Rreth 25 mijë njerëz kanë nënshkruar një peticion të nisur nga ekspertja mbretërore Lady Colin Campbell ku kërkojnë që Princ Harry të heqë dorë nga të gjithë titujt mbretërorë për të qenë në gjendje të kënaqë besimet e tij personale, pa pasoja ndaj monarkisë britanike. Qëllimi është që Harry vetë t’i kërkojë Mbretëreshës të lërë pezull titujt e tij mbretërorë dhe gradat.
“Si një qytetar thjesht i zakonshëm, pa grada mbretërore, ose tituj ai (Harry) do të jetë në gjendje të kënaqë besimet e tij personale, siç është e drejta e të gjithë qytetarëve të thjeshtë, pa mundësinë pasuese të dëmtimit të institucionit të Monarkisë”, shkruhet ndër të tjera në peticion.
Campbell, e cila shkroi librin Meghan dhe Harry: The Real Story thotë për The Daily Star: “Unë e nisa atë peticion sepse mendoj se është gjëja e duhur që duhet bërë. Kam folur dhe me shumë njerëz të tjerë që mendojnë se kjo është gjëja e duhur”. Ajo shton se Harry dhe Meghan mund të shesin emrin e tyre, markën e tyre, por jo duke qenë me tituj mbretërorë.