Shkup, 9 prill – Pas zgjedhjeve presidenciale presim ndryshime në Programin për zhvillim rural me të cilat do të mënjanohen kriteret diskriminuese dhe do të të mundësohet shfrytëzimi i mbështetjes nga ana e grave të cilat janë anëtare aktive në secilën ekonomi familjare bujqësore, porositi sot kryetarja e Federatës Kombëtare të Fermerëve (FKF), Vaska Mojsovska.
Para fillimit të seancës së rregullt të Asamblesë vjetore të Federatës, Mojsovska deklaroi se plasmani i produkteve dhe ndryshimet klimatike ende janë problemet më të mëdha me të cilat përballen bujqit nga Maqedonia.
“Me vite apelojmë se çmimi prodhues është shumë larg atij blerës. Na nevojiten kapacitete përpunuese për tepricën e produkteve bujqësore, si dhe rregullimin e shitjes “nga pragu i shtëpisë” edhe pse një pjesë e këtyre rregullave tashmë kanë filluar. Vitin e kaluar në Forumin e parë ishin dhënë edhe rekomandime për parandalimin ose uljen e disa problemeve me të cilat përballemi”, tha Mojsovska.
Sipas saj, ekonomitë e vogla familjare meritojnë mbështetje sepse janë shtylla e bujqësisë së Maqedonisë, por edhe për më të mëdhatë të cilat kanë investuar shumë vite duhet të gjenden zgjidhje të cilat do t’ia lehtësojnë punën dhe do t’iu mundësojnë që të përparojnë, të zhvillohen dhe të tërheqin mjete nga programet për mbështetje.
Kryetarja e FKF-së paralajmëroi se muajin e ardhshëm do të organizohet Forumi i dytë bujqësor në të cilin do të prezantohen shembujt e suksesshëm të prodhimtarisë së dakorduar në rajon.
Seanca e rregullt filloi me fjalime të Mojsovskës, të ministrit të Bujqësisë Lupço Nikollovski dhe të dekanit të Fakultetit të Shkencave Bujqësore dhe Ushqimit, Vjekosllav Tanaskoviç. Në këtë seancë foli edhe drejtoresha rajonale e qendrës kooperative suedeze We Effect Europa, Aneli Lejna.