Nga prof. Xheladin MURATI
Problemet arsimore afatgjata, përmbajtjet e shkatërruara dhe një rrugë e gjatë përpara drejt ngritjes dhe qëndrueshmërisë arsimore është perspektiva e arsimit. Kjo është gjendja e arsimit sot. Gjendja arsimore nuk është në një gjendje katastrofe. Të jetuarit në një botë të globalizuar dhe që jeta ecën me shumë shpejtësi, arsimi kërkon të shikohet dhe rishikohet në dinamikën e tij. Për këtë qëllim duhet të identifikohen gabimet që mund të parandalohen sepse dështimet në arsim vështirë rregullohen mandej. Arsimi ka nevojë për mjete financiare, për alternative të përshtatshme dhe për resurse njerëzore. Këto tre elemente bëjnë bazën për të ndryshuar situatat, qofshin ato të krizave, por mos lejohen dështimet. Është e rëndësishme ato që merren me dizajnimin e arsimit të kenë njohuri mbi proceset arsimore, filozofinë e arsimit dhe të rejat e fundit mbi teknologjinë mësimore. Kjo u jep mundësi për ide kreative.
PREMISAT
- Nuk duhet lejuar që episodet të vendosin fatin e arsimit.
- Idetë në arsim duhet t’i hedh ai që di të qëndrojë në fushën arsimore dhe të menaxhojë me të.
- Nëse nuk ke besim tek ajo që ndërmerr edhe e ardhmja e arsimit do të jetë e trazuar.
- Arsimi i mbështetur në ndryshime është themeli i suksesit.
QASJET DHE ASPEKTET
Arsimi është një fushë e pafund ku mësuesit dalëngadalë u mësuan të venë re fenomenet arsimore e t’i pasqyrojnë ato në format më të përsosura. Perceptimi dhe njohja e tyre iniciojnë dy gjëra: procesin e veprimtarisë praktike dhe njohëse e shfrytëzojnë për të sajuar e për të krijuar vlera të reja arsimore. Me këtë ata e zgjerojnë sferën e shtrirjes së risive në arsim, ngritjen e nivelit arsimor dhe qëndrueshmërinë arsimore. Prandaj pedagogjia si shkencë mbi ligjet e përgjithshme të edukatës e të arsimit, nuk mund të mos interesohet edhe për ndryshimet dhe reformat arsimore të cilat duhet të sjellin koncepte të reja, struktura bashkëkohore mësimore, strategji dhe teknika të reja mësimore. Pikat mbështetëse për ndryshime cilësore në arsim janë:
- Fokusi pedagogjik i arsimit. Pedagogjinë e interesojnë probleme të përgjithshme të edukatës dhe të arsimit si: ç’është edukata dhe arsimi në përgjithësi, funksionet dhe destinacionet e edukatës dhe të arsimit, thelbi dhe karakteristikat më të rëndësishme të edukatës e të arsimit, vendi i edukatës dhe arsimit në jetën shoqërore, faktorët më të përgjithshëm që përcaktojnë zhvillimin e edukatës e të arsimit në çdo kohë e në çdo vend, roli i edukatës e arsimit në jetën e shoqërisë, sidomos në ndërtimin e marrëdhënieve funksionale demokratike. Në këtë mënyrë pedagogjia është bartëse për ngritjen e arsimit duke bërë ndryshimet e duhura dhe reformat e tij.
Duke e përqendruar vëmendjen në specifikën e çdo lloj arsimi (fillor, të mesëm, të lartë, special, të përgjithshëm, profesional etj.), ajo arsimin e shikon si një të tërë. Dhe pikërisht anët e përbashkëta të llojeve e të niveleve të ndryshme të arsimit, pra, ligjet e përgjithshme të arsimit studiohen nga pedagogjia. Në këtë proces kompleks të ndryshimeve arsimore pedagogjia përballet me probleme të natyrave të ndryshme si me dështime, me paqëndrueshmëri arsimore, me vlera dhe sjellje të ndryshme. Në fushën e arsimit mund të vërehen tri dështime pedagogjike. Së pari, njerëzit dhe udhëheqësit e arsimit shkelin ekosistemet pedagogjike dhe krijojnë botën e egër. Së dyti, monitorimi dhe reagimi i papërshtatshëm lokal dhe kombëtar për rruajtjen e vlerave të mirëfillta. Së treti, gjendja pandemike virusale e vërtetoi dështimin në fushën e arsimit.
- Ngritje më e shpejt e arsimit siguron qëndrueshmërinë. Arsimi duhet të përmirësohet gjithnjë, të krijoj qëndrueshmëri përballë problemeve. Prandaj arsimi ka nevojë për një vendimmarrje më të mirë për përballimin e vështirësive. Të gjitha ndërmarrjet në arsim duhet të nisen nga arsyeja produktive, për të risjellë vlera të reja dhe për të penguar dështimet e mundshme. Në këtë kontekst është mirë një mbështetje dhe zbatim i mbikëqyrjes ndërkombëtare të proceseve arsimore për të mundësuar një funksionim më të mirë të sistemit.
- Sjellja dhe vlerat. Ngitja e arsimit nënkupton përpjekjen për të përmirësuar sjelljen dhe vlerat e njeriut, të nxënësit, të qytetarit. Kontribut për këtë japin edhe organizatat jofitimprurëse OJQ. Ngritja e arsimit përfshinë kërkime shkencore për rritjen dhe sigurimin e vlerave, ndërsa ndërveprimi institucional kontribuon në dy drejtime: njohuritë të evoluojnë për të orientuar vlerat dhe e dyta, të ndryshoj sjellja e njerëzve. Këto elemente, pra sjellja dhe vlerat, të marra së bashku, përbëjnë disa caqe, brenda të cilave mund të krijohen ide, koncepte dhe vlera të mirëfillta arsimore, alternative dhe qasje bashkëkohore në ndryshimet që projektohen në sistemin arsimor.
- Burimet dhe pushteti. Qëndrueshmëria arsimore dhe cilësia e tij varet gjithmonë nga burime të mëdha njerëzore dhe pushtet që ka fuqi vendosjeje, që dinë të menaxhojnë, drejtojnë dhe udhëheqin me proceset. Thjesht qëndrueshmëri do të thotë që mos i lësh njerëzit, nxënësit pas. Pushteti ka për detyrë të transformon, të rrit dhe të përsos arsimin në thellësitë e tij, kurse burimet njerëzore me forcën e tyre profesionale të kontribuojnë duke e vënë nxënësin në qendër të vëmendjes. Ndryshimet në arsim kërkojnë një ekip të shkëlqyer ekspertësh, një tryezë të pasur me ide dhe debate dhe një staf të aftë.
- Përfshirja e të gjithëve për të avancuar arsimin. Në fazën aktuale të arsimit duhet shtjelluar shumë nga tezat pedagogjike dhe politike, duke identifikuar çështjet thelbësore të avancimit të tij në kushte heteronome. Mendoj se për të avancuar arsimin duhet identifikuar boshllëqet që atij i ndihmojnë. Në këtë kontekst, do përmendi: mjetet e nevojshme financiare dhe pedagogjike, koha, njohuritë, aftësitë teknike dhe ndryshimi i sjelljes.
- Qëndrueshmëria dhe parandalimi i dështimeve. Bashkëpunimi në parandalimin e dështimeve dhe krijimin e klimës pozitive për ndryshime është një faktor shumë i rëndësishëm. Në këtë mënyrë ndërtohet qëndrueshmëria arsimore. Me qëndrueshmëri nënkuptojmë përpjekjet e vazhdueshme për të siguruar arsim produktiv e cilësor dhe për të parandaluar dështimet e mundshme që janë pjesë përcjellse e së ardhmes arsimore. Këtu vlen të përmendi se duhet zbatuar etika e përgjegjësisë Qasja me përgjegjësi ndaj proceseve arsimore (reformave, ndryshimeve, hartimin e alternativave programore, konceptet e planifikimit, ndryshimet kurrikulare e të ngjashme) ndihmojnë në vendosjen e konceptit për modernizim të arsimit dhe parandalimin e dështimeve.
- Çfarë ndodh në të vërtetë? Arsimi po ecën përpara. Sigurisht që ka akoma mangësi që lidhen me organizimin, cilësinë dhe efikasitetin. Por pikërisht këto mangësi janë edhe një nga arsyet për ndryshime dhe reformim. Këtu është problemi të motivohen mësuesit në aspektin psikologjik dhe material. Ndryshime cilësore do të thotë mundësi për një eksplorim efikas duke ecur sigurt në transformimin e arsimit. Ndryshimet në arsim të përqendrohen në dimensionet e saj më themelor, në ato që e përcaktojnë fizionominë e shkollës, të kurrikulave, të teknologjisë mësimore, të bashkëkohësimit të mësimdhënies.
- Marrëveshje për ndryshime. Çfarë ndodh me grupin e prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë” që reflektojnë kundër digjitalizimit të librit shkollor? Një rrënjë e problemit është marrëdhënia e tensionuar e Ministrisë me grupin e prindërve. Është për të ardhur keq që mosmarrëveshja ekziston. Unë preferoj të mendoj se kjo është një arsye e kokëfortësisë për të biseduar dhe për të vepruar bashkërisht. Duket se Qeveria tregoi mirëkuptim dhe me 30 qershor 2021 e tërhoqi nga Parlamenti Propozim-ligjin për libra shkollor dhe materiale të tjera mësimore dhe didaktike për arsimin fillor dhe të mesëm. Me këtë bie poshtë edhe kërkesa për referendum i inicuar ngagrupi i prindërve “Libra dhe mësim patjetër të ketë.”Qeveria e RMV-së e tërhoqi nga procedura parlamentare Propozim ligin për libra shkollor dhe materiale të tjera didaktike në arsimin fillor dhe të mesëm, që do të thotë se nuk do të ketë libra digjital. Por siç duket se kjo ka ndodhur me qëllim që të debatohet rreth këtyre çështjeve dhe grupi i prindërve që iniciojnë referendumin kundër librit digjital të shqyrtojnë arsyen dhe nevojën e të heqin dorë nga referendumi. Këtë bindshëm e thekson zv/ministri i Arsimit se pavarësisht se ligji është tërhequr, libra digjital për klasë të I dhe të IV do të ketë mbase kjo nuk varet nga ligji (shiko Koha, 2 korrik 2021, f. 5 Tymnajë mbi digjitalizimin e librave). Është sukses dhe mençuri nëse nuk është zhgënjim.
- Lëvizja, vetëlëvizja dhe ndryshimet. Çdo gjë që ndryshon e përshpejtohet në arsim që nga normat pedagogjike e deri te veprimtaria praktike rriten edhe tensionet sociale. Digjitalizimi i librit shkollor ka marrë deri diku qendrën e vëmendjes jo thjesht se është prek aspekti themelor prej ku nxënësit mësojnë, por sepse sfida do të zhvillohet në shkollë, aty ku sipas rregullave didaktike nxënësit dhe mësuesit nuk do të kenë mundësinë të lëvizin lirshëm nëpër faqet e librit fizik. Ndryshimet duhet të jenë si një rregullator për vetëlëvizje dhe vetërregullim të çështjeve sistematike mësimore. Me siguri që çdo pikë e ka rëndësinë e vet. Fillimet janë të rëndësishme për formësimin përmbajtësor të arsimit, gjatë kalimit të kohës e kuptojmë edhe më shumë rëndësinë dhe përgjegjësinë për ndryshime në arsim.
PËRFUNDIM
Nga sa shtruam më lartë mund të përfundoj me sa vijon:
- Projektuesit e arsimit më mire të reflektojnë me kujdes para se të hedhin hapat reformuese në mënyrë që të mos pendohen nesër. Ndryshimi i gjendjes faktike, asaj të arsimit tonë të përditshëm, kërkon angazhim të pakontestueshëm edhe të vet ne si qytetarë.
- Bashkëpunimi, toleranca dhe korrektësia duhet të mbizotërojnë gjatë proceseve dhe projekteve për ndryshimet në arsim. Në arsim përfundimisht do të gjej vend natyrshëm toleranca ndaj mendimit e sjelljes ndryshe.
- Një ndër objektivat themelore të arsimit për të ardhmen është afirmimi i proceseve demokratike dhe ndërtimin e një shoqërie të demokratizuar.
- Gjëja më e rëndësishme do të jetë të qëndrojmë edhe më konsekuent e të qëndrueshëm për atë që e pret arsimin në të ardhmen. Ndryshimet në arsim mbeten një sfidë për të gjithë ne.