Pas dorëheqjes së Robert Fico nga posti i kryeministrit të Sllovakisë, presidenti Andrej Kiska ka caktuar Peter Pellegrini-n në këtë detyrë. Emërimi i jep fund krizës politike që përfshiu vendin, pas vrasjes së një gazetari hetues në shkurt, ngjarje që nxiti protesta masive.
Presidenti sllovak Andrej Kiska ka emëruar Peter Pellegrini-n si kryeministrin e ri të vendit, duke i dhënë fund krizës politike që pasoi vrasjen e një gazetari hetues.
Partia qeverisëse Smer, zgjodhi 42-vjeçarin Pellegrini për të zëvendësuar Robert Fico-n pas dorëheqjes dhe për të mbajtur në pushtet qeverinë tre-partiake, e cila ndodhet në gjysmën e mandatit të saj.
Partia Smer gjithashtu zgjodhi të pavarurin Tomas Drucker për të drejtuar Ministrinë e Brendshme dhe për të përmbushur kërkesat e presidentit për emërimin e një personi që mund të sigurojë një hetim të pavarur në vrasjen e gazetarit Jan Kuciak.
Kjo ngjarje shkaktoi protestat më masive në tre dekadat e demokracisë sllovake, ku dhjetëra mijëra persona ju drejtuan rrugëve duke kërkuar një qeveri të re dhe një hetim të drejtë për vrasjen e një muaji më parë, të gazetarit i cili ndiqte rastet e mashtrimit që përfshinin biznesmenë me lidhje politike.
Përpara kësaj situate, Kryeministri veteran Robert Fico u detyrua të jepte dorëheqjen.
Shumë sllovakë sidoqoftë, nuk besojnë se emërimet e reja, Pellegrini e Drucker do të mund të mbrojnë hetimin për vrasjen e Kuciak, për sa kohë që partia Smer, shpesh e vendosur në qendër të punës së gazetarit, qëndron në pushtet.
Për këtë, organizatorët e protestave kanë planifikuar një tjetër demonstratë të premten.