Krahas këtij parkingu në kate, nga Komuna e Tetovës premtojnë se janë në plan të ndërtohen edhe dy parkingje tjera në Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 12 maj – Pas dorëzimit të peticionit të disa banorëve që jetojnë në zonën qendrore të qytetit të Tetovës, ku kundërshtohet ndërtimi i parkingut në kate, Komuna e Tetovës ka vendosur që të pezullojë përkohësisht punët. Kjo do të fillojë pasi të arrihet marrëveshje me të gjithë banorët që jetojnë në këtë pjesë të Tetovës. Përderisa një pjesë e banorëve janë pro ndërtimit të parkingut në kate, një pjesë tjetër është kundër, Komuna e Tetovës ka vendosur të mos fillojë me punë, edhe pse të gjitha procedurat janë bërë gati, pohon kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Sipas saj, parkingu në kate është edhe për të mirën e të gjithë banorëve dhe të gjitha procedurat janë përfunduar, dhe i njëjti projekt nuk është larguar nga programi për investime.
“Ndërtimin e parkingut në kate neve e kemi paralajmëruar më herët. Kemi bërë përgatitjet teknike, përgatitjet urbanistike, janë kryer procedurat, pra ndërtimi i atij parkingu ka procedura dhe në fakt është caktuar edhe kompania që do të realizojë punët. Në ndërkohë, kemi marrë një letër nga një pjesë e banorëve që jetojnë në atë lagje, ku kanë paraqitur probleme apo pakënaqësitë e tyre edhe pse i njëjti është i hapur dhe sipas standardeve. Në fakt është një parking që nuk pengon dhe krijon mundësi për vet banorët që jetojnë. Por, kemi marrë letra nga banorët ku kërkohet vazhdimi i punëve, por neve këto punë i bëjmë për banorët dhe të mirën e tyre, prandaj edhe këtë kohë e shfrytëzojmë që të arrijmë marrëveshje dhe dakordim me të gjithë banorët dhe nuk e kemi hequr nga programi”, deklaroi Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Krahas këtij parkingu në kate, nga Komuna e Tetovës premtojnë se janë në plan të ndërtohen edhe dy parkingje tjera në Tetovë. “Neve kemi në plan të ndërtojmë edhe dy parkingje tjera në dy lokacione të ndryshme, ku kemi përfunduar gjysmën e procedurave dhe vijohet të punohet në këtë drejtim. Shpresojmë që sa më parë të fillojmë me punën edhe për ndërtimin e këtyre dy parkingjeve”, shprehet kryetarja Arifi.
Ajo thotë se ky parking në pjesën qendrore pritet të ketë 160 deri 170 vende për parkim dhe kap vlerën prej 840 mijë euro. Problemi me mungesën e parkingjeve është i kamotshëm në Tetovë dhe një zgjidhje e mundshme është paraparë ndërtimi i parkingjeve në kate. Por, sipas paralajmërimeve ndërtimi i një parkingu në kate merr kohë një vit që nga lidhja e kontratës me realizuesin e punëve atëherë vështirë se deri në fund të vitit Tetovës do ti shtohen vendet e parkimit brenda këtij mandati të kryetares Arifi, mandat që i përfundon në tetor kur pritet të mbahen zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)