Fisnik PASHOLLI
Shkup, 28 shtator – Turizmi në Maqedoni ka fituar notë të lartë nga katër në dhjetë turistë të huaj të anketuar. Sipas anketës së realizuar nga Enti i Statistikës, më mirë është vlerësuar sjellja e njerëzve, ndërsa më dobët është vlerësuar rrjeti rrugor dhe higjiena në vendet publike, shkruan gazeta KOHA.
Për sjelljen e njerëzve, vlerësimi nga të huajt është 4.62, për akomodimin të huajt kanë dhënë notën mesatare 4.56, për lokalitetet arkeologjike 4.38, për natyrën 4.37, për restorantet 4.18, për sigurinë 4.12, për shërbimet e aeroportit 3.93, për shërbimet shëndetësore 3.92, për zbavitjen dhe jetën e natës 3.98, për higjienën në plazhet dhe liqenet 3.71, ndërsa notë më të dobët ka marrë higjiena në vendet publike – 3.68. Në total , vlerësimi mesatar i shërbimeve apo ofertës së përgjithshme të turistëve të huaj është 4.05. Njëherazi, edhe anketa ka konfirmuar dobësinë kryesore të turizmit vendor, faktin se turistët e huaj pak qëndrojnë dhe harxhojnë në Maqedoni. Sipas anketës, turistët e huaj nëpër hotele harxhojnë në mesatare për fjetje deri në 9040 denarë, ndërsa në mesatare kanë fjetur deri në dy net. Turistët e huaj që në vitin e kaluar kanë qëndruar në Maqedoni, vetëm në 40 për qind kanë fjetur në hotelet me katër yje. Vitin e kaluar, numri më i madh i turistëve ka qenë nga Turqia, ngjashëm me vitet e kaluara. Një e pesta apo 105.738 turistë kanë qenë nga Turqia që kanë realizuar edhe 152.748 fjetje apo 14 për qind të totalit të bujtjeve nëpër hotele. Statistika më tej zbardh se vizitorët më të shpeshtë – me mbi 60 për qind të vizitave në Ohër, Strugë, Prespë apo Dojran, janë ato vendor, ndërsa turistët e huaj me afër 35 për qind vizitojnë këto pika turistike. E shprehur me shifra, kjo do të thotë se vitin e kaluar, 205.683 turistë vendorë kanë qëndruar në vendet turistike liqenore. Po vjet, në Shkup kanë qëndruar 206.796 të huaj apo 40 për qind e numrit të përgjithshëm të turistëve të huaj, ndërsa në pikat turistike të liqeneve kanë qëndruar 35 për qind apo 177.300 turistë të huaj. Nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë thonë se përkundër rritjes së rëndësisë së turizmit si degë ekonomike, megjithatë mbetet akoma shumë punë për të bërë me qëllim që ky sektor të marrë pjesë nga 2.2 në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo nga 200 milionë euro sa është tani, në 450 deri 500 milionë euro. Pas njërës masë që e kishte propozuar shoqata për kthimin e turistëve vendor përmes përkrahjeve stimuluese, Qeveria po ndërmerr hapa konkret përmes subvencionimit të objekteve të kategorizuara hotelerike apo hoteleve që kanë interes për akomodimin e punëtorëve me të ardhura familjare deri në 22 mijë denarë në nivel mujor. Këtë volitshmëri pritet ta shfrytëzojnë rreth 4000 persona. Pritet të shqyrtohen dhe realizohen edhe masat e tjera të propozuara nga hotelierët.
“Vendosja e ofertave të reja për tërheqjen e turistëve të huaj, përkrahja dhe nxitje e turizmit alternativ, orientimi ndaj koncerteve dhe manifestimeve kulturore jashtë sezone, rritja e vetëdijes për higjienën, edukimi i popullatës lokale ku gravitojnë turistët. Liberalizimi i regjimit të vizave para së gjithash me vendet e Lindjes së Afërt dhe të Largët dhe shtetet e Magrebit ngjashëm me zgjidhjet që kanë sjellë shtetet fqinje. Kërkohet edhe ulja e TVSH-së prej 18 në 5 për qind për ushqimin në objektet hotelerike, përkrahje dhe sigurimi i kushteve të volitshme për ndërtimin e hoteleve të reja dhe rindërtimin e të vjetrave konform trendeve botërore”, janë disa nga propozimet e esnafit të turizmit për zhvillimin e tij në periudhën e ardhshme në Maqedoni.
Punëtorët e turizmit vlerësojnë se në Maqedoni funksionon vetëm turizmi i qyteteve dhe i liqeneve, që nuk është i mjaftueshëm për rritjen e kontributit të turizmit për zhvillimin e ekonomisë vendore. “Të dhënat zyrtare tregojnë një pjesëmarrje prej afër 2 për qind të veprimtarisë së turizmit ë Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa me zhvillimin e turizmit malor, të banjave dhe atij alternativ, mund të llogaritet në pjesëmarrjen prej 5 për qind të turizmit në PBV”, thonë nga esnafi i turizmit. Sfidë tjetër për turizmin vendor është që të punohet në atë drejtim që Maqedonia të sjellë turistë të huaj gjatë 12 muajve të vitit dhe jo vetëm të fokusohet në sezonin e verës. Vlerësohet se në të ardhmen, nevojitet një angazhim më i madh në nivel institucional, por edhe të punëtorëve të turizmit me qëllim të rritjes së qëndrimit të turistëve jo vetëm në Shkup dhe Ohër, por edhe në viset tjera si dhe paketimi më i mirë i eventeve të ndryshme kulturore apo gastronomike në favor të tërheqjes më të madhe të turistëve të huaj. Ndryshe, njohësit e kësaj fushe theksojnë se turizmi paraqet një degë të ndërlikuar ekonomike që kërkon investime të vazhdueshme në përmirësimin e ofertës turistike dhe infrastrukturës. Në të ardhmen mbetet të punohet më shumë edhe në zhvillimin e turizmit malor lidhur me gjuetinë dhe peshkatarinë e kështu me radhë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.