“Rrufe” për Andrea Iannonen. Pas rezultateve të një kontrolli anti doping, piloti italian është pezulluar përkohësisht për një rezultat të dyshimtë. Lajmin e bëri të ditur Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit.
Marrja e testit të urinës është kryer 3 nëntorin e kaluar në Sepang, kur zhvillohej gara e parafundit të botërorit të motoçiklizmit. Laboratori i akredituar nga WADA (Agjensia Botërore e Antidopingut) në Kriexha të Gjermanisë, ka analizuar kampionin e urinës duke nxjerrë rezultatin pozitiv ndaj substancës së ndaluar.
Iannone u pezullua sipas rregullores së anti dopingut të Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit, ndërsa tani piloti ka të drejtën të kërkojë analizën e kampionit B të marrë në Malajzi, ose thënë më thjeshtë kundër-analizën dhe revokimin e pezullimit, por me dënimin në fuqi nuk mund të marrë pjesë në asnjë garë motoçiklistike.
Iannone, i konfirmuar si pilot i Aprilia në Moto GP për vitin 2020, ishte dëmtuar në Mizano, një muaj e gjysmë para garës së Sepang ku iu mor analiza që rezultoi pozitive. Një nga hipotezat e hedhura është që për të favorizuar rikuperimin i është dashur të kërkojë ndihmën e ilaçeve. Këtë vit në klasifikimin e pilotëve u rendit i 16-i me 43 pikë, ndërsa në Australi arriti pozicionimin më të mirë sezonal me vendin e 6 në garë.