Prefekti i Qarkut të Shkodrës, ka thërritur përmes një dokumenti zyrtar mbledhjen për konstituimin e Këshillit Bashkiak të ri të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Kjo lëvizje vjen në një kohë kur Valdrin Pjetri është tërhequr nga marrja e drejtimit të bashkisë së Shkodrës.
Mësohet se mbledhja e thërritur nga prefekti Cesk Millja do të mbahet në ambientet e Rektoratit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, ditën e hënë në orën 11:00.
Raportohet që pjesë e rendit të ditës është konstituimi i Këshillit Bashkiak dhe zgjedhja e drejtuesve të tij, si dhe shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.
Kujtojmë që dje Pjetri bëri me dije përmes një statusi në “Facebook” dorëheqjen nga mandati, duke shtuar se qyteti i Shkodrës nuk mund të mbetet peng i një individi.
Tërheqja e tij erdhi pas publikimit të dokumenteve nga Partia Demokratike, ku sipas selisë blu vërtetohej dënimi dhe dëbimi nga Italia i Valdrin Pjetrit, çka nuk ishte raportuar në formularin e dekriminalizimit.