Ndeshja mes Dinamo Bukureshtit dhe Universitatea Craiova në kuadër të kampionatit rumun, u ndërpre për disa çaste pasi trajneri vendas pësoi infarkt në fushë. Trajneri i Dinamos Eugen Neagoe pësoi atak kardiak në minutën e 25’ dhe ndërhyrja e stafit mjekësor ishte e shpejtë, për ta dërguar më pas me ambulancë në spital.
51-vjeçari ishte në stol kur ndodhi sulmi i papritur që tronditi të gjithë. Lojtarët në fushë ishin absolutisht të shokuar, mirëpo lajmi i mirë është që Neagoe është jashtë rrezikut për jetë.
Me t’u këndellur, trajneri befasoi me fjalët e para që tha. “Sa ka dalë rezultati i ndeshjes?”, kishte thënë Neagoe në spital.
Ndryshe, ndeshja më pas u zhvillua në kushte normaliteti dhe përfundoi 0-2 në të mirë të mysafirëve.