Pioli: I kënaqur me lojën e skuadrës, për merkaton diskutoj me drejtuesit

Milani u rikthye te fitorja, teksa mposhti Parmën me rezultatin minimal 0-1, falë një goli të Theo Hernandez në minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa pas takimit, trajneri Pioli vlerësoi si tejet pozitive paraqitjen e të tijve.

“Fituam një ndeshje shumë të vuajtur, por më pëlqeu që vumë në vështirësi Parmën, ashtu si nuk e ka bërë asnjë skuadër tjetër. Djemtë e dinin rëndësinë e këtij takimi dhe dhanë gjithçka për të fituar. Gjuajtëm shpesh portën, ndonëse goli erdhi me vonesë”, deklaroi Pioli.

Tekniku kuqezi komentoi edhe merkaton, veçanërisht emrin e gjigantit suedez Zlatan Ibrahimovic, ndërsa vuri theksin edhe te renditja, duke theksuar se synimi është që të grumbullojnë sa më shumë pikë deri në ndërprerjen e kampionatit.

“Kam diskutime të vazhdueshme me shoqërinë, sa i përket merkatos, por deri atëherë duhet të mos e humbasim kthjelltësinë dhe të fitojmë sa më shumë pikë. Nuk dua të flas për renditjen, pasi kemi fituar vetëm një ndeshje, por më pëlqeu shumë loja e skuadrës, që sot realizoi 95% të pasave me saktësi”, tha tekniku kuqezi.