Nëse partia opozitare VMRO-DPMNE, nuk e mbështet miratimin e Ligjit për prokurorinë publike, autoritet qeveritare kanë opsion tjetër për sigurimin e 81 deputetëve. Pas kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ditë më parë e dha një deklaratë të ngjashme edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, të mërkurën e theksoi mundësinë e negociatave edhe me deputet e parti tjera të cilët deklarohen se janë “për” eurointegrime.
Omer XHAFERI
Shkup, 23 janar – Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, duke folur rreth propozimit të fundit të cilin LSDM, ia dorëzoi VMRO-DPMNE-së, për Ligjin për prokurorinë publike, potencoi se aspak nuk janë të vërteta deklaratat e partisë opozitare se ky propozim parasheh “akomodimin”, e prokurorëve nga ish-Prokurorisë Speciale Publike, në Prokurorinë për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në takimin me gazetar, ajo sqaroi se neni i ligjit në fjalë që parasheh rritjen e numrit të prokurorëve në Prokurorinë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk nënkupton transfer absolut të prokurorëve të PSP-së.
“Ligji parasheh zgjerim praktik të numrit të prokurorëve në Prokurorinë për Krim të Organizuar, për të cilët më pas do të shpallet konkurs dhe çdo prokuror i cili i plotëson kushtet do të mund të konkurroj. Qëllimi i këtij propozimi është të krijohen kapacitete në Prokurorinë për krim të organizuar, e cila do të t’i ketë të gjitha parakushtet dhe resurset njerëzore, për t’i marrë përsipër kompetencat e zgjeruara që parashihen me ligj”, tha Deskoska.
Nëse partia opozitare VMRO-DPMNE, nuk e mbështet miratimin e Ligjit për prokurorinë publike, autoritet qeveritare kanë opsion tjetër për sigurimin e 81 deputetëve. Pas kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ditë më parë e dha një deklaratë të ngjashme edhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, të mërkurën e theksoi mundësinë e negociatave edhe me deputet e parti tjera të cilët deklarohen se janë “për” eurointegrime.
Pasi tema për Ligjin për prokurorinë publike u aktualizua javën e kaluar me propozimin e ri nga LSDM, mbrëmë përfaqësues të partisë në pushtet dhe VMRO-DPMNE-së, zhvilluan takim, ku sipas Deskoskës është arritur pajtim që ata të japin vërejtjet dhe propozimet e tyre për lëndët dhe shkarkimin e prokurorëve. Këto amendamente siç sqaroi Deskoska, duhet të jepen ditëve në vazhdim. “Mundësitë për tu miratuar ky ligj janë deri me 11 shkurt. Pra, duhet sa më shpejtë të arrihet Marrëveshje. Mendoj se shanset varen nga vullneti i vërtetë i VMRO-DPMNE-së, të cilët duhet t’i vendosin interesat e eurointegrimeve para interesave të anëtarëve të tyre partiak, ndaj të cilëve po zhvillohen procedura nga ana e prokurorisë së rregullt, e të iniciuara nga PSP”, tha Deskoska.
Ndryshe, ditë më parë edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, foli rreth miratimit të Ligjt për Prokurorinë Publike, i cili me muaj është bllokuar në Parlament. Sipas tij ky ligj duhet të miratohet deri më 3 shkurt, atëherë kur do të mbahet edhe seanca e fundit plenare dhe ai iu bëri thirrje të gjitha partive politike që t’i tejkalojnë dallimet partiake, për shkak se miratimi i ligjit është i rëndësishëm për Holandën dhe Francën, por nuk është kusht formal për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Njëkohësisht përderisa po zhvillohet debati për miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, kryeprokurori Lubomir Jovevski, javën e kaluar i shpërndau një pjesë të lëndëve të cilat i trashëgoi nga Prokuroria Speciale Publike. (koha.mk)