Shkup, 14 mars – Situata aktuale politike dhe platforma e partive shqiptare u bë diskutimi kryesor në Asamblenë e sotme vjetore, të 50-të, të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, pasi që kryetari Taki Fiti kumtoi se çka është realizuar nga Akademia në vitin 2016 dhe çka përmban projekt-programi për aktivitete për vitin 2017. Në ekspozenë e vet, Fiti e përsëriti atë që në fjalimin me shkrim para disa ditësh e tha Kryesia e ASHAM-it – për rrezikun nga pasojat e krizës aktuale, se përgjegjësia është tek partitë politike dhe se debatet për çështjet kyçe duhet të kthehen dhe të zhvillohen në institucione. “Gjendja është tejet serioze dhe e tensionuar. Është e patjetërsueshme të gjitha subjektet politike në vend të kuptojnë se nevojitet një shkëndijë e vogël për ndezjen e trazirave brendaetnike dhe ndëretnike, të cilat mund ta destabilizojnë tërësisht vendin. Prej këtu, nevojitet, pa shtyerje, debatet për prioritetet reformuese kyçe të vendit dhe për kompleksin e çështjeve nga marrëdhëniet ndëretnike të kthehen dhe zhvillohen në institucionet e sistemit”, tha Fiti, duke cekur se është posaçërisht me rëndësi zgjidhja e çështjeve që i tangojnë marrëdhëniet ndëretnike, të cilat, siç tha, në jehonën e krizës plotësisht të politizohen dhe ashpërsohen. Ai shtoi se të gjitha zgjidhjet e propozuara duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe se Akademia për çdo zgjidhje të ofruar ligjore do të deklarohet atëherë kur kjo do të paraqitet publikisht dhe në mënyrë transparente. “Duhet vepruar shpejtë dhe të bëjmë gjithçka për zgjidhje të qetë të krizës”, bëri thirrje kryetari i Akademisë.
Me vërejtjen se situata është tejet serioze, që Akademia si institucion serioz të mos deklarohet për të, akademiku Mitko Maxhunkov doli me tekst në të cilin e hapi temën për Platformën, duke e quajtur “ultranacionaliste”, e cila “e ka mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja” dhe se “është e barabartë me shantazh apo ultimatum”. Ai tha se “kjo do të thotë shkatërrim i plotë i Maqedonisë dhe shndërrimin e saj në Shqipëri të Madhe”. Ai shtoi se “Maqedonia është në defansivë të vazhdueshme dhe bën lëshime para bashkëqytetarëve shqiptarë, para fqinjëve dhe para komunitetit ndërkombëtar”, duke e përmendur ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2001 dhe tërheqjen e Enciklopedisë së ASHAM-it në vitin 2009 sepse, siç tha, “ishin lënduar ndjenjat e shqiptarëve në Maqedoni”. Akademiku Luan Starova tha se nuk po ndodhë tragjedi me gjuhën maqedonase nëse është shpallur një platformë politike në Tiranë.
“Unë, i cili 40 vite shkruaj në gjuhën shqipe dhe maqedonase, nuk ndjej se dikush po e kërcënon këtë gjuhë nga ana e shqiptarëve. Përkundrazi, 25-30 për qind e flasin gjuhën maqedonase nga ana e shqiptarëve… Nga paraqitja e Maxhunkovit u distancuan akademikët Alajdin Abazi dhe Izet Zeqiri. “Ju kërkuat revizion të aktivitetit të përgjithshëm që deri më tani ishte afirmativ i Republikës së Maqedonisë. Unë për atë kam më shumë se ju për të folur, unë e kam hapur universitetin dedikuar për gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Ju sot jeni revizor i gjithçkaje që është mirë në marrëdhëniet ndërnacionale në Maqedoni dhe kërkoni të hidhet poshtë dhe të kthehemi në të kaluarën”, tha Akademiku Abazi, rektori i parë i Universitetit të EJL-së.