në fund të vitit 2024 do të rritet për 30 për qind.
Naftë gratis të gjelbërt për të gjithë fermerët deri në vitin 2024 dhe trajnim flas për shfrytëzimin e mjeteve IPARD. Premtohet edhe ndërtimi i 500 kilometrave të reja të ujësjellësve dhe kanalizimeve. Shteti do të ofrojë grante deri në 15.000 euro për hapjen e biznesit personal, ndërsa do lirohen nga pagesa edhe të gjitha kompanitë e sapoformuara nën 29 vjet dhe gra.Do të investohet më tej në resurse njerëzore, ku çdo vit do t’i rriten rrogat e punëtorëve shëndetësore për 10 për qind në vit, apo 40 për qind për katër vite. Mjekët e rinjë, të cilët janë në specializim dhe janë jashtë Shkupit, do të marrin 12.000 denarë subvencion për zgjidhjen e çështjes së banimit.
Nga LSDM premtojnë edhe përfundimin e autostradës Shkup – Bllacë brenda 2 viteve, hapjen e terminalit doganor në pikën kufitare Jazhincë., si dhe nisjen e punimeve për rrugën Kërçovë – Dibër deri në vendkalimin kufitar Bllatë. Parashikohet edhe përgatitja e studimit për hapjen e rrugës që do lidhte Tetovën me Autostradën Prizren – Tiranë. Parashikohet edhe mbështetje prej 10.000 euro për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në zonat rurale.
VMRO DO TA KTHEJË TATIMIN E SHESHTË
VMRO-DPMNE parashikon ulje të papunësisë deri nën 10 për qind, rritje të pensioneve për 20 për qind, ndërsa për të punësuarit në arsim do të ketë respektim të marrëveshjes kolektive dhe paga deri 36 mijë denarë. Premtohet edhe rritje e rrogës minimale për 25 për qind në këtë mandat. Planifikohen edhe rritje të investimeve kapitale minimum 4 për qind nga Prodhimi i Brendshëm Bruto. Premtohet edhe paga deri 100 mijë denarë në muaj për të punësuarit në arsimine lartë si dhe renovim të tërësishëm të konvikteve studentore si dhe katër million euro për nismën sipërmarrëse të të rinjve .
Për bujqit do të sigurohen së paku 640 milion euro në një mandat si dhe shitblerja e sigurt e prodhimeve bujqësore, ndërsa në bujqësi do të sigurohen procedura të thjeshta dhe të shpejta.Me 80 milion euro do të riparohen dhe ndërtohen rrjetet e kanalizimit dhe ujësjellësit në katër vitete ardhshme , do të formohet fond kreditues revolving për grumbullimin e prodhimeve bujqësore. Me mbi 50 për qind do të mbulohen harxhimet për mekaniizimin bujqësor , kafshët dhe mbjelljet.Do të ndërtohet edhe autostrada Manastir-Prilep-Veles-Shkup. VMRO premton edhe 1.000 kilometra rrugë të rikonstruuara, subvencione për fasada, si dhe kyçje falas në gaz për ajër më të pastër, si dhe katër miliardë euro investime vendore dhe të huaja. Në katër vitet e ardhshme do të ketë tatim më të ulët prej tetë për qind, si edhe zero për qind tatim për punëdhënësit të cilët punësojnë të rinj. Do të hiqet tatimi progresiv dhe do kthehet tatimi i vjetër i sheshtë. Premtohet edhe nga 800 milionë denarë për sportin, kulturën, arsimin ose gjithsej 2,4 miliardë denarë për këta sektorë. (koha.mk)