“Ofensiva e madhe”. Revista prestigjioze sportive franceze “L’Equipe” zgjodhi këtë titull kryesor në numrin e sotëm, ku flet mbi interesimin e PSG-së për Julian Nagelsmann. Ish-trajneri i Bayern Munich, i njohur për futbollin e tij sulmues, nëse zbarkon në Paris do të merrte si asistent Thierry Henry.
Ndërkohë, pasi i tha lamtumirë Real Madridit, Marcos Asensio është gati të nisë një aventurë të re futbollistike te PSG. Marrëveshja verbale tashmë është arritur, nënshkrimi pritet deri në vitin 2027.
Lidhur me Messin, që luajti ndeshjen e fundit me parizienët, mësohet se udhëheqja e skuadrës saudite Al Hilal fluturoi në Paris për të nënshkruar një mega-marrëveshje me shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”.
Dy burime të njohura mirë për këtë çështje i thanë AFP-së se delegacioni saudit planifikon të takohet me babanë-menaxher të Messit, Jorge, me qëllim që të arrihet nënshkrimi i yllit argjentinas sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ka një delegacion saudit në Paris me një qëllim: të kthehet me miratimin zyrtar të Messit për ofertën saudite”, – tha një burim pranë klubit. Një tjetër burim zyrtar pranë negociatave tha: “Jemi në fazën përfundimtare të marrëveshjes. Nëse gjithçka shkon mirë, Messi do të nënshkruajë kontratën e tij të re dhe Al-Hilal do ta shpallë para fundjavës së ardhshme”.
Kapiteni i kampiones së botës në “Katar 2022”, Argjentina, ishte gjithashtu objektiv i Inter Miami të David Beckham, ndërsa Barcelona ëndërronte një rikthim të vështirë në shtëpi për shkak të problemeve ekonomike të numrit 10. Tani, megjithatë, zgjedhja e Messit duket se ka favorizuar Arabinë Saudite, e cila po përpiqet të përmirësojë imazhin e saj dhe të tërheqë turistë e investime.
Për ta bërë këtë po përdor edhe yjet e futbollit. Messi është tashmë një nga imazhet e agjencisë saudite të turizmit. Muajt e fundit, Arabia Saudite ka siguruar shkuarjen e Cristiano Ronaldos tek Al Nassr, ndërsa dje televizioni shtetëror saudit “Al-Ekhbariya” tha se sulmuesi francez Karim Benzema (jashtë Real Madridit), tashmë ka nënshkruar me Al-Ittihad të Jeddah.
Lidhur me këtë, presidenti i skuadrës kampione të Arabisë Saudite, Al-Ekhbariya dhe zëvendësi i tij ndodhen në kryeqytetin spanjoll për të nënshkruar me Benzema, për atë që është cilësuar si “transferim rekord me Real Madridin”. Sa i përket shifrave, Benzema do të marrë 100 milionë euro në vit, ndërsa Al Hilal do t’i jepte Messit dyfishin.