Shkup, 17 qershor – Pjesëtarët e MPB-së së bashku me nënpunësit e policisë austriake morën pjesë në shpërbërjen e një grupi kriminal ndërkombëtar në Vjenë, ku u sekuestruan më shumë se 2.000 bimë marihuanë afër Vjenës dhe tre persona u arrestuan, kumtuan nga MPB-ja.
Në një aksion të koordinuar bashkërisht në territorin e Republikës së Austrisë nga nënpunësit e policisë nga Departamenti për shkatërimin e krimit të organizuar dhe të rëndë – Njësia për trafikim të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe nga policia federale e krimeve të Austrisë – Departamenti për luftën kundër krimit të organizuar, gjatë muajit maj në afërsi të Vjenës, u zbuluan tre laboratorë të mëdhenj të paligjshëm për prodhimin e drogës.
“Këto janë laboratorë të pajisur me pajisje të sofistikuara, të vendosura në bodrumin e tre ndërtesave të banimit, ku u sekuestruan më shumë se 2.000 bimë marihuane. Gjatë aksionit janë privuar nga liria tre persona që morën pjesë drejtpërdrejt në kultivimin dhe shitjen e mëtejshme të narkotikëve dhe janë pjesë e një grupi më të madh ndërkombëtar të krimit të organizuar, i cili operon në disa vende në Evropë”, theksoi Suzana Pranjiq Talevska nga Departamenti për marrëdhënie me publikun në MPB-në.
Droga e sekuestruar është një larmi e veçantë hibride e kanabisit, me përqindje të lartë të THC (substancë psikoaktive), me emërim rrugor “amnezi”, e cila në tregun e paligjshëm të drogës në vendet e Evropës Perëndimore arrin një çmim deri në 10.000 euro për kilogram, sipas MPB-së.
Ministria e Punëve Brendshme vazhdon me intensitet të intensifikuar në luftën kundër grupeve kriminale të organizuara vendore dhe ndërkombëtare që merren me trafik droge, në bashkëpunim me Departamentet për krim të organizuar në vendet fqinje, vendet partnere të BE-së, si dhe në koordinim me IPA dhe SELEK.