Pjetёr Shala transferohet në Hagë, akuzohet për trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme

40

Pjetër Shala i njohur në luftë si komandant “Ujku” të enjten u transferua në Hagë.

Në bazë të një kërkese për bashkëpunim për zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, autoritetet e Belgjikës e arrestuan.

Më 15 prill Pjetër Shala u transferua në paraburgim, në objektin e DHSK-së në Hagë.

Pjetër Shala akuzohet për krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

Aktakuza kundër tij u konfirmua më 12 qershor të vitit 2020 nga Gjykatës i Procedurës Paraprake Nikola Gjiu.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet Pjetër Shala u kryen përafërsisht në mes të periudhës kohore 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikim zyrtar të DHSK-së në Hagë.

Sipas komunikatës zyrtare të DHSK-së në Hagë, Pjetër Shala do të paraqitet para Gjykatësit të Procedurës paraprake për herë të parë më 19 prill në ora 15:00.

Pjetër Shala u bë pjesë e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, në vitin 1998, në zonën operative të Dukagjinit ku u caktua në policinë Ushtarake. Më pas sipas aktakuzës ai u largua nga lufta dhe u rikthye në fillim të vitit 1999 në Shqipëri pas thirrjes së UCK-së për mobilizim të përgjithshëm. Me të arritur në Durrës ai kontaktoi UCK-në dhe rifilloi shërbimin.

Krimet që paraqiten në këtë aktakuzë ndodhën në kontekstin e konfliktit të armatosur dhe në lidhje me këtë konflikt në Kosovë midis UÇK-së dhe forcave të RFJ-së dhe Republikës së Serbisë, ndër të cilat njësite të Ushtrisë Jugosllave (‘UJ’), njësite policore dhe njësite të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme (‘MPB’) dhe grupe të tjera që luftonin në emër të RFJ-së dhe të Serbisë.