Në bar apo në kamping quhet ping pong. Kurse në Olimpiadën e Rios tenis tavoline. Por përtej emrit, këtu kemi të bëjmë me një nga sportet më të rëndësishme nga këndvështrimi i neuroshkencës. Për këtë, i gjithë faji apo merita është e shpejtësisë me të cilën sportistët godasin me raketë topin dhe koha e vogël gjatë të cilës ata përgjigjen. Si ia bëjnë kampionët e ping pongut që ta godasin topin me saktësi dhe në kohë? Përgjigja vjen pikërisht nga neuroshkenca. Ata më shumë i besojnë veshëve të tyre sesa syve. Faktikisht, truri ynë është më i shpejtë që të procedojë sinjalet zanore se sa ato vizuale. Për të arritur deri në lëvoren e trurit përgjegjëse për reagimin, një sinjali zanor do t’i duhet rreth 10 milisekonda, ndërkohë që një sinjal vizual kërkon rreth 50 miliseknda. Ne perceptojmë se kemi parë diçka pas rreth 4 të qindtave të sekondës, pasi kemi dëgjuar efektin.
Ky fenomen nuk është i aplikueshëm për distanca të mëdha, por në distanca të vogla, po. Si në rastin e një tavoline ping pongu. Autori Marco Malvaldi në librin “Rregullat e lojës”, shpjegon këtë fenomen. “Ky është motivi për të cilin në sportet ku shpejtësia e përgjigjes ndaj një stimuli thelbësor, atletët elitarë më shumë vëmendje i kushtojnë sinjaleve zanore. Në tenisin e tavolinës për shembull, ku është esenciale që të kuptosh efektin që topi ka marrë, mësohet që të dëgjohet zhurma që bën topi i vogël kur goditet nga raketa e kundërshtarit. Një zhurmë e fortë sinjalizon që topi u godit drejt dhe ai do të jetë i shpejtë, e pa asnjë efekt. Kurse zhurma e gomës që gërvishtet, më e ulët, është tipike e një topi i cili do të marrë prerje gjatë trajektores së tij. Nëse për të gjykuar trajektoren, lojtarët do të shikonin harkun e topit në ajër, atëherë ata do të dështonin”. Për këtë arsye mund të thuhet se lojtarët e ping pongut luajnë edhe me veshë.