Të hënën pasdite, në ujërat e lumit Temishnicë, në dalje të fshatit Bërvenicë, në vendin “Korija e Larta” është gjetur i vdekur 79 vjeçari Aqif Abdullahu nga Tetova, i cili që nga 1 korriku ishte larguar nga shtëpia në drejtim të panjohur. Atë e kanë gjetur djali i tij dhe persona të tjerë, ndërsa për shkak se tereni ka qenë i papërshtatshëm janë angazhuar edhe zjarrfikësit e Tetovës. Është kryer hetim në vendin e ngjarjes nga ana Prokurorit Publik, ekipeve të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Në trupin e pajetë të tij nuk janë gjetur gjurmë dhune, kurse me urdhër të Prokurorit Publik trupi i pajetë është dërguar për obduksion. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovës, kanë bërë të ditur se që nga fillimi i vitit në rrethana të panjohura janë larguar nga shtëpitë e tyre 11 persona. Prej tyre 9 janë gjetur, rasti më i freskëti para disa ditëve ka qenë i një plaku nga fshati Shemshovë, i cili pas disa ditëve që ishte larguar nga shtëpia është gjetur I gjallë në një shtëpi në pjesën periferike të fshatit. Një person është në kërkim dhe ai është nga Bërvenica.