Në dhjetë vitet e fundit është përkeqësuar problem i shitblerjes së sigurt të prodhimeve bujqësore, rritja e kostos së prodhimit, si dhe ulja e çmimeve të grumbullimit të prodhimeve bujqësore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 dhjetor- Federata e Fermerëve të Maqedonisë së Veriut kërkon një angazhim dhe përkujdesje më të madhe të shtetit me qëllim që të zvogëlohet importi që është rritur për tetë herë në raport me eksportin e prodhimeve bujqësore. Sipas organizatës më të madhe që përfaqëson interesat e fermerëve në shtet, në dhjetë vitet e fundit është përkeqësuar problem i shitblerjes së sigurt të prodhimeve bujqësore, rritja e kostos së prodhimit, si dhe ulja e çmimeve të grumbullimit të prodhimeve bujqësore, shkruan gazeta KOHA. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë, e ngrenë alarmin për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore bujqësore edhe duke marrë parasysh faktin se në tre vitet e kaluara sipas të dhënave statistikore, është rritur eksporti i prodhimtarisë bujqësore 1.63 për qind , ndërsa është rritur importi për 13 për qind përgjatë kësaj periudhe. Mbrojtje kërkohet edhe duke marrë parasysh faktin se pritjet janë që edhe më tej të rritet importi i prodhimeve bujqësore nga jashtë. Lidhur me ankesat në të kaluarën të fabrikave përpunuese për kuantitetin dhe kualitetin e prodhimeve vendore bujqësore, dhe ankesat e bujqve për çmimet, nga Federata shtojnë se edhe kjo çështje ka zgjidhje në favor të të dyja palëve.
“Tejkalimi i kësaj situate kërkon nënshkrimin paraprak të marrëveshjeve shitblerëse deri në muajin mars , midis fermerëve si në aspektin e sasive ashtu edhe çmimeve me qëllim që prodhuesit të kenë siguri në punën e tyre. Diçka e tillë do të mbështetet edhe nga shteti me qëllim që nesër të mos kemi mungesë apo hiper produksion të prodhimeve bujqësore, ndërsa do të evitojë edhe ankesat eventuale të dyja palëve”, thotë Vaska Mojsovska, kryetare e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë. Sipas saj, bujqësia ka probleme edhe me mungesën e organizimit te vetë bujqit, konkurrencën jolojale në shitblerje, pjesëmarrjen e ulët të kapaciteteve përpunuese në grumbullimin e prodhimeve bujqësore, mos realizimin e analizës së tregjeve, rendimentet e vogla për hektarë etj
Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesit e tjerë të fermerëve thonë se shteti nevojitet vetëm të zbatojë ligjet që kanë të bëjnë me bujqësinë. “Nëse flasim vetëm për prodhimtarinë e grurit nevojitet që në nivel të shteti as më pak e as me shumë vetëm të zbatohet Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural që përcakton se për grurin si prodhim strategjik do të përcaktohet çmimi mbrojtës minimal për shembull prej dhjetë denarë në të cilin shteti do të paguajë edhe 25 për qind shtesë, në raport me çmimin grumbullues prej tetë denarë”, thotë anëtarë i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve, Memet Sinani.
Në ndërkohë, fermerët kërkojnë edhe një dialog serioz ne përfaqësuesit e kompanive të mëdha bujqësore dhe grumbulluesit , si dhe krijimin e masave nga ana e shtetit në drejtim të sigurimit të ekzistencës dhe jetesës së denjë të popullatës rurale dhe prodhimtarisë së organizuar.
Fermerët kanë përshëndetur masat e shtetit si vendosja e rregullores për shitjen në pakicë apo nga pragu i shtëpisë u prodhimeve me origjinë nga kafshët që duhet të pasohet edhe për shitjen e prodhimeve bimore, ndryshimet e dispozitave diskriminuese për mjetet IPARD për gratë në vendbanimet rurale, ndryshimet në Ligjin e verës etj. Mirëpo në vitin e ardhshëm krahas zgjidhjes së problemit me shitjen e sigurt, mbetet edhe përshpejtimi i legalizimit të objekteve në tokën ndërtimore, apo fermave, ku si barriera mbeten mungesa e planeve të detajuara urbanistike, pengesat administrative dhe çështjet e pazgjidhura pronësore-juridike. (koha.mk)