Prokuroria publike federale gjermane kumtoi se ka ngritur akuzë kundër pjesëtarit të dyshuar 29 vjeçar të grupit xhihadist Shteti Islamik (SHI), për shkak të planifikimit të sulmit me automjet në tubim masiv në qytetin Karlsrue në Gjermaninë jugperëndimore.
I akuzuari Dasbar V. i cili është shtetas gjerman, akuzohet për anëtarësim në organizatën terroriste dhe për planifikim të aksioneve të dhunshme.
Sipas Prokurorisë, Dasbar V, që nga viti 2015 ka filluar të përhapë propagandë të SHI-së përmes internetit, ndërsa në vitin 2016 ka ikur për në Irak ku në rradhët e grupit xhihadist është trajnuar për snajperist.
Ai në Gjermani është kthyer vitin e kaluar dhe ka filluar të përgatisë plan për sulm terrorist me automjet dhe për atë qëllim ka konkurruar në disa vende për punësim si shofer-distributor.
Dasbar V. kishte planifikuar sulmin ta kryejë gjatë Panairit të Krishtlindjeve në Karlsrue vitin e kaluar, por ishte arrestuar disa ditë para sulmit. Nga dhjetori i vitit 2017 është në paraburgim, ndërsa Prokuroria tani ngriti akuzë kundër tij.