Kryetari i Partisë Liberale të Pavarur dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, Slobodan Petroviq, ka folur për taksën 100 % të ngritur nga Kosova për mallrat e Serbisë dhe paralajmërimet për ngritje të masave të tjera kundër Serbisë, transmeton Koha.net.
“Këto janë pasojë e ngjarjeve të mëhershme dhe Lista Serbe ka merita të mëdha për të gjitha ato që po ndodhin”, ka thënë ai.
“Lista Serbe është partner koalicioni me Qeverinë e Kosovës dhe ato kanë meritë të madhe për atë që po ndodh tash. Sido që të jetë, situata nuk është e mirë dhe ajo nuk është pasojë e vetëm një ngjarjeje por ajo po vazhdon që nga procesi zgjedhor. Në atmosferën e kaosit, kanë fituar përfaqësuesit politikë dhe nuk ka qenë e mundur të pritet ndonjë gjë më e mirë”, citon FoNet të ketë thënë Petroviq.
Ai ka tërhequr vërejtjen se çdo gjë ka çmimin e vet dhe se po vjen koha për faturë, pasi që, tha ai, problemet nuk janë zgjidhur.
“Ne jemi kundër të gjitha gjërave që vështirësojnë lëvizjen e lirë, lirinë e njeriut dhe të mallrave. Por, këto janë gjëra tashmë krejtësisht të qarta. Partnerët e koalicionit, Lista Serbe dhe Qeveria, kanë qenë bashkë, tash janë hidhëruar, janë inatosur njëra me tjetrën dhe në fund të fundit ato dëmtojnë njerëzit e thjeshtë të cilët më së paku janë fajtorë“,ka thënë Petroviq.
Ai ka përfunduar se do të kërkojë sqarim zyrtar nga MPB e Serbisë dhe BIA pse është ndaluar në vendkalimin kufitar në Merdar dhe pastaj është liruar pa ndonjë shpjegim rreth këtij veprimi.