Pique: Më mirë të humbasësh në fillim se sa në fund

Humbja e Barcelonës në ndeshjen e parë zyrtare në La Liga për këtë sezon ka bërë që futbollistët të dalin nga fusha të mërzitur. Megjithatë, një ndër kapitenët e ekipit, Gerrard Pique, tha se kjo do t’i ndihmojë që të korrigjojnë shumë gjëra dhe kërkon kohë që të adaptohen ardhjet e reja. Ndër të tjera, ai tha se kjo humbje është më mirë që ka ardhur në fillim të sezonit.

“Është një fushë e vështirë “San Mames” dhe nuk e nisëm kompeticionin ashtu si do të kishim dashur… Nuk ishim ne dhe nuk luajtëm ashtu si dimë. Por, më mirë të humbasësh që në fillim se sa në fund. Tani mund të korrigjojmë shumë gjëra”, u shpreh Pique.

“Na duhet pak kohë, kanë ardhur futbollistë të rinj dhe duhet të përshtaten. Në fund, detajet bënë diferencën”.

Lionel Messi mungoi në këtë ndeshje për shkak të dëmtimit në pulpën e këmbës në ditën e parë në stërvitje pas rikthimit nga pushimet, derisa edhe Luis Suarez u detyrua të largohet nga fusha mbrëmë para kohe pas një lëndimi në pulpë.