Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Klubeve Europiane të futbollit (ECA) vendosi në mënyrë unanime që të pezullojë menjëherë klubin grek nga aktivitetet, vendim që u mor në bazë të statuteve të saj.
Shoqata e Klubeve Europiane bëri të ditur gjithashtu se pezullimi do të mbetet në fuqi deri në nje vendim të dytë, që do të merret më 27 mars, kur do të zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e saj në Romë.
Ndërkohë, gjatë javës së ardhshme do të mblidhet edhe Komisioni i Disiplinës i UEFA-s për të diskutuar incidentet e dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit në futbollin europian. Por jo vetëm kaq, pasi mësohet se do të zhvillohet edhe një takim me drejtuesit e Federatave angleze, franceze e greke, të cilave UEFA do t’u kërkojë marrjen e masave ndëshkuese drastike.