Një statistikë shqetësuese që u përmend për 1 maj, ishte se pas komunitetit rom, vinin punëtorët e komunitetit shqiptar që punonin më shumë se 8 orë në ditë, dhe për të cilët orë të tepërta pune nuk paguheshin. Por për këtë shqetësim nuk dëgjuam partitë të flasin. Të mbetur pak edhe në memorien e kaluar, kur 1 maji keqpërdorej për propagandën moniste, partitë tona shprehin dhe “frikë” të përmendin këtë datë sepse nuk duan të lidhen me komunizmin. Por kjo është qesharake
Nga Nazim RASHIDI
Lexova diku një status në Facebook që thoshte: “Sot është 1 maji, por pse festojnë shqiptarët?” Do të më falë autori se nuk ia mbaj mend emrin, por statusi, që sa do që të vë buzën në gaz, të bën edhe për të menduar. Shqiptarët në fakt, apo dhe krejt të tjerët nuk e di a kanë arsye për ta festuar këtë datë. Data s’ka të bëjë fare me festë, por ajo duhet shënuar dhe duhet lidhur me mirëqenien dhe zhvillimin dhe sidomos me dinjitetin e të gjithë punëtorëve.
Ah, po punëtorët, po ku janë dhe kush janë ata? Pikërisht për këtë statusi në facebook bënte ironi. Ose edhe përtej mund të jesh në punë dhe të mos bësh gjë, dhe pastaj si pa punë e përtac (që jemi) pse do festojmë apo dhe shënojmë këtë ditë?
Por përtej shakasë dhe ironisë, çështja më serioze është se si shoqëria jonë e kohës që ne jetojmë e sheh punën e punësimin?
Njerëzit përgjithësisht ankohen për papunësi. Shumë oferta pune nuk ka. Pagesat janë të ulëta dhe si rrjedhojë synohet Perëndimi. Por kush duhet ta zgjidhë këtë situatë? Partitë, do të thoshin një shumicë e madhe. Duket qartë ndërkohë se partitë politike, sidomos ato shqiptare, këto probleme dhe sidomos këtë ditë e heshtën plotësisht. Ndonëse janë të perceptuara plotësisht si byro punësimi, në këtë ditë nuk folën. Nuk e shfrytëzuan që të flasin për hallet e njerëzve, apo të bëjnë premtimet e radhës. Por normal, s’ka zgjedhje. Aq më shumë nuk folën për esencën e kësaj dite që do ishin pagat, rritja e tyre, kushtet e punës, oraret e punëtorëve, për ekonominë informale, nga e cila vuajnë të punësuarit por dhe gjithë shteti.
Ah shteti, i cili me raste duket dhe lihet i largët kur ka probleme dhe kur duhet të gjejë zgjidhje. Qasja ndaj ndërtimit të shtetit shfaqet konfuze. Edhe pse gjithë kërkojnë zgjidhje nga shteti brenda së cilit është partia, kur ka vështirësi, asnjë nuk flet se ndërtimi i tij do të thotë të ketë rregulla strikte, të cilat e sjellin rregullin dhe mirëqenien.
Një statistikë shqetësuese që u përmend për 1 maj, ishte se pas komunitetit rom, vinin punëtorët e komunitetit shqiptar që punonin më shumë se 8 orë në ditë, dhe për të cilët orë të tepërta pune nuk paguheshin.
Por për këtë shqetësim nuk dëgjuam partitë të flasin. Të mbetur pak edhe në memorien e kaluar, kur 1 maji keqpërdorej për propagandën moniste, partitë tona shprehin dhe “frikë” të përmendin këtë datë sepse nuk duan të lidhen me komunizmin. Por kjo është qesharake. Stërkëmbëzat politike që shpesh vihen me epitete të së kaluarës, nuk duhet të ngatërrojnë të drejtat e pjesës më nevojtare të shoqërisë.
Madje habitesh si subjekte të cilat pretendojnë se vinë nga rrënjët e popullit nuk përdorin datat e caktuara për dërgimin e mesazheve dhe më shumë për shpalosjen e ideve që kanë. Sigurisht kjo ka të bëjë plotësisht me mungesën e politikave brenda strukturave të tyre politike dhe më shumë ende ka të bëjë me falsitetin me të cilin shfaqen, ku qëllimi kryesor është pushteti që do zgjidhë hallet e atyre që janë pjesë e tij. Jo rastësisht në mënyrë patologjike (duke pasur dhe përjashtime rrethanore) të gjithë partitë duan të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar. Ky fenomen kërkon një vështrim edhe më të gjatë, por në kontekst të 1 majit, në vend që të përdorej për kritika dhe analiza, të gjithë heshtin duke tradhtuar rëndë gjithë atë shtresë që kërkon shpresë për daljen nga varfëria.
Çfarë jo slogane dëgjuam e pamë në kohë fushatash kurse tani kemi heshtje të plotë dhe asnjë kritikë se si mund të krijohet një jetë më e mirë.
Por strukturat politike duket se e kanë vështirë të flasin për hapje vende pune si prioritet, për mbrojtjen e vendeve të punës, për mbrojtjen e punëtorëve, për krijimin e kushteve për jetë me dinjitet të tyre e cila arrihet me rroga më të larta. Ajo çka dinë të ofrojnë është administrata, punësime në shtet, por pa ide as si ta ndërtojnë e as si ta ushtrojnë autoritetin e shtetit për të mirën e përgjithshme.
Ndërsa kur përmendim administratën… ahhh një tjetër “plagë” e shtetit por dhe e të drejtave të punonjësve të saj. Mospasja e ideve ka krijuar një brez të tërë njerëzish që “shpëtimin” nga papunësia e shikon duke u punësuar në administratë. Sidomos model të këtij trendi, janë ata që rrinë në shtëpi e marrin para. Janë dhe të tjerët që shkojnë në punë, nuk bëjnë gjë, por marrin rrogat dhe duke i mbrojtur ligji nuk i largon askush nga puna. Të kapur mes çështjeve si “politizimi i administratës” dhe “depolitizimi i administratës” subjektet politike bëjnë sikur nuk guxojnë të merren me përmirësimin e saj. Por për 1 maj nuk dëgjuam as si të profesionalizohet ajo, por dhe as si do të ndëshkohen ata që s’bëjnë punën. 1 maji mbron punëtorin, jo abuzuesin. Duhet mbrojtur ai që bën punën e të gjithë atyre që rrinë dhe kjo duhet thënë hapur e pa frikë. Por partitë duke heshtur japin kështu indirekt mesazhin se të vetmen gjë që do të ofrojnë është administrata.
Dhe e gjitha lidhet me mungesën e politikave. Nuk kemi dëgjuar qoftë dhe për 1 maj, ku në fokus është puna, një analizë të tregut të punës.
Për çfarë ka nevojë tregu ynë? Cilat profesione janë më të kërkuarat? Për mos të kërkuar analiza të tipit se sa do të ishte optimale të krijoheshin kuadro për çdo profesion. Atë që e bën më së mirë kjo klasë politike është krijimi i kushteve fantastike për largimin e punëtorit dhe sidomos të trurit të tregut të punës.
Vazhdimisht dëgjojmë se sa ikin, se sa duan të ikin dhe asgjë se çfarë bëhet për të mbajtur dhe tërhequr gjithë atë mendje aq të nevojshme për zhvillim.
Pra për 1 maj jo shumë shpresë për punëtorin. As protestat ndërkohë nuk arritën të krijojnë impaktin e tyre. Pesë organizatorë, për një kauzë, jo vetëm që zbehën situatën, por të gjithë ranë pre e mendësisë, se të qenurit bashkë mund të sjellë percepsion të gabuar, ngjyrosje politike, apo keqkuptime, ndërkohë që kërkesat dhe problemet janë të përbashkëta. Ose s’ka punë, ose kur ka paguhet pak, edhe për ato pak para punohet shumë, shteti dhe autoritetet nuk marrin masat, dhe të gjithë në këtë mizerabilitet e kanë me lehtë të ndahen se sa të jenë bashkë.
Numri i pjesëmarrësve shqiptarë në të tilla protesta me karakter social është i vogël dhe përveç skepticizmit se duke qenë në rrugë mund të ndryshosh diçka, edhe ata kanë rënë pre e gjithë perceptimit që ushqehet nga klasa politike, se për çdo punësim sidomos në administratë, rruga kalon nga partia. Me këtë gjendje, 1 maji kalon, festohet apo shënohet (si të doni) me piknik, festojnë ata që kanë më pak arsye të festojnë dhe heshtin gjithë ata tjerët që duhet të përveshin mëngët e të punojnë për mirëqenien e të gjithëve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)