Kjo qeveri me këta funksionarë që na sollën në nivel më të lartë të korrupsionit se Tanzania, nuk mund të pritet që papritmas të ndryshojnë kursin e tyre të veprimit dhe ta zvogëlojë nivelin e korrupsionit edhe sikur qeveria të ketë planin më të mirë në botë për ta bërë atë. Kjo, sepse atyre qartazi u mungon ose vetëdija që korrupsioni është një akt i shëmtuar moral, ose ndërgjegjja e mjaftueshme morale për të mos e pranuar involvimin në korrupsion
Nga Omer AJDINI
Të martën e kaluar Kryeministri Zoran Zaev shpalosi planin aksionar për luftim të korrupsionit në qeverinë aktuale dhe në institucionet e shtetit. Kjo erdhi si pasojë e raportit mbi korrupsionit të publikuar nga Transparency International me 28 janar të këtij viti ku Maqedonia e Veriut shënoi rënie për pesë vende dhe u radhit në grupin e shteteve më të korruptuara në botë. Ky ishte viti i dytë që Maqedonia e Veriut, nën qeverisjen e Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit, shënonte rënie në radhitje, pra për dy vite jo që nuk kishte progres por edhe kishte rënie për 16 vende në listën e korrupsionit. Mirëpo siç duket edhe ky plan, sikurse shpikja e pozitës së “zv.kryeministrit për luftë kundër korrupsionit”, është përsëri një tentativë e dështuar për ta mbuluar nivelin e lartë të korrupsionit dhe mungesën e luftës reale kundër tij.
Nga paraqitja e Kryeministrit të martën e kaluar të krijohej përshtypja që gjithçka që i ka munguar luftës anti-korrupsion ka qenë plani apo dija mbi atë se çfarë duhet bërë për ta luftuar korrupsionin. Mirëpo kjo është vetëm ajo çfarë Kryeministri Zaev dëshiron ne të besojmë, sepse e vërteta është shumë më ndryshe. Raportet e njëpasnjëshme nga institucionet e Bashkimit Evropian jo vetëm që kanë ngritur flamurin e kuq sa i përket korrupsionit, por në vazhdimësi kanë dhënë rekomandime konkrete se çfarë duhet bërë. Për shembull, në vazhdimësi është potencuar nevoja e mbështetjes më të madhe të Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, megjithatë sot e kësaj dite ky Komision ka mungesë të dukshme të resurseve financiare dhe njerëzore për ta kryer punën e tij. Pra jo që nuk është ditur se çfarë duhet bërë, por nuk ka pasur vullnet politik për ta fuqizuar këtë institucion ashtu siç e meriton ai sepse me shumë gjasë dikush do ta pësonte!
Supozimin mbi mungesën e vullnetit politik për luftim të korrupsionit në këtë qeveri e vërteton vet fakti që asnjë nga funksionaret e BDI-së nuk u hetua mirëfilli deri tani edhe pse kanë qenë pikërisht ato funksionar të cilët së bashku me ata të VMRO-së dikur dhe LSDM-së tani e kanë sjellur Maqedoninë e Veriut në nivel tmerrues të korrupsionit. Rastet siç janë “Magyar Telekom”, “Pacienti” si dhe rastet e panumërta të pasurimit marramendës dhe të pashpjegueshëm të funksionareve të BDI-së janë aq eklatante dhe aq shumë të toleruar saqë është shumë e qartë se deri tani është bërë kompromis shumë i madh në luftën kundër korrupsionit ashtu siç është bërë kompromis me çdo luftë për progres në Maqedoninë e Veriut. E një njeri apo qeveri që ka bërë kompromise kaq të dhimbshme për gati 4 vite të tëra nuk pritet të mos e bëj të njëjtin kompromis edhe në të ardhmen pavarësisht fjalimeve pasionante dhe planeve të bukura aksionare.
Në pres-konferencën e së martës Zaev tha që “Qeveria dhe qytetarët janë në të njëjtën anë në luftën korrupsionit”, megjithatë unë sinqerisht e vë dyshim në këtë. Qytetarët nuk janë dhe nuk mund të jenë njëjtën anë me qeverinë dhe personat që udhëheqin institucionet shtetërore (të cilat tani për tani janë më të korruptuarat në Ballkan) pikërisht sepse korrupsioni është “zero-sum game”, pra përfitojnë vetëm ata që janë në pushtet dhe të afërmit e tyre, ndërsa humbin qytetarët e zakonshëm (sepse sjellja korruptive e funksionareve qeveritarë i dëmton më së shumti qytetarët). Pra përderisa qeveritarët gjinden në anën e shtimit, mbrojtjes dhe përfitimit nga korrupsioni, qytetarët gjinden në anën e të pafuqishmëve në të cilën e paguajnë çmimin e korrupsionit duke filluar nga një ekonomi stagnonte deri tek nevoja për të dhënë mito e ryshfete edhe për shërbimet më të thjeshta publike!
Tani për tani në luftën kundër korrupsionit siç duket është e vështirë të gjinden anë të mirëfillta. Dështimi i vazhdueshëm institucional për ta luftuar korrupsionin ka sjellur jo vetëm imponim të korrupsionit tek qytetarët, por ka krijuar edhe një mendësi shoqërore e cila e ka normalizuar në masë të madhe sjelljen e korruptuar. Sot mesh nesh mentaliteti i cili toleron dhe nxitë korrupsionin është i pamohueshëm. Mungesa e gjykimit të rreptë moral të nepotizmit, dhënies së mitos mjekëve dhe instruktorëve, etj., janë veçmë standarde të etabluara shoqërore, mirëpo ky mentalitet është krijuar pikërisht nga dështimet sistematike të politikanëve për ta luftuar korrupsionin. Për shembull, një qytetarë i zakonshëm është shumë më i predispozuar që t’i paguaj mito një mjeku i cili nuk e përfillë atë sesa ta paraqesë “kërkimin e mitos” në institucionet relevante sepse po ta paraqes rastin ai e di që edhe do të mbetet pa shërbim adekuat si pasojë e hakmarrjes potenciale nga kolegët e mjekut, por edhe ka shumë gjasa që mjeku mos të dënohet asnjëherë po bilës vet qytetari ta pësojë. E marrja dhe dhënia e mitos është bërë pothuajse normë standarde e sjelljes pikërisht sepse organet të cilat duhet ta luftojnë këtë sjellje janë të paafta ta bëjnë atë si pasojë e mungesës se resurseve apo vullnetit politik. E ky mentalitet e vështirëson shumë luftën kundër korrupsionit sepse lufta e mirëfilltë kundër korrupsionit është e pamundur të zhvillohet pa qytetarë të cilët e paraqesin atë. Kështu që përveç “planit” dhe fjalimeve të bukura, para se gjithash Zoran Zaev do të duhej të dëshmonte seriozitet në premtimet që i ka dhënë gjatë kohë më parë dhe të kthente besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit të cilat duhet ta luftojnë korrupsionin. Megjithatë për katër vite ky besim nuk u kthye dhe unë sinqerisht dyshoj që ajo do të ndodhë në të ardhmen me këtë qeveri.
Kjo qeveri me këta funksionarë që na sollën në nivel më të lartë të korrupsionit se Tanzania, nuk mund të pritet që papritmas të ndryshojnë kursin e tyre të veprimit dhe ta zvogëlojë nivelin e korrupsionit edhe sikur qeveria të ketë planin më të mirë në botë për ta bërë atë. Kjo, sepse atyre qartazi u mungon ose vetëdija që korrupsioni është një akt i shëmtuar moral, ose ndërgjegjja e mjaftueshme morale për të mos e pranuar involvimin në korrupsion. Mirëpo sido që të jetë e vërteta, një gjë është e sigurt: kjo qeveri dhe këto funksionarë një ditë do ta paguajnë çmimin e kësaj katrahure që e kanë krijuar!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)