Shkup, 18 qershor – Do të jetë i madh ndikimi nga nënshkrimi i Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë ndaj biznesit. Qytetarët nuk do ta kenë pikërisht sot të qartë se çka nënkuptojnë ngjarjet nga fundjava e kaluar, por ka kohë para nesh kur do t’u mundësojmë që ta kuptojnë, tha sot kryetari i Këshillit të Investuesve të Huaj të Odës Ekonomike së Maqedonisë Shtefan Peter.
Sipas tij, Marrëveshja është tulla e parë e quajtur Bashkimi Evropian.
“Unë jam biznesmen evropian dhe i kam të qarta përfitimet nga ajo që Maqedonia do të integrohet në BE. Fundjavën e kaluar u tregua se Maqedonia nuk është ishull dhe se është në interaksion me fqinjët e tij. E njëjta vlen edhe për investitorët e huaj në Maqedoni, ata nuk janë ishull. Investitorët e huaj integrohen në shoqërinë e Maqedonisë”, theksoi Peter në konferencën për media, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Ai më herët e paralajmëroi “Piknikun botëror” të ardhshëm të caktuar për më 24 qershor në Parkun e Qytetit të Shkupit. Ngjarja po mbahet për herë të tretë, ndërsa qëllimi është prezantimi i kulturës së vendeve kompanitë e të cilave janë anëtare të Këshillit të investitorëve të huaj.
Vizitorët do të kenë mundësi që për 100 denarë të shijojnë ndonjë nga specialitetet kombëtare: bifteku vjenez, kroasani francez, doneri turk, giro greke,… Përveç se do të jetë zbavitës, ngjarja, tha Peter, ka edhe karakter humanitar. Të gjitha mjetet do të donohen në kuzhina popullore.
Kryetari i Këshillit apelon që qytetarët ta vizitojnë “piknikun” pavarësisht kushteve të motit.
Në “Piknikun botëror” të mbajtur për herë të parë në vitin 2016 kishte nga 2.000 vizitorë.