Klubet e kategorisë elitare të futbollit anglez janë befasuar nga kërkesa e drejtorit të Chelsea-t Bruce Buck për të kontribuar £5 mln në mënyrë që shefi i Premier League Richard Scudamore të dalë në pension para kohe.
Në prag të takimit emergjent të Premier League në Londër ditën e martë, ku do të konfirmohet pasardhësi i Scudamore i cili do të largohet muajin e ardhshëm, Daily Mail raporton se Buck u ka kërkuar 20 klubeve të dhurojnë nga £250,000 secili.
Buck, i cili ka kohë që kërkon një pasardhës të denjë të Scudamore bashkë me shefin ekzekutiv të Leicester dhe atë të Burnley, njihet për miqësinë me Scudamore që kur u bë drejtor te Chelsea 15 vite më parë.
Dhe teksa klubet janë mirënjohës për punën e bërë nga Scudamore në 19 vitet e fundit në krye të Premier League, disa janë befasuar nga kërkesa e bonusit për 59-vjeçarin.
Ai ka një rrogë £900,000 në vit por merr £2,5 mln bonuse për negociatat me kompanitë transmetuese.
Scudamore, i cili iu bashkua Premier League më 1999, ka negociuar marrëveshjet multi-miliardëshe me kanalet transmetuese të futbollit anglez.
Kjo u ka lejuar klubeve angleze të bëjnë investime të rëndësishme në merkato dhe si pasojë duke rritur nivelin e kampionatit anglez.