Çështja se a ka strategji të përbashkët ndaj kontestit, u hap që vitin e kaluar, menjëherë pas intervistës kontroverse të kryeministrit Zoran Zaev dhënë për agjencinë bullgare BGNES. Në të, kryeministri i vendit në pyetjen e gazetarit lidhur me deklaratën e presidentit Pendarovski se politika bullgare ende nuk ka dalë nga matrica e Todor Zhivkovkit, Zaevi u përgjigj se presidenti nuk është aq politikan me eksperiencë si ai
Xhenur ISENI
Shkup, 7 maj – Derisa vendi edhe më tej është në pritje të integrimit të saj në Bashkimin Evropian për shkak të bllokadës së Bullgarisë, parashtrohet pyetja se sa janë të koordinuar krerët qeveritar dhe cila është strategjia në paraqitjet e tyre. Dilema u hap pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Nikolla Dimitrov, i cili u ankua nga sjellja e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë vizitave të tij në vendet e huaja, por edhe pas një viti pasivitet në raport të zgjidhjes së kontestit me Sofjen, ai tha se absolutisht do të jetë pjesë e çfarëdolloj bisedimeve në të ardhmen. Kjo hap dhe çështjen nëse shteti po e ndryshon strategjinë në bisedimet me Bullgarinë, dhe nëse është ashtu, pse vjen një ndryshim i tillë? Deri më tani me vendin fqinj biseduam në nivel të ekipeve të ministrive të punëve të jashtme. Linjën tjetër të bisedimeve me përfaqësues të ndryshëm të skenës politike bullgare, po e udhëheqë ish-kryeministri Vllado Buçkovski si përfaqësues special i Qeverisë.
“Ekzistojnë kompetenca të qarta ligjore për krijimin, miratimin dhe udhëheqjen e politikës së jashtme të vendit. Dhe në suaza të atyre kompetencave, vazhdojmë me përpjekjet për arritjen e qëllimeve të jashtme politike”, thotë Osmani. Në të kaluarën, disa herë edhe presidenti Stevo Pendarovski ka pasur një ton më ndryshe nga ai që e promovon Qeveria e Shkupit drejt Sofjes zyrtare. Çështja se a ka strategji të përbashkët ndaj kontestit u hap që vitin e kaluar, menjëherë pas intervistës kontroverse të kryeministrit Zoran Zaev dhënë për agjencinë bullgare BGNES. Në të, kryeministri i vendit në pyetjen e gazetarit lidhur me deklaratën e presidentit Pendarovski se politika bullgare ende nuk ka dalë nga matrica e Todor Zhivkovkit, Zaevi u përgjigj se presidenti nuk është aq politikan me eksperiencë si ai.
Pastaj gjatë periudhës parazgjedhore te fqinji lindor, deklaratat e ministrit të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, të cilat në një pjesë të opinionit u interpretuan si provokative, përfaqësuesit qeveritar nuk kanë reaguar ndaj të njëjtave, sepse sipas tyre, deklaratat e tilla janë luftë për vota. Për dallim nga qeveria, kabineti i presidentit gati se çdoherë ka reaguar se po shkelet marrëveshja për fqinjësi të mirë. Pendarovski hapur kundërshtoi edhe deklaratën e Ministrit Bujar Osmani lidhur me regjistrimin, duke potencuar se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese që të vendosen bullgarët në preambulë, diçka që shefi i diplomacisë e paralajmëroi si opsion. Se koordinimi nuk ka qenë në nivel edhe në vet qeverinë gjatë paraqitjeve për politikat e jashtme, u hap si çështje pas vërejtjeve të zëvendëskryeministrit Dimitrov se jo çdoherë ka marrë mbështetje nga Ministria e Punëve të Jashtme duke potencuar se ambasadat nuk janë “as të Nikollës, as të Bujar Osmanit, por janë përfaqësi të shtetit”.
Ish diplomati, Muhamed Halili nuk mendon se ka pasur moskoordinim në paraqitjet e krerëve shtetërorë ndaj kontestit me Sofjen, por sipas tij ka pasur vetëm pikëpamje të ndryshme ndaj të njëjtit problem. “Unë nuk do të kisha thënë moskoordinim, por kisha thënë pikëpamje të ndryshme rreth të njëjtit problem. Osmani është një diplomat i realtë, i cili i shikon çështjet me sy të realtë dhe jo me optimizëm të tepruar, që është një karakteristik e Zaevit dhe Dimitrovit. Ky është në të drejtë, pasi që nuk ka marrë pjesë në ato marrëveshjet politike që Zaev e Dimitrov i ka bërë dhe për cilat lëvdoheshin se i kanë ndryshuar në të mirë marrëdhëniet ndërfqinjësore. Osmani flet gjërat me realitet, të tjerat i flasin gjërat me fantazi dhe me një dëshirë për ti dhënë kurajo qytetarëve që gjërat nuk janë aq serioze siç shihen dhe duken në realitet, këtu është dallimi”, ka deklaruar për KOHA, Muhamed Halili, ish-diplomat dhe njëherësh kryetar i Këshillit të Ambasadorëve.
Nga ana tjetër, qëndrime të njëjta gjatë paraqitjeve të krerëve shtetërorë ka pasur vetëm për gjuhën maqedonase dhe kombin. Kryeministri Zoran Zaev dje potencoi se nuk dëshiron të hy në BE me çmimin e identitetit dhe gjuhës maqedonase, Osmani vazhdimisht vërteton se për gjuhën dhe identitetin maqedonas nuk negociohet, Dimitrov thotë se asnjëherë nuk do të lejon vendosjen e kushteve antievropiane që rrezikojnë identitetin maqedonas, ndërsa edhe presidenti thotë se për gjuhën nuk ka se çfarë të bisedohet dhe negociohet. (koha.mk)