Piktori i njohur Reshat Ahmeti dhe arkitekti Gajur Kadriu ishin dy nga personalitetet që u vlerësuan me çmimin “Imazhi kombëtar” në Festivalin e 16-të të organizuar nga Forumi Imazh dhe Media në Tiranë. Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Shkencave në Tiranë, u vlerësuan edhe këto personalitete të shquara shqiptare – përkthyesi i njohur Robert Shvarc, gazetarja e TV KLAN-it, Alma Çupi, historiania Eleni Kocaqi, profesori i studimeve albanologjike Ahmet Kelmendi, Ahmet Bektashi si humanist, profesor Migena Arllati dhe fondacioni “Dritat e shkëlzenit”. Aktiviteti ishte i ndarë në tre pjesë. Në seksionin shkencor kushtuar marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët referuan disa prej pedagogëve dhe akademikëve të trevave mbarëshqiptare. Doc.dr.Astrit Memia, që është njëkohësisht edhe Kryetari i Forumit Imazh dhe Media, foli për raportet historike të Shqipërisë me fqinjët. Ndërsa profesori nga Universiteti i Tetovës Milaim Fetai trajtoi marrëdhëniet shqiptare-maqedonase në disa nga rrafshet e tyre. Sazan Guri trajtoi të drejtën e detit, derisa profesoresha Eleni Kocaqi foli për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ky forum organizon ndarjen e çmimeve për personalitete të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat shqiptare.