Gjatë së njëjtës periudhë, thuhet në raport, madhësia e popullsisë së RMV mbeti pothuajse konstante, megjithatë përqindja e popullsisë së moshës 65-vjeç e lart u rrit (nga 11.60 në 14.09). Kombinimi i kësaj, plus një ulje e nivelit të fertilitetit dhe ritmet në rritje të emigrimit të njerëzve në moshë pune (përfshirë mjekët dhe infermierët), pritet të ushtrojnë presion mbi sistemet e mbrojtjes sociale të vendit, duke përfshirë shëndetin
Evis HALILI
Shkup, 26 nëntor – Sistemi i mbrojtjes sociale dhe shëndetësore do të gjendet përballë sfidave të vështira financiare në vitet që vijnë. Kështu paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë në publikimin më të fundit – Programi Evropian i Punës (2020–2025) që i dedikohet vendeve të Ballkanit Perëndimor ku thekson se një popullsi në plakje vuan nga një barrë e lartë e sëmundjeve, të cilat kërkojnë financime më të lartë. Promovimi i shëndetit dhe mirëqenies do të kërkojë që vendi të trajtojë pasojat e plakjes së popullsisë dhe ngarkesën e lartë të sëmundjeve infektive, që mes të tjerash rrezikon qëndrueshmërinë financiare të pensionistëve dhe invalidëve, por edhe të shëndetit të tyre. Duke iu referuar rritjes së vogël të jetëgjatësisë gjatë dekadës së fundit (midis 2010 dhe 2019), respektivisht me 1.47 vjet për femrat (76.87 vjeç) dhe me 1.92 vjet (72.84 vjeç) për meshkujt këto shifra janë ende të konsiderueshme nën mesataren e BE-së ( 83.82 vjeç për femrat dhe 78.45 vjeç për meshkujt). Gjatë së njëjtës periudhë, thuhet në raport, madhësia e popullsisë së RMV mbeti pothuajse konstante, megjithatë përqindja e popullsisë së moshës 65 vjeç e lart u rrit (nga 11,60 në 14,09). Kombinimi i kësaj, plus një ulje e nivelit të fertilitetit dhe ritmet në rritje të emigrimit të njerëzve në moshë pune (përfshirë mjekët dhe infermierët), pritet të ushtrojnë presion mbi sistemet e mbrojtjes sociale të vendit, duke përfshirë shëndetin.
“Rënia e produktivitetit të firmave vendase, financimi i pamjaftueshëm i institucioneve publike dhe mangësitë në konkurrencë, politikën e investimeve dhe rregullimin e biznesit vazhdojnë të paraqesin sfida serioze strukturore. Këto sfida trajtohen në agjendën më të fundit të reformave të Maqedonisë së Veriut, e cila përfshin gjithashtu një reformë të mbrojtjes sociale që synon më të cenuarit. Megjithatë, suksesi i agjendës së reformave të vendit mbetet i dyshimtë pasi ritmi i reformave në sektorët e zhvillimit social, shëndetësor dhe të tjerë të lidhur duket të jetë më i ngadalshëm se progresi ekonomik i fundit i vendit dhe shpenzimet publike të vendit për shëndetin mbeten një nga më të ulëtat në Rajonin Evropian të OBSH-së. Për më tepër, pavarësisht rritjes së saj ekonomike, RMV nuk ka qenë në gjendje të përshpejtojë konvergjencën me standardet e BE-së. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë vazhdon në vetëm një të tretën e nivelit mesatar të BE-së dhe vendi mbetet në tranzicion demografik dhe epidemiologjik”, thuhet në Program. Si sfida më kryesore për shëndetësinë OBSH rendit vdekshmërinë neonatale, që deri në vitin 2030 duhet të reduktohet në të paktën 12 për 1000 lindje të gjalla dhe vdekshmërinë nën pesë vjeç në të paktën 25 për 1000 lindje të gjalla. Po ashtu duhet të reduktohet me një të tretën vdekshmëria e parakohshme nga sëmundjet infektive përmes parandalimit dhe trajtimit dhe promovimit të shëndetit dhe mirëqenies mendore. (koha.mk)