Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpalosur të martën planin e tij të shumëpritur për paqen në Lindjen e Mesme, duke e përmbledhur propozimin që do t’ia ofronte Izraelit shumicën e atyre që i ka kërkuar gjatë dekadave të konfliktit, përkrah krijimit të atij që ai e quajti shtet palestinez me sovranitet të kufizuar.
Në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë, Trump propozoi krijimin e një shteti palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor në përpjekje për arritjen e paqes historike me Izraelin që nuk i bindi palestinezët. Duke i fuqizuar kërkesat izraelite, ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i njohin kolonitë izraelite në Bregun e okupuar Perëndimor dhe në këmbim të kësaj, shteti hebraik duhet ta pranojë ngrirjen katërvjeçare të ndërtimit të kolonive të reja derisa shtetësia palestineze të negociohet. Përpos njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të pandarë të Izraelit, plani i Trumpit e parasheh edhe njohjen e luginës së Jordanit, që përbën rreth një të tretën e Bregut të okupuar Perëndimor, si pjesë të Izraelit. Ndërkaq, përbrenda shtetit të ardhshëm palestinez nuk e nënkupton edhe ekzistencën e një ushtrie palestineze, por kontrollin e zgjeruar të forcave izraelite të sigurisë mbi disa rajone, përfshirë detet. Disa pjesë të shkretëtirës përreth kufirit me Egjiptin kësisoj do të njihen si pjesë e shtetit palestinez, por palestinezëve do t’iu refuzohet “e drejta e kthimit” në shtëpitë e humbura gjatë konfliktit me Izraelin, shkruan Koha Ditore.
“Vizioni im paraqet mundësi të fitores për të dyja anët, një zgjidhje realiste me dy shtete që e zgjidh rrezikun e shtetësisë palestineze në siguri”, ka thënë presidenti gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, i cili e vuri në pah njëanshmërinë e iniciativës, pasi që në ceremoni ishte i pranishëm kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, por jo edhe ndonjë përfaqësues palestinez.
“Sot Izraeli ka hedhur një hap gjigant drejt paqes”, tha Trump, duke shtuar se i ka dërguar letër presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, lidhur me propozimin.
“Është ditë historike”, ka thënë Netanyahu, duke e përshkruar planin si “shteg realist drejt paqes së qëndrueshme”. Teksa foli përkrah Trumpit, Netanyahu u tha gazetarëve se SHBA-ja e njeh Jerusalemin për kryeqytet të pandarë të Izraelit, ndërsa shtoi: “Me këtë nënkuptoj territorin përbrenda gardheve”, që është një referencë e qartë për kufijtë komunalë. “Izraeli u ofron palestinezëve, në fund të gjithë procesit, sovranitet të kushtëzuar, të kufizuar”, tha ai.
Nga ana tjetër, liderët palestinezë e kanë hedhur poshtë planin e shtyrë kaherë të Trumpit edhe para publikimit të tij zyrtar, duke thënë se administrata qartazi anon nga Izraeli. Mungesa e palestinezëve në ceremoninë e publikimit ka nxitur menjëherë kritika se plani i vë nevojat e Izraelit para atyre të palestinezëve.
Në një deklarim nga Ramallahu, lideri palestinez, Mahmoud Abbas, e quajti planin “konspiracion” dhe u tha Trumpit dhe kryeministri izraelit se të drejtat e popullit të tij “nuk janë në shitje”. “U them Trumpit dhe Netanyahut: Jerusalemi nuk është në shitje, të drejtat tona nuk janë në shitje dhe nuk janë në pazar. Dhe marrëveshja juaj, konspiracioni, nuk do të kalojë”, ka thënë Abbas. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane kanë thënë se fillimisht presin skepticizëm prej anës së palestinezëve, por shpresojnë që me kalimin e kohës ata do të pranojnë të negociojnë.
Britania e Madhe u ka bërë thirrje izraelitëve dhe palestinezëve që ta shqyrtojnë në mënyrë të drejtë planin paqësor të Trumpit.
“Ky qartazi është një propozim serioz që reflekton një punë të gjatë dhe përpjekje të madhe”, ka thënë ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab. “Vetëm liderët e Izraelit dhe të territoreve palestineze mund të përcaktojnë nëse këto propozime mund t’i përmbushin nevojat dhe aspiratat e popujve respektivë. I trimërojmë që t’i shqyrtojnë sinqerisht këto plane dhe të shohin nëse mund të dëshmohen si një hap i parë në rrugën e vështirë të negociatave”, ka thënë ai.
Përmes një deklarate, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur i gatshëm që ta mbështesë paqen në Lindjen e Mesme bazuar në rezolutat e Kombeve të Bashkuara, të drejtën ndërkombëtare, marrëveshjet bilaterale dhe vizionin për zgjidhjen me dy shtete mbështetur në kufijtë e para vitit 1967. Në anën tjetër, Turqia e hodhi poshtë planin, duke e cilësuar si përpjekje për vjedhjen e tokave palestineze dhe vrasjen e gjasave për krijimin e një shteti palestinez përskaj Izraelit.
“Ky plan është plan aneksimi që synon ta vrasë zgjidhjen me dy shtete dhe vjedhjen e tokave palestineze”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Turqisë, në të cilën propozimet e Trumpit përshkruhen si “të dështuara”. Ndërkaq autoritetet egjiptiane u bëjnë thirrje palëve që ta shqyrtojnë planin me kujdes, me synim të vazhdimit të negociatave. “Egjipti u bën thirrje palëve relevante që ta shqyrtojnë me kujdes dhe maturi versionin amerikan të arritjes së paqes dhe t’i hapin kanalet për dialog, me qëllim të vazhdimit të negociatave”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme egjiptiane.
Analistët pretendojnë, megjithatë, se plani u vë palestinezëve pengesa tepër të larta për t’i kapërcyer me qëllim të përmbushjes së synimit për shtetësi.
“Hiç konsideratat e brendshme dhe politike izraelite që e përcaktojnë kohën e publikimit të planit, si dhe mesazhin për palestinezët, ajo që mbetet në esencë është: Keni humbur, pranojeni”, ka thënë Robert Malley, kryetar i Grupit Ndërkombëtar të Krizës dhe ish-zyrtar i Këshillit Kombëtar amerikan të Sigurisë.
Mbetet të shihet, po ashtu, se si do t’i përgjigjet Izraeli planit, duke i pasur parasysh presionet me të cilat ballafaqohet kryeministri djathtist. Si Trump, ashtu edhe Netanyahu përballen me sfida politike në vendet e tyre. Trumpi është shkarkuar nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e shkuar dhe po gjykohet në Senat për abuzim me detyrën. Të martën, Netanyahu u padit edhe zyrtarisht për akuza të korrupsionit, pasi që hoqi dorë nga imuniteti i tij parlamentar për përndjekje penale. Që të dy mohojnë të kenë bërë ndonjë gjë të gabuar.