Pikëbardha vjen si vazhduese e tërë atyre pikave që na bëjnë të mendojmë e që janë shumë në numër, si: pikëpyetja, pikëçuditësja, pikëprerja, pikëpjekja, pikëpamja, pikësynimi…, të cilat jo rrallë nuk janë vetëm kompozita të rëndomta, por metafora të mëdha ndjenjash e frikërash njerëzore. E tillë është edhe Pikëbardha, e cila, me mënyrën e thjeshtë të të thënit të gjërave, me gjuhën e drejtpërdrejtë, me figurat e natyrshme, u jep një emër konkret ndjenjave…
Nga Vjollcë BERISHA
Gjithmonë jam ndjerë ngushtë kur më është dashur të jap një mendim lidhur me krijimtarinë e shkrimtarëve të rinj, jo për shkak të mungesës së entuziazmit se ata po shtohen, por për shkak të frikës reale të dozimit të fjalëve nxitëse e dëshirore. Kur them nxitëse, kam parasysh ato mendime që mund t’i japin hov e vetësiguri akëcilit shkrimtar, duke ia përkëdhelur sedrën e duke e frymëzuar edhe më që ta shohë veten në radhën e shkrimtarëve të shquar. Ndërkaq fjalët a fjalitë dëshirore kanë të bëjnë me ato gjëra që do të dëshiroja t’i shihja ndryshe e më mirë te shkrimtari që ma ka paraqitur me zell dorëshkrimin. Kjo baraspeshë mes këtyre të dyjave është ai dozimi që ia kam frikën dhe e ndjej si barrë tek shkruaj një tekst për një autor të ri, edhe në rastet kur më pëlqen shkrimi, po edhe në rastet kur mendoj se ka tepri të disa gjërave në dëm të mendimit, të ndjenjës, apo, ç‘është më e rëndësishmja, të estetikës.
Dozimi është kaq brrejtës dhe bart kaq shumë përgjegjësi sa mund të ta shpjerë në theqafje gjumin për disa net rresht. Kurrë s‘i kam kuptuar as ata kritikë që e fryjnë si tullumbace mjeshtërinë e një autori, e as ata që i bien shkurt e me negativitet, duke ia prerë flatrat që në fillim, apo, siç do të thoshte poeti Esad Mekuli, si ato mrazet e pranverës, duke ua mbytë filizat mu në farë.
Dozimii këtyre dyjave ka të bëjë me baraspeshën dhe përgjegjësinë e fjalës. Një lëvdatë e tepërt, një mëtim për ta vendosur poetin e ri në maje të larta me “teleportim”, është më shpesh një dëm, është mundësia për t’ia mbushur mendjen se ka një talent të rrallë, duke ia ndërprerë rrugën e kërkimit, e madje, edhe më skandalozja, edhe atë të leximit, aq sa e shndërron poetin në një kërkues botuesi a shtypshkronje dhe e vë në gjurmim të një njeriu tjetër që do ta fryjë atë flluskën e sapunit që e duan fort fëmijët, që e quajnë bubbles, që bëhet me ngjyra të rreme nga përthyerjet e dritës, e që fluturon larg, ku zhduket përfare, duke ia lënë fëmijës iluzionin gjysmë të besueshëm se u ngjit në qiell, ku syri i tij s’e gjen më…
Po edhe heqja e një vije të rreptë a e një iksi barbar mbi krijimtarinë e tij është diçka e vrazhdë, e pamenduar mirë, diçka që s’e lejon t’i rriten flatrat, diçka qëia ndalon fluturimet e nesërme, diçka që u ngrit postblloqe të tmerrshme muzave që e deshën, diçka që ia rrokullis vetëbesimin tatëpjetës së ëndrrës.
Pra, të dyja janë të rrezikshme dhe të dyja e zhdukin një krijues, andaj dozimi ështëi domosdoshëm në rastin e krijuesve ende të paafirmuar. Kjo ndjenjë përgjegjësie më ndalon të shkruaj për librat e rinjtë botuar apo për ata që presin në dorëshkrim, edhe sot kur e ndjej, si asnjëherë më parë, mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare. Mungesën e një kritike që në mënyrë korrekte, të drejtpërdrejtë, do të fliste për librat që duhen lexuar, do të trasonte rrugë të sigurta për krijuesit e rinj dhe jo vetëm për ata; një kritikë që do ta orientonte mendimin e lexuesit joprefesionist, do t’i hapte horizontin një lexuesi të profesionalizuar për të bërë një studim për një vepër të caktuar, do t’i nxirrte nga anonimati disa yjësi letrare që janë humbur në grumbullin me zhurmues të atyre që kanë botuar një deng librash sa për t’i marrë në qafë drurët që e bënë letrën…
Kaq shumë gjëra do të ndryshonte kultivimi i një kritike të mirëfilltë letrare, i një kritike me baraspeshë, i një kritike të bërë jo nga mjeshtër çollakë, por nga ata të zanatit, nga ata që dozimin e njohin dhe e përfillin këmbëngulshëm, nga ata që s’i ze gjumi natës për një fjalë të thënë…A s’duket pak e shëmtuar të kesh frikë të shkruash e të japësh mendim për një vepër kur e di mirë se ç’hon të madh le në artet bashkëkohore (në të gjitha pa përjashtim)mosekzistimi ikritikës?! Sigurisht që po. Por ajo ndjenja e frikës nga dozimii saktë mbase ma jep një arsye…
Po këtë ndjenjë përgjegjësie e pata kur nisa ta lexoja tekstin në dorëshkrim të Sefer Selimit, ku lehtësisht shquhet kultura e tij e leximit dhe talenti që e mbështjell. Pikëbardha, si te prozat poetike, ashtu edhe te vjershat, ta vizaton vetë trajektoren e lëvizjes si lexues. Të bën t’i biesh rreth e qark pikës së bardhë që shquhet midis grisë dhe të zezës në jetën e subjektit lirik. Autori që në titull zbulon pikën e rëndesës, strumbullarin e tërë krijimeve të librit, të vetëdijëson për ekzistimin e një pike të bardhë që shquhet në mesin e të errtës, një pike që e zbardh përjetimin, që është kuptimi vetë, një pikë qëi ngjet diellit e që do t’i rrotullojë rreth vetes të gjitha krijimet e këtij libri, të gjitha prozat e poezitë që i këndojnë dashurisë – dashurisë në vetën e parë, dashurisë që kurrë s’di të jetë e shkuar përderisa këndohet, dashurisë së ndërprerë – ndjenjës së veçantë që e ka prodhuar edhe këtë libër poetik të Seferit e që e shijojmë si tonën të gjithë që e marrim në dorë, për shkak të mënyrës së thjeshtë e të drejtpërdrejtë të të thënit të gjërave, për shkak të sinqeritetit, të mosrendjes dhunshëm pas figurës, pas eksperimentit me vargun, por gjithnjë duke e ruajtur linearitetin, natyrshmërinë dhe krejt atë që e bën të vështirë krijimin e vargjeve të lehta.
Pikëbardhaështë një përngjitje fjalësh që t’i kujton përrallat e mëdha, personazhet që kanë arritur të vizatojnë në kokat tona imazhin e vet vetëm për shkak të emrit të përngjitur, pa shumë cilësime e përshkrime, siç është për shembull Kësulëkuqja e dashur, Borëbardha e mirë, Mjekërkaltërti, Këmbëshpejti e një sërë personazhesh, të cilat me një fjalë të vetme, si në një sprovë vizatimi me një vijë të vetme të pashkëputur, kanë zënë vend në imagjinatën tonë që në vegjëli. Te poezia e Seferit, Pikëbardha nuk është vetëm një emër i përngjitur, një cilësor, ajo është kompozitë-figurë, është një ndalesë, një e bardhë në telajon zezë ku pikturohet dashuria, ndoshta një pikë në fund të një fjalie, të një rrëfimi, të një historie… ndoshta pika borhesiane nga duket gjithçka, ndoshta pika më e largët e erosit, ndoshta të gjitha së bashku, ndoshta asnjëra… E ndoshta vetëm ajo vajza që ka marrë mbi vete tërë dashurinë e subjektit lirik dhe ia ka mbathur, duke e lënë një vend të zbrazët përgjithmonë, një vend që i ngjet një pike të bardhë.
I gjithë libri përshkohet nga një ndjenjë dhimbjeje, nga ajo qëe japin mbarimet e dashurive, por askund s’të zë syri qaramani, dëshpërim, vuajtje… Subjekti lirik i kësaj poezie duket sikur është në përpjekje të njohjes së të gjitha ndjenjave, qofshin edhe ato që i jep ndarja, ndërprerja e dhunshme e një ëndrre, dëshira për t’u rikthyer, përjetimi i përsëritur përmes kujtimeve e të ngjashme. Askund nuk lexohet ndjesia e humbjes së një gjëje të shenjtë, përkundrazi:i këndohet njeriut të dashur me kënaqësinë që sjellin gjërat e bukura kur përjetohen, pa frikën e humbjes. Ti, fitorja ime e Pirros, thërret madje subjekti lirik, pa përllogaritur numrin e fitoreve kundruall humbjeve që i sjell ajo.
Libri i ngjet një kënge të vetme, një letre të gjatë, shkruar kryesisht në vetën e dytë(siç shkruhen rëndom letrat), ku i këndohet dashurisë, ndarjes, honit që ka lënë pas, ditëve të shkuara, përmes të cilave lexuesit i jepen disa detaje nga përjetimet e perënduara dhe në këtë mënyrë sheshohen malet e dëshpërimit për ta shpërfaqur para syve receptues tërë gjeografinë e një dashurie të tashme, të përhershme.
Nuk është vetëm erosi ai që e bën secilin ta ndjejë se kjo që po shkruhet është historia e vet, por edhe stili i thjeshtë, pa ojna, i autorit e bën librin të komunikojë lehtësisht me lexuesin e vet.
Pikëbardha vjen si vazhduese e tërë atyre pikave që na bëjnë të mendojmë e që janë shumë në numër, si: pikëpyetja, pikëçuditësja, pikëprerja, pikëpjekja, pikëpamja, pikësynimi…, të cilat jo rrallë nuk janë vetëm kompozita të rëndomta, por metafora të mëdha ndjenjash e frikërash njerëzore. E tillë është edhe Pikëbardha, e cila, me mënyrën e thjeshtë të të thënit të gjërave, me gjuhën e drejtpërdrejtë, me figurat e natyrshme, u jep një emër konkret ndjenjave dhe e josh lexuesin t’i afrohet ngadalë, me lapsin e gdhendur për të shënuar ndonjë varg që i le përshtypje të veçantë a një tepri poetike që i shkon në dëm estetikës së librit, sa për ta mbajtur në baraspeshë reale dozimin e nxitjes dhe dëshirës ndaj shkrimtarit të ri që po depërton në pyllin joshës të shkrimtarisë me fanarine dorës dhe përjetimet e veta, si mjete të vetme që do t’i hyjnë në punë midis bukurisë së pyllit dhe kërcënimit të egërsirave. (koha.mk)