Pushteti lokal në Tetovë ka lënë shumë punë për vitin e ardhshëm dhe vështirë se tërë projektet që janë paralajmëruar do të mund të realizohen tërësisht, kur dihet se vitin e ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet lokale
Urim HASIPI
Ishte viti 2003 kur Komuna e Tetovës ishte bërë me Plan të ri të përgjithshëm urbanistik. Që atëherë e këndej tërë zhvillimi i qytetit të Tetovës është bërë në bazë të atij plani. Por, prej atëherë e këndej ka ndryshuar dukshëm struktura e qytetit, sidomos në aspektin e rritjes së numrit të banorëve, por edhe aspektin e ndërtimeve të mëdha të cilët dukshëm kanë ngulfatur qytetin e Tetovës. Komuna e Tetovës vitin e kaluar kishte filluar një proces për sjelljen e një plani të ri urbanistik ku u angazhuan edhe ekspertë të huaj. Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, pohon se vitin e ardhshëm pritet që të miratohet ky plan urbanistik.
“Plani i përgjithshëm urbanistik për Tetovën është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit në aspektin ekonomik, infrastrukturor si dhe për vet banorët e qytetit. Komuna e Tetovës është në fazën përfundimtare dhe jam optimist se vitin e ardhshëm do të përfundojë si proces. Janë të kyçur më shumë ekspertë nga jashtë, kemi ndihmesë edhe nga UNDP-ja, dhe organe tjera. Qëllimi është që të sillet një Plan i përgjithshëm urbanistik që do të plotësojë nevojat e qytetit”, deklaroi Bekim Memeti.
Njohësit e këtyre rrethanave theksojnë se plani i ri është tashmë shumë i vonuar dhe është dashur që të miratohet shumë më herët që të mos pritet kaq shumë, sepse me këtë plan duhej që të parashihej zhvillimi i qytetit për 20 vitet e ardhshme. Skender Palloshi, ish udhëheqës i Sektorit të urbanizmit në Komunën e Tetovës, thekson se duhej që Komuna të përfundonte disa projekte shumë imanente për qytetarët dhe më pas të sillte Planin e ri urbanistik. “Unë mendoj që duhet realizuar disa projekte kapitale nga Plani i përgjithshëm ekzistues, të cilët në masë të madhe do të kishin efekt pozitiv në zhvillimin urban të qytetit, pasi ato projekte paraqesin një vazhdimësi urbanistike të zhvillimit disa dekadësh të qytetit dhe më vonë të vazhdohet me përpilimin e planit të ri. Realizimi i projekteve kapitale nënkupton fillimisht depërtimin e arterieve – bulevardeve kryesore të qytetit si “Bllagoja Toska”, “Bulevardi në rrugën Industriale” dhe më pas edhe bulevardi i “Ilindenit”, si dhe rehabilitimi i disa zonave urbane. Por, këtu duhet të potencohet që këto projekte duhet të realizohen tërësisht e jo pjesë – pjesë, që do të thotë se nëse një bulevard nuk realizohet tërësisht, efekti i tij në mbarëvajtjen e komunikacionit nuk do t’i jep efektet e duhura” sqaron Palloshi.
Sipas tij, zonat e reja të ndërtimit, bashkë me hapjen e bulevardeve dhe të rrugëve tjera dytësore do të sillnin zhvillim më të qëndrueshëm të qytetit, ndërsa do të kishte ndikim të madh edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Më tej ai sqaron se pas depërtimit dhe ndërtimit të bulevardeve kryesore në qytet, më pas do të mund të projektohej zhvillimi i qytetit dhe përcaktimi i zonave të reja për ndërtim për 20 vitet e ardhshme. “E gjithë kjo do të kontribuonte në masë të madhe në përpilimin e planit të ri, sepse mosrealizimi i projekteve që thash më parë ndikon shumë në planin ekzistues të qytetit, siç është kaosi në komunikacion dhe kjo vetëm do të ngufatë qytetin, sepse do të kishim më shumë ndërtime, më shumë vetura dhe praktikisht do të bllokohej qyteti”, theksoi Palloshi.
Ai tha se për momentin komuna planifikon ndërtim të objekteve kolektive të banimit në disa zona të qytetit, ku dendësia do të rritet ekstremist, kurse infrastruktura ekzistuese as për së afërmi nuk mundet ta përcjellë këtë rritje enorme të ndërtimit. Pushteti lokal në Tetovë ka lënë shumë punë për vitin e ardhshëm dhe vështirë se tërë projektet që janë paralajmëruar do të mund të realizohen tërësisht, kur dihet se vitin e ardhshëm do të mbahen edhe zgjedhjet lokale, respektivisht në muajin tetor, kryetarëve aktual dhe këshillave komunale u skadon mandati katër vjeçar. (koha.mk)