Ç’ndodhi me luftëtaren më të njohur për të drejtat e njeriut, Najçevskën, që shumëkush e shikonte si një Vesna Peshiq ose Natasha Kandiq në version maqedonas?… Në një ditë tragjike, si e mërkura e zezë(13 shkurt 2019), zonja e dytë, Vankovska, në vend se të shprehë ngushëllime për viktimat, aludon në Karpallëkun e vitit 2001. Ndalem e mendohem si në poezitë hermetike me shumë simbolizëm për analizuar “ç’ka dashur të thotë autori”?…
Nga Daut DAUTI
Një ditë, para 15-16 vitesh, takoj një koleg nga gazeta “Veçer”(atëherë ende ishim pjesë e NGB “Nova Makedonija”), i cili më tha se ka një selam nga Mirjana Najçevska. Ajo do që të na bashkëngjitesh në Bordin e Komitetit të Helsinkit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, më tha kolegu, i cili shtoi se isha dëshmuar se vendin e kam atje. Nuk u mendova shumë, e ndjeva edhe si nder këtë ofertë.
Për Mirjana Najçevskën kisha mendim të lartë për shkak të angazhimeve të mëhershme, sidomos për përkrahjen arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Është gjë e shëndetshme për një popull, që të dalë nga gjiri i tij dikush dhe me integritetin e vet intelektual të mbrojë një të drejtë për të tjerët, duke shkuar kështu edhe kundër euforive nacionaliste siç kishte ndodhur ato vite. E tillë ishte Najçe-ja, siç e quanin në mënyrë përkëdhelëse. Gjatë viteve sa isha në këtë komitet, te ajo dhe te anëtarët tjerë pashë luftëtarë të pakompromis kundër shkelësve të lirive dhe të drejtave. Publikimi mujor i rasteve për shkeljet, patjetër të shqetësonin pushtetin. Mirëpo, në vitin 2004, Komiteti i Helsinkit mori qëndrim që ta përkrahë referendumin për ndërprerjen e decentralizimit me të cilin komunat fitonin më shumë kompetenca në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Unë isha “kundër”, Najçevska dhe të tjerët “për”. Përderisa kushtetuta e Maqedonisë nuk është votuar në referendum, edhe për këto ndryshime nuk ka nevojë për referendum, ishte qëndrimi im, të cilin isha i detyruar ta deklaroj jo vetëm në procesverbal, por dhe ta publikoj edhe në gazeta. Parimisht mund të kishte të drejtë Komiteti i Helsinkit të mbrojë legalitetin e deklarimit popullor në referendum, por në një shoqëri multietnike, kur njëra bashkësi ia imponon vullnetin e vet tjetrës, s’mund të quhej ndryshe pos majorizim. Majorizim në parlament, majorizim në referendum, nuk do të sillte ndonjë vlerë demokratike.
NAJÇEVSKA DHE VANKOVSKA…
Një ditë, Najçevska, njësoj siç kishte bërë me mua më herët, e kishte ftuar edhe profesoreshën Biljana Vankovska që t’i bashkëngjitet Komitetit të Helsinkit. E prezantoi me fjalët më të bukura profilin intelektual të saj. Mirëpo, pas ndoshta një viti a dy, për shkak të një kolumne, Najçevska i propozoi bordit ta përjashtojmë Vankovskën! Ta përjashtojmë atë që ajo vetë e kishte sjellë. (Sipas Najçevskës, me atë tekst Vankovska e rrënon autoritetin e Komitetit të Helsinkit, edhe pse e kishte shkruar si autore e lirë. Njësoj Najçevska kishte vepruar më herët edhe me një anëtar tjetër, të cilin edhe arriti ta largojë, duke u arsyetuar me shkelje të qëllimeve programore ose të statutit. Në të dy këto raste unë kujtova diferencimet nga vitet 80-të, dhe nuk më dukej në rregull që dikush të përjashtohet për shkak të ideve të veta nga një organizatë për të drejtat e njeriut. Nëse në rastin e përjashtimit të anëtarit tjetër 2-3 veta kishin qenë kundër, te rasti i Vankovskës, Najçevska pothuajse mbeti e vetmuar me bashkëshortin e saj. Shumica e anëtarëve në mendje kishin pikërisht faktin që vetë Najçevska e kishte sjellë Vankovskën, prandaj dhe nuk e përkrahën propozimin e saj për ta përjashtuar. Nuk vonoi shumë dhe Najçevska dha dorëheqje dhe u tërhoq krejtësisht nga Komiteti pikërisht për shkak të këtij rasti.
Por, ja, ironia e fatit, dy zonja që dikur kishin qenë mikesha e pastaj u prishën për shkak të karaktereve të ndryshme(ose dhe të ngjashme!), tash u gjetën sërish në valë të njëjta përmes shfryrjeve të tyre emotive. U bënë të gjalla pas shumë kohësh, ato të cilat ishin zënë dikur për parime, e ne disa të tjerë, po për shkak parimesh, njërën e kishim mbrojtur nga tjetra. Ndaj dhe sot jam shumë i dëshpëruar që dy ish-mbrojtëse për të drejtat e njeriut, kanë rënë kaq poshtë sa të merremi me stilin e tyre ironik.
Befasia më e madhe ishte nga Najçevska, e cila deklaroi se para se të zbatohet ligji për përdorimin e gjuhëve, duhet të kryhet regjistrimi i popullsisë. Mund të supozoj se ka qenë e vrerosur, siç di të jetë me çdo qeveri që nuk e ndjek logjikën e saj. Ka diçka në karakterin e njerëzve që nuk ndryshon, gjithkush ka ndonjë dell të tillë…Por, për inat të qeverisë, t’u mëshojë shqiptarëve, ka logjikë kjo?! Harroi që dikur nuk kishte qenë me rëndësi përqindja kur kishte mbrojtur të drejtën e arsimit të lartë shqip(dhe vetë kishte qenë e kyçur në shndërrimin e Akademisë Pedagogjike në Fakultet Pedagogjik). Ajo që luftonte të ndryshonte ligjet për të gëzuar dikush ndonjë të drejtë, kërkon tash të përligjë një çrregullim shoqëror, siç është migrimi gatise në përmasa të një fatkeqësie elementare, me gjasë duke shpresuar që përqindja e shqiptarëve të ketë rënë nën 20 për qind! Eu, Najçe, Najçe, çfarë degradimi. Ajo që luftonte kundër çfarëdolloj diskriminimi apo kundër stereotipeve etnike e fetare, nuk nguroi të komentojë pak ditë më vonë një foto shqiptarësh nga një katund i Velesit, duke pyetur “ku janë gratë”? Ajo që luftonte kundër stereotipeve, të gjeneralizojë si një e paditur… Ç’ndodh kështu me luftëtaren më të njohur për të drejtat e njeriut, që shumëkush e shikonte si një Vesna Peshiq ose Natasha Kandiq në version maqedonas?
“KARPALLËKU”, MË SHUMË SE NJË KEQKUPTIM
Zonjën e dytë, Biljana Vankovskën, e lexojmë dhe nuk na besohet çka ka shkruar. Në një ditë tragjike, si e mërkura e zezë(13 shkurt 2019) që na kishte tronditur si njerëz e bashkëqytetarë të viktimave, në një ngjarje të kobshme, kur të gjithë njerëzit normalë solidarizohen, ajo na servir diçka që na shtyn ta marrim mëri vetveten që i përkasim të njëjtës racë si ajo, që njerëzinë e kanë strehuar diku në skutat e errëta të vetëdijes. Gjersa ende nuk diheshin rrethanat dhe faktet për tragjedinë e autobusit në autostradën Shkup-Tetovë, as numri i viktimave ose të lënduarve, kur ende vazhdonte aksioni i shpëtimit të të lënduarve, dikush si Ajo, në vend se të shprehë ngushëllime, e ndjen të nevojshme të shkruajë me “spica”: Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk! E lexoj dhe ndalem si në poezitë hermetike me shumë simbolizëm për analizuar dhe të kuptuar “ç’ka dashur të thotë autori”? Një përpjekje e vogël për të frenuar veten e për të mos iu bashkëngjitur turmës kundër saj. Autorja, jo kushdoqoftë, po profesoreshë universitare, e njohur për frymën e saj rebele e luftarake, mund të jetë kreative. Është e dyta femër nga sfera akademike pas Najçevskës, që bën gafë që s’pritej.(Të tretën, që shpiku “teorinë shkencore” të shpërnguljes së të rinjve për shkak të vuajtjeve të dashurisë, nuk po e fus fare në tefter, ndaj dhe s’ia përmend as emrin). Një rrebesh akuzash ndaj saj në rrjetet sociale, aq të rënda sa më vinte vështirë t’i lexoja, nuk më lenin të qetë pa analizuar kontekstin, madje me një përpjekje naive mos vallë zbuloj se e kanë keqkuptuar, se do ta kenë nxjerrë nga konteksti. Publoiku i gjerë e njeh Vankovskën si një luftëtare të denjë për ruajtjen e emrit kushtetues dhe kishte një koment të saj ditën e parë të ndërrimit të emrit se si qeveria na paska mashtruar, se nuk qenka Republic of Northern Macedonia, por Republic of North Macedonia, diç krejtësisht tjetër nga ajo ç’është paraqitur deri tash. Në shpjegimin e saj kishte diçka që duhej marrë seriozisht, por për këtë nuk kam çka të shtoj, në pjesën identitare maqedonase nuk e shoh veten, ajo le të merret me “të vetët”. As për disponimin e saj kundër hyrjes në NATO s’kam çka të them. Por, çka është kjo porosi e kësaj radhe me rastin e tragjedisë në Llaskarcë. Një fjali shumë e thjeshtë, madje në pikëpamje gramatikore “fjali e gjymtë”, sepse nuk ka “kallëzues”(folje),ama me shumë domethënie: Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk!
Kush nuk e njeh historinë dhe mund të gabojë. Karpallëku është sinonim i ngjarjes tragjike të verës së vitit 2001, kur nga një shpërthimi në një pritë, mbetën të vdekur dhjetë ushtarë të ARM-së. Një ngjarje e hidhur lufte që askush nuk do të donte ta kujtonte, sikundër dhe disa ngjarje tjera me shumë viktima nga ai konflikt(Luboteni, Stanet e Lubancit, dhjetë viktima të familjes Zymberi në Sllupçan…). Por çfarë është aluzioni i profesoreshës? Se në këtë lokalitet, Karpallëk, si ironi fati, ndodhin këso tragjedish(dëgjova dikush nga banorët të ketë thënë se aty ku ka dalë autobusi nga autostrada qenka vend i mallkuar, sepse paska pasur edhe më parë aksidente tragjike), apo, ashtu si shumëkush mund ta ketë kuptuar, që besoj as një logjikë më e sëmurë, nuk do ta mendonte: Ja, Karpallëku u hakmor!(Karpallëku iu hakmor “atyre”…?) Apo çka dreqin tjetër mund të jetë porosia, ç’lidhje ka kjo fatkeqësi komunikacioni me një situatë nga konflikti i fundit? Nuk dua të jem “kritik” i keq letrar që të nxjerr ndonjë mesazh “poetik” që as autori nuk e ka pasur idenë, por mbetem tepër i zhgënjyer që një intelektuale mundet në këto çaste pikëllimi të pakufi, ta çojë mendjen te një ngjarje me të cilën nuk mund të ketë asnjë lidhje. Dhe të ironizojë, siç tha Reisi i BFI-së (P.s. Deri në përfundim të këtij teksti, nuk kam lexuar ndonjë prononcim të profesoreshës Vankovska se ç’ka dashur të thotë, e as se e kanë keqkuptuar. Të paktën, një përpjekje për të larë veten…).
Në këto çaste kur dikush ka humbur më të afërmit, përveç Vankovskës, u gjetën edhe disa të tjerë, të panjohur për publikun e gjerë, të cilët nuk ditën t’i kontrollojnë ndjenjat e tyre, dhe kësaj tragjedie i dhanë edhe ngjyrime politike. “Dita e parë e Maqedonisë Veriore…”, kështu kishte shkruar njëri, i cili nuk ishte kënaqur me kaq, por e kishte personalizuar me djalin e deputetit të LSDM-së, Bllagoja Tërpevski. Duke aluduar në të birin e tij që humbi jetën në këtë fatkeqësi, simpatizanti i një partie rivale, ka shprehur gëzimin që është fikur një jetë në lule të rinisë, duke thënë le ta përjetojë çka do të thotë të humbësh diçka tënden, duke aluduar në “fajësinë” e LSDM-së për ndryshimin e emrit. Çast “i përshtatshëm” dhe mënyrë “e përshtatshme” për këtë porosi makabër!
(Por, është një e vërtetë që pati një lapsus në fillim dhe në media u prezantua sikur ngjarja ka ndodhur në Karapallëk. Nuk dihet saktë se si pjesa e rrugës që kalon pranë një fshati të dukshëm, të lidhet me një grykë siç është Karapallëku, që gjendet disa kilometra më tutje, por në lajmet e para vazhdimisht përmendej Karpallëku. (Pasaktësi tjetër është se fshatin Llaskarcë në një televizion e vendosën në Tetovë…)
HERONJTË E VËRTETË TË TRAGJEDISË
Kur jemi te kjo tragjedi, ku humbën jetën 14 veta, dhe shumë të tjerë e kanë jetën ende në rrezik, një mirënjohje publike meritojnë banorët e Llaskarcës që dolën në shumicë fill pas aksidentit, për t’u dhënë ndihmën e parë të lënduarve, ata të cilët si ditën e mundën, me mundime mbinjerëzore u përpoqën t’i nxjerrin viktimat nga autobusi tërësisht i demoluar, ata që para se të mbërrinin shërbimet shëndetësore, dërguan në spitale grupin e parë të të lënduarve. Sigurisht se në saje të këtyre përpjekjeve, janë shpëtuar shumë jetë. Këtu nuk mund të mos përmenden ekipet shpëtuese të shërbimeve mjekësore në vendin e ngjarjeve e pastaj edhe dhjetëra mjekë që u angazhuan përtej orarit dhe mundësive të tyre fizike për të shpëtuar jetët në rrezik…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)