Gerard Pique nuk e ka humbur besimin te Barcelona për titullin kampion në La Liga edhe pas barazimit 1-1 me Real Madrid-in. Të shtunën pasdite katalanasit ishin në avantazh 1-0 me gol të sulmuesit Luis Suarez, por Sergio Ramos u shfaq sërish si shpëtimtar për kampionët e Evropës duke shënuar golin e barazimit me kokë në të 90′ në “Camp Nou”. Duke marrë shembull nga sezoni i parë i skuadrës me trajnerin Luis Enrique, Pique është i sigurt se Barcelona do të rikthehet, edhe pse madrilenët kanë 33 ndeshje radhazi që nuk e njohin humbjen në të gjitha kompeticionet.“Çdo gjë po shkon si duhet për Real Madrid-in dhe goli në minutën e 90-të i mban ata ende të pamposhtur, por përvoja më tregon se sezoni është shumë i gjatë”, – tha Pique. “Kemi qenë në një situatë të ngjashme në vitin e parë me Luis Enrique-n. Ata ishin në formë të mirë dhe kishin katër pikë më shumë se ne. Gjithçka varet te vetja jonë dhe se si luajmë futboll. Nëse e rikuperojmë stilin tonë, gjë që e bëmë pjesërisht sot (dje), jemi të pandalshëm dhe mund t’i kthejmë gjërat në favorin tonë. Duhet të qëndrojmë të qetë, sepse kam kaluar çaste edhe më të vështira”, – shtoi shtatlarti katalanas.