Qëllimi i kësaj shkolle ngelet që të zhvillohet në vatër arsimore bashkëkohore me standarde evropiane, duke shfrytëzuar metoda më të reja edukativo-arsimore në mënyrë që të ofrojë njohuri më të gjerë dhe do të jep gjenerata të shëndosha, të trajnuar me aftësi që do t’iu shërbej në ballafaqim me sfidat e jetës
Remzije BILALLI
Shkup, 2 dhjetor – Këtë vit shkolla fillore “Petar Zdravkovski Penko” në Shkup, bën 50 vjet që nga krijimi i saj. Kjo është një ndër shkollat më në zë në kryeqytet e cila ka nxjerr dhe vazhdon të nxjerrë emra të spikatur nga bankat e saj. Sot kjo shkollë krenohet me ish -nxënësit e saj që kanë bërë emër në art, politikë, muzikë, teatër dhe mjaft fusha të tjera, shkruan gazeta KOHA. Këto suksese ndër vite kjo shkollë i ka arritur edhe falë punës së vyer të drejtuesve të saj dhe mësuesve që kanë dhënë mësim në këtë shkollë.
Javën e kaluar kjo shkollë me anë të disa aktiviteteve të përgatitur nga stafi i kësaj shkolle nën drejtimin e drejtorit Enis Mehmeti, shënoi 50 vjetorin e saj.
Drejtori Enis Mehmeti për gazetën KOHA u shpreh se është nder dhe privilegj të drejtor një shkollë nga ku kanë buruar gjenerata me të cilët sot krenohet populli ynë. “Me anë të disa aktiviteteve shënuam historikun e kësaj shkolle. Vlen të theksohet se emra të njohur kanë dalur nga kjo shkollë në shumë sfera si ekonomist, politikanë, mjek, artist dhe në shumë profesione tjera”.
HISTORIA E SHKOLLËS FILLORE PENKO
Kjo godinë është ndërtuar gjatë vitit vitin 1968 në komunën e Butelit dhe ndër vite ka zhvilluar një traditë shumëvjeçare si institucion publik arsimor. Që atëherë deri më tani zhvillohet dhe përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe është sa më afër modeleve europiane për arsimim. Në këtë shkollë përfshihen nxënës të më shumë grupeve etnike dhe mjedise të ndryshme sociale. Si rezultat i kësaj, mësimi zhvillohet në tre gjuhë dhe atë në: gjuhën maqedone, gjuhën shqipe dhe gjuhën turke.
Shkolla tani disponon 5385 m2 e pajisur me kabinet për informatikë, sallë sporti, skenë për performansa skenike, bibliotekë, zyra, terrene sportive … megjithatë vazhdon të angazhohet për përmirësimin e kualiteti dhe kapacitetin e furnizimit me mjete teknike. Gjatë viteve të fundit kjo shkollë u renovua pothuajse plotësisht, mirëpo ngelet ende punë për tu bërë. Veprimtaria bazë e kësaj shkolle vazhdon të mbetet proces edukativo-arsimor në shkollimin fillor.
NUMRI I NXËNËSVE, SHQIPTARË NË NUMËR MË TË LARTË
Numri i përgjithshëm i nxënësve është 1650, të ndarë në 64 paralele dhe është me një përbërje etnike të përzier, gjegjësisht maqedonas, shqiptarë, turq etj. Nxënësit që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe janë gjithsej 1245, numër mjaft i madh në krahasim me nxënësit të cilët ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase dhe atë turke, shifër e cila në të kaluarën kishte qenë më e ulët.
KUADRI ARSIMORË DHE SUKSESET E NXËNËSVE
Kuadri arsimor dhe shërbimi profesional është njëra ndër vetitë që e karakterizon këtë shkollë, ku në kontinuitet punohet në përsosshmërinë profesionale. Trajnimet, pajisja me certifikata dhe diploma, aktivitet të ndryshme janë veprimtaria që tregon për një kuadër profesional dhe të suksesshëm. Nxënësit e kësaj shkollë gjithashtu dallohen për arritje të mira në veprimtaritë dhe garat sportive, ato të matematikës, artit, kimisë e biologjisë, etj. duke arritur rezultate të mira si në garat komunale,rajonale, shtetërore e shumë herë edhe ndërkombëtare.
Nxënësit janë subjekt kryesor i kësaj shkolle dhe për mësim më kualitativ, socializim dhe zhvillim të aftësive psikofizike të tyre do të jepet mund të veçantë duke përfshirë aktivitete mësimore dhe aktivitete tjera, zhvillim social, zbavitje, edukim dhe të tjera. Nëpërmjet aktiviteteve të lira nxënësit jo vetëm që pasurohen me dituri por kultivojnë multikulturalizmin, e cila është karakteristik e kësaj shkolle për harmoninë ndër vite.
MULTIETNICITETI NUK PARAQET PROBLEM
Si shumë shkolla të Maqedonisë, edhe kjo shkollë ballafaqohet me probleme, por problemi me i madh është numri i madh i nxënëseve dhe mungesa e hapësirës, për të cilën shpresojmë se do të gjindet një zgjedhje adekuate ku të gjithë do të jenë të kënaqur. Sa i përket multietnicitetit të shkollës, me plot krenari mund të themi se nuk ka pasur asnjëherë probleme të kësaj natyre, sepse të gjithë nxënësit e kësaj shkolle shoqërohen bashkë, marrin pjesë në aktivitete të ndryshme bashkërisht dhe funksionojnë për mrekulli.
PLANET E SË ARDHMES
Qëllimi i kësaj shkolle ngelet që të zhvillohet në vatër arsimore bashkëkohore me standarde evropiane, duke shfrytëzuar metoda më të reja edukativo-arsimore në mënyrë që të ofrojë njohuri më të gjerë dhe do të jep gjenerata të shëndosha, të trajnuar me aftësi që do t’ju shërbej në ballafaqim me sfidat e jetës.
Mësim kualitativ, notim objektiv që është në përputhshmëri me aftësitë psikofizike të nxënësit, praktikim të teknologjisë bashkëkohore, pjesëmarrje dhe vazhdim të projekteve, perfeksionim të vazhdueshëm të kuadrove nëpërmjet zhvillimit profesional, trajnim, dhe shumë aktivitete të ndryshme të cilat ndikojnë në cilësinë e kuadrit tonë kanë qenë dhe do të mbeten prioritet i kësaj shkolle. (koha.mk)