Miralem Pjaniç do të jetë lojtar i Barcelonës për katër vitet e ardhshme dhe ai ka dhënë intervistën e tij të parë si pjesë e katalanasve. Mesfushori boshnjak ka lënë të kuptohet që është shumë i lumtur dhe i kënaqur që do të nisë aventurën me Barcelonën.
“Kjo skuadër është një nga më të mëdhatë në botën e futbollit dhe të jem pjesë e saj e konsideroj si një arritje të madhe për karrierën time, por edhe për çdo futbollist. Unë kam realizuar një ëndërr”, ka thënë Pjaniç për sajtin e Federatës së Futbollit në Bosnjë. Kalimin te katalanasit e konsideron si një kurorëzim të sakrificave dhe punës që ka bërë gjatë gjithë karrierës. “Jam i lumtur dhe krenar, jo vetëm për vete, por edhe për prindërit e mi dhe për të gjithë Bosnjën.
Kurrë nuk do ta harroj se nga kam ardhur”, ka thënë mesfushori 30-vjeçar. Duhet të qëndrojë te Juventusi edhe për disa muaj për të çuar deri në fund aventurën e tij, por që tani po ëndërron momentin kur do të zbresë në “Camp Nou” për fillimin e eksperiencës përkrah Lionel Mesit. “Kam shumë dëshirë të madhe që të zbres në ‘Camp Nou’ me fanellën e Barcelonës. Po pres me padurim”, theksoi ai.
Në rrjetet sociale, Miralem Pjaniç bëri një përshëndetje shumë emocionuese për Juventusin duke thënë se ky klub e ndihmoi që të rritej në të gjitha aspektet dhe është shndërruar si një lëkurë e dytë për të. “Kjo që sot është një ditë e trishtuar për mua, nesër do të jetë një kujtim i bukur. Juventusi më ka ndihmuar që të rritem. Tani duhet të bëj detyrën time me bardhezinjtë”, shkroi boshnjaku, i cili u transferua në Spanjë për 60 milionë euro dhe 5 bonuse.