Bruksel, 22 shkurt – Marrëveshja e Prespës ishte arritur përmes bisedimeve të rënda dhe koncesioneve të ndjeshme, të cilat nuk ishin as të thjeshta e as të lehta. Arritja e marrëveshjes është me rëndësi të madhe sepse hap shumë rrugë për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht në lidhje me integrimin euroatlantik, deklaroi eurodeputeti slloven Alojz Peterle në një intervistë për portalin Juropian Uestern Ballkans.
“Procesi i anëtarësimit në NATO po vazhdon, sepse parlamentet kombëtare për momentin po i ratifikojnë marrëveshjet për anëtarësim, proces i cili duhet të përfundojë gjatë këtij viti. Gjithashtu, mund të parashohim se bisedimet për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut do të hapen në qershor të këtij viti, tani kur Greqia më nuk do të vendosë veto në Këshill. Këto janë dy arritje të cilat, i meritoi vendi, i cili ka pritur shumë.
Në pyetjen se në çka duhet të fokusohet pushteti, tani pasi që Marrëveshja e Prespës është arritur, Peterle thekson se arritja e marrëveshjes, procesi i miratimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës e ridrejtoi gati të gjithë energjinë politike në vend në pjesën më të madhe të vitit. “Tani, kur ky kapitull është mbyllur, vendi duhet të kthehet në procesin e reformave me energjinë e njëjtë dhe përkushtim të demonstruar gjatë bisedimeve. Dhe tani ekziston progres i vogël në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, kujdes për lirinë e mediave ekziston, ndërsa në luftën kundër korrupsionit ende ka shumë për tu bërë. Një qeveri e përqendruar në sundimin e së drejtës mund të ketë mundësi që të përqendrohet në më shumë se një çështje në të njëjtën kohë”, potencon Peterle.
Sa i përket Komitetit të përzier parlamentar mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, i cili nuk mbajti takim mes dhjetorit të vitit 2015 dhe shkurtit të vitit 2018, Peterle sqaroi se në këtë periudhë nuk ishte organizuar takim për disa shkaqe – nga bojkoti parlamentar deri në zgjedhjet dhe koalicionet e kontestuara.
“Nuk ka problem nga ana e Brukselit. Ne megjithatë me durim kemi pritur që të përfundojnë mospajtimet e brendshme. Nëse të gjitha partitë dhe më tutje tregojnë maturi politike dhe nuk mbështeten në bojkote dhe metoda të tjera destruktive si mjete politike, nuk shohë shkak se pse KPP nuk do të duhej që të vazhdojë që të mblidhet me format të rregullt, që do të rezultojë me dialog konstruktiv për progresin dhe reformat. Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjitha vendet kandidate: ato nuk duhet t’i importojnë problemet e tyre në BE. Për momentin kemi problemet tona që të shërbejmë si arbitër për anëtaret e reja”, sqaron Peterle.
Në pyetjen se vallë Maqedonia e Veriut, e cila ka status të kandidatit që nga viti 2005, mund ta përfundojë procesin e anëtarësimit para vendeve të tjera, nga rajoni të cilat tashmë i hapën bisedimet, Peterle thotë: Procesi i anëtarësimit nuk është konkurrencë, por bëhet fjalë për zbatim të reformave të cilat e mbrojnë sundimin e së drejtës dhe garantojnë të ardhme më të mirë për qytetarët. Duke u përqendruar në atë se cili vend “fiton” vendos diskurs i cili i nxit reformat, në vend që ta theksojë zbatimin e tyre si qëllim final për integrimin evropian. Unë jam optimist për atë që Maqedonia e Veriut mund të arrijë tani, pasi që e zgjidhi kontestin për emrin dhe shpresoj se e kemi optimizmin e njëjtë për rajonin më të gjerë.
Kur bëhet fjalë për ndryshim eventual të politikës së zgjerimit pas zgjedhjeve për Europarlamentin në maj, eurodeputeti slloven nuk pret se kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e secilës platformë politike në zgjedhjet paraprake, përveç se te ato të cilat kanë për qëllim degradimin dhe devalvimin e projektit evropian përmes përhapjes së frikës në lidhje me anëtarët e reja.
“Megjithatë, shpresoj se dinamika në të cilën para pak kohësh ishte dëshmitar do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm dhe se BE-ja do të fillojë t’i përmbushë reformat. Nëse presim konsistencë dhe siguri nga partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, duhet të jemi të gatshëm që të veprojmë në mënyrë të njëjtë dhe ta respektojmë pjesën tonë të marrëveshjes. Anëtarësimi i vendeve të këtij rajoni do të nënkuptonte kompletim të projektit evropian, sepse ato janë pjesë historike, gjeografike dhe kulturore e Evropës”, potencon eurodeputeti slloven në intervistën për Juropian Uestern Ballkans. (koha.mk)