I pamposhtur që nga rifillimi i sezonit dhe me lojtarët që përfundimisht po e shfaqin potencialin e tyre, ekipi i Milanit duket se është në rrugën e duhur – edhe pse trajneri që ka nxitur ringjalljen e klubit përballet me një të ardhme të pasigurt. Stefano Pioli ka vazhduar punën e tij te Milani përkundër raportimeve të përditshme se ai do të largohet në fund të edicionit për t’u zëvendësuar me Ralf Rangnickun, për të cilin thuhet se ka kohë që ka arritur marrëveshje me drejtuesit e ekipit nga Serie A. Rangnick, që bëri emër në Gjermani, kur si drejtor sportiv e planifikoi ngritjen e RB Leipzigut në njërin prej klubeve më të mira të Bundesligës, ka muaj të tërë që po përmendet si pasardhës i Piolit. Milani, që ra në pozitën e 14-të këtë edicion, i ka humbur vetëm dy ndeshje që nga fillimi i këtij viti dhe tani renditet në pozitën e gjashtë në tabelë që garanton pjesëmarrjen në Ligën e Evropës për edicionin e ri. Në fakt, pjesëmarrja në këtë garë evropiane mbetet edhe synimi i Milanit në këtë edicion.
Në ndeshjen e fundit, Milani të shtunën e mposhti në udhëtim Lazion (3:0) dhe Pioli po shpreson për një paraqitje të tillë edhe në duelin me Juventusin, të cilin e luajnë të martën (sot) në “San Siro”. Juventusi është lider në Serie A dhe ka shtatë pikë më shumë se vendi i dytë, kur kanë mbetur edhe tetë xhiro deri në fund të këtij edicioni. Te Juventusi po e synojnë titullin e nëntë rresht në Serie A. Pioli, një veteran që ka punuar në shumë skuadra të Serie A, ka folur edhe për të ardhmen e tij. Ai në mënyrë filozofike ka këmbëngulur që pasiguria është pjesë e profesionit të tij. Kështu që Pioli ka insistuar se pavarësisht zërave për të ardhmen e tij, do të vazhdojë punën me përkushtim deri në fund të këtij edicioni.
“Nuk e di se çfarë mban e ardhmja për ekipin dhe për mua, por ne po punojmë shumë mirë dhe kjo po na shpërblehet prejse kanë rifilluar garat. Për këtë arsye, nuk jam i shqetësuar për të ardhmen time”, ka thënë Pioli, i cili në tetor e zëvendësoi Marco Giampaolon e shkarkuar.
Tekniku 54-vjeçar ka ndihmuar talentet, por edhe ata që nuk kishin vazhdimësi, si Hakan Calhanoglu, Lucas Paqueta e Ante Rebiq që e kanë rigjetur veten kohët e fundit. Por, këta janë ndihmuar edhe nga ardhja e sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq në janar të këtij viti.
“Këta lojtarë kanë punuar shumë mirë në stërvitje dhe kemi një ekip të përgjegjshëm, të vetëdijshëm për rëndësinë e fanellës. Lojtarët po vazhdojnë të japin 100 për qind, madje edhe ata që do të largohen në fund të këtij edicioni. Ata janë të vendosur për të dhënë më të mirën për Milanin”, ka thënë Pioli. “Mendoj se meritojmë një pozitë më të mirë në tabelë dhe nëse nuk kualifikohemi në Ligën e Kampionëve, do të ngushëllohemi me Ligën e Evropës që e kemi synim”.