Peticioni me mbi 500 nënshkrime do të dërgohet ministrisë, kurse të shtunën në Dibër do të organizohet protestë kundër dhënies të koncesionit nga Ministria e Bujqësisë për peshkim ekonomik në Liqenin e Dibrës
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 qershor – Dibra me peticion dhe me protesta kundërshton shpalljen e Ministrisë për Bujqësi për dhënien e koncesionit për peshkim ekonomik në liqenin e Dibrës. Dibranët nuk janë dakord që, përveç koncesionit për rekreim dhe peshkim sportiv, liqeni të ketë edhe koncesioner për peshkim ekonomik meqë do të vazhdojë kaosi në peshkim dhe ulja rapide e fondit të peshkut, siç ishte deri para një viti dhe me këtë, liqeni do të humb mundësinë të jetë bartës i turizmit në komunë. Kjo mes tjerësh u vendos mbrëmë në takimin që organizoi shoqata e peshkatarëve sportiv “Trofta”, në të cilin morën pjesë peshkatarë sportiv, si dhe qytetare dashamirë të liqenit. Peticioni me mbi 500 nënshkrime do të dërgohet ministrisë, kurse të shtunën në Dibër do të organizohet protestë kundër dhënies të koncesionit nga Ministria e Bujqësisë për peshkim ekonomik.
Kryetari i shoqatës “Trofta”, Dritan Bucku, theksoi se pas marrjes të koncesionit për rekreim dhe peshkim sportiv, shoqata dibrane e peshkatarëve sportiv ka ndërmarrë të gjithë aktivitetet për mbrojtjen e liqenit nga hajnat dhe peshkatarët që gjuajnë peshk në mënyre joligjore me rrjete. “Janë bllokuar mbi 140 rrjeta”, tha Bocku, ndërsa shtoi se dhe për këto vjedhje janë informuar institucionet kompetente. Bocku ka informuar se së shpejti do të angazhohen edhe dy rojtarë meqë liqeni ka një gjatësi mbi 20 kilometrash, me qëllim që në liqen të mos ketë asnjë keqpërdorim. Aktualisht, në këtë shoqatë janë të regjistruar 130 anëtarë dhe nga dita në ditë – numri i anëtarëve po rritet. Në debat pati reagime të ashpra rreth vendimit të Ministrisë së Bujqësisë që përveç peshkimit sportiv, të lejohet dhe të jepet koncesion edhe për peshkim ekonomik. Në gjashtë vitet e kaluara, kur Ministria e Bujqësisë ndau një koncesion për peshkim ekonomik në mënyre joligjore, koncesioneri nga Struga bëri kaos në gjuajtjen e peshkut dhe faktikisht dëmtoi fondin e peshkut. U kërkua që ministria të tërheq shpalljen meqë liqeni i Dibrës garanton një zhvillim të turizmit dhe duhet të ketë vetëm peshkim sportiv meqë këtu vijnë peshkatarë sportiv nga të gjitha qytetet e vendit, por edhe nga shtetet të tjera e sidomos nga Kosova. Vet ardhja e peshkatarëve sportiv garanton edhe zhvillim të qëndrueshëm të turizmit.
Po ashtu, në takim u kërkua që, nëse Ministria nuk tërhiqet nga vendimi, atëherë edhe koncesionin e dytë duhet ta merr “Trofta”, dhe jo ti jepet koncesionerit të mëparshëm, i cili tërësisht dëmtoi fondin e peshkut. U kërkua edhe heqja e menjëhershme e baseneve me rrjeta metalike që në liqen i ka lënë koncesioneri i mëparshëm. Kryetari i shoqatës së peshkatarëve sportiv tha se ka patur takim edhe me kryetarin e Dibrës, Hekuran Duka dhe ka marrë përkrahje për peticionin dhe protestat. Paraprakisht edhe Këshilli i Komunës mbështeti shoqatën “Trofta” në kërkesën që të mos jepet koncesion për peshkim ekonomik. (koha.mk)