Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, e pranon se barazimi i skuadrës së vet 2:2 me Romën përbën hap prapa në paraqitjet e bardhezinjve dhe shpjegon se çfarë nuk shkoi mirë në Olimpiko. Pirlo e ndryshoi vetëm një futbollist nga formacioni i ndeshjes së kaluar, të cilën e fitoi 3:0 kundër Sampdorias, Alvaro Morata në vend të Gianluca Frabotta. Juventusi e gjeti veten dy herë në disavantazh pas golave nga Jordan Veretout, por u rikthye në të dy rastet falë Ronaldos, pavarësisht se për shumicën e pjesës së dytë luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Adrien Rabiot me karton të kuq. Sulmuesi portugez shënoi nga pika e bardhë dhe pastaj me kokë për t’ia siguruar një pikë skuadrës së vet.
“Sa i përket paraqitjes, bëmë një hap prapa, por kjo është një punë në zhvillim e sipër dhe ne nuk e kemi pasur mundësinë të luajmë miqësore përgatitëse për t’i testuar taktikat tona”, tha Pirlo pas ndeshjes. “Në fund e fituam një pikë, pasi ishim dy herë në disavantazh dhe pastaj luajtëm me një futbollist më pak”, deklaroi ai.
Cristiano Ronaldo, protagonist absolut i mbrëmjes, bashkë me Veretout të Romës, e sheh pozitivisht të ardhmen e “Zonjës së Vjetër”.
“Pasi shkuam në disavantazh, e dinim që ndeshja do të ishte e vështirë, por në fund morën një pikë të rëndësishme. Jemi në fillim të kampionatit, me një trajner të ri. Shoh një skuadër aktive, po bëjmë mirë. Shoh një të ardhme shumë pozitive”, u shpreh Ronaldo. \
“Mendoj se Seria A është forcuar shumë, nga Interi, Milani e deri te ne. Është një është një kampionat më i vështirë se vitin e kaluar”, shtoi më tej ai. Juvja e Pirlos: “Është shumë herët, por unë e shoh ekipin shumë më mirë, më të lumtur dhe duke punuar i qeshur. Kjo është shumë e rëndësishme”, përfundoi Ronaldo.