Mozaikun duhet shikuar të plotë, duhet të jemi objektivë dhe të pranojmë se kësaj radhe pengesa kryesore ishte te kulla e Ajfelit. Prandaj nuk duket e arsyeshme që dikush të akuzohet dhe të bartë përgjegjësi për shkak të jounitetit të BE-së, i cili ndoshta dhe s’ka aspak të bëjë me kriteret e mirëfillta.
Nga Daut DAUTI
Zgjedhjet në pranverë s’janë të parat që janë të parakohshme, i kemi parë si lëvizje taktike edhe më parë. Midis një dorëheqjeje pas “mossuksesit” nga JO-ja franceze për të fituar datë për fillimin e negociatave me BE-në, dhe mosçarjes kokë për atë që ndodhi, kryeministri Zaev ofroi një mundësi të tretë: që “t’ia plotësojë” dëshirën opozitës për zgjedhje të parakohshme, që ia kërkuar kohë pas kohe, mbase e trimëruar nga “dështimet” e qeverisë.
Një ngjarje e shumë pritur, si kjo e Samitit të BE-së, që i ngjante atij të NATO-s para 11 vjetëve në Bukuresht, ku “gjithçka ishte e sigurt”, u luajt një triler me përfundim të keq për Maqedoninë Veriore. Nuk është nga ata trilerë ku gjithçka shkon mbrapsht dhe në fund e mira fiton, por nga ata ku një romancë merr papritmas në një fund të pakëndshëm. Pësimi në Bruksel nga këmbëngulja e presidentit francez, për t’i lënë jashtë BE-së Maqedoninë dhe Shqipërinë, pas gjithë keqardhjeve të burrështetasve evropianë dhe amerikanë për veprimin “joracional”, ktheu debatet në vend, ku aktorët do të përpiqen t’i materializojnë në kontot e tyre politike.
Kur hapen debate, natyrisht, gjithkush i mëshon telit të vet, duke harruar qëllimisht shkaqet e dështimit. Sigurisht që ka shumë çështje të papërfunduara në planin e përmbushjes së kritereve, si për Maqedoninë, edhe më tepër për Shqipërinë, por kryesorja ishte një fobi e pashpjegueshme e kryetarit francez nga pranimi i këtyre dy vendeve, sidomos i Shqipërisë, për shkak të një problemi të stërmadhuar të azilantëve shqiptarë. Vetëm Franca po u ballafaquaka me një problem të tillë. Shqiptarët, që qarkullojnë pa viza, nga destinacionet evropiane, si më pak të parapëlqyer do ta kenë Francën, si vend më pak atraktiv për punë dhe paga, por kryetarin e saj, ato disa mijë kërkues për azil e paskan “frikësuar” tejmase… Kjo fobi, mbase ishte shkaku kryesor i mosmarjes së datës, këtë e pamë qartë. Për më tepër, ky ishte gabimi historik, ose dështimi që vetë organet më të larta të BE-së, në rezignim e theksuan. Ato vetë, pra, e thanë që ishte një gabim i madh…Këtë me ngulm mundohej edhe Edi Rama t’ua sqarojë të premten analistëve përballë tij që e djersinin te Blendi, të cilët ia kujtonin më shumë mangësitë e brendshme!
Mirëpo, skeptikëve dhe kritikuesve ky “dështim” u ka ardhur si një “as në dhjetëshe”(shprehje e huazuar nga gjuhët fqinje) për t’i shpallur dështake qeveritë, për të forcuar kauzën opozitare kundër tyre. Jo që nuk ka çka t’u bëhen vërejtje qeverive për angazhimet e tyre jo të mjaftueshme për t’i kryer detyrat e shtëpisë, por sidomos në rastin e Maqedonisë, ato nuk janë shkaqet e vërteta të mos marrjes datë për fillim negociatash. Prandaj dhe veprimi taktik i Zaevit për të shkuar në zgjedhje ishte “për të ndarë dëshpërimin me popullin e zhgënjyer”, e jo për shkak të peshës së përgjegjësisë së qeverisë së tij. Zërat opozitarë, kuptohet, në këtë turbullirë dhe mund t’i mëshojnë telit të tyre, por vlerësuar objektivisht, nuk ka pse të kërkohej dorëheqje as nga kryeministri, e as nga ministrat e tij përgjegjës për rrugëtimin drejt Evropës (atë të eurointegrimeve dhe të punëve të jashtme). Sepse kësaj radhe faji dështimit nuk është i tyre, por te këmbëngulja e Makronit, që u kritikua nga shumë kolegë të tij evropianë dhe nga vetë organet e BE-së të cilat sikur donin të thoshin se ne ishim të gatshëm, por ky është mekanizmi i vendimmarrjes, një shtet mund të prishë gjithçka.
Ditëve që vijuan pas 18 tetorit, vazhduan përpjekjet për të korrigjuar gabimin dhe kjo rezultoi me një rezolutë të Parlamentit Evropian, ku theksohet se BE-ja nuk heqë dorë nga strategjia e zgjerimit dhe ku sugjerohet që marrja e datës të ndodhë sa më parë. Kjo, që t’u japë sinjal vendeve ballkanike se BE-ja nuk ua ka mbyllur përgjithnjë dyert, siç shumëkush e kuptoi një deklaratë që s’linte shumë vend për interpretim të Makronit. A do të “reflektojë” kryetari francez pas kësaj rezolute, i cili, kushedi për ç’arsye dëshiron t’i vizitojë shtetet që ua mbylli erën, pritet të shihet. Edi Rama sqaroi se sinjalet kanë qenë të qarta për të marrë datën e fillimit të negociatave, sepse praktikisht nuk kishte mbetur ndonjë pengesë për këtë, prandaj dhe vendet e BE-së dhe organet e saj gabimin dhe turpin e morën mbi vete. Ai vuri në dukje flijesën e Maqedonisë me ndërrimin e emrit, gjë që Zaevin e ka zënë ngushtë para qytetarëve të vet, gjë që e detyroi të kërkojë verifikimin rrugën nëse ka ose s’ka përkrahje pas gjithë asaj që bëri, dhe këtu ai e sheh specifikën që dallon Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe që logjikshëm edhe veprimet pas samitit të BE-së i bën të dallueshme midis fqinjëve.
Ambasadori francez, mbase duke ndjerë presionin e gjithë opinionit publik evropian, u mundua që t’i japë kuptim vetos së vendit të tij, duke thënë se çështja e tejkalimit të kontestit të emrit me Greqinë ka qenë vetëm një aspekt, por jo kushti i vetëm. Në këtë mënyrë, ai mëtoi t’i japë kuptim përmbajtësor vetos, pra, duke e hedhur në terrenin e mospërmbushjes së kritereve(që natyrisht se ka shumëçka, por të njëjtat vendet tjera i kanë vlerësuar me notë “kalimtare”!), gjë që pas gjithë asaj që është thënë pas Samitit të Brukselit, nuk tingëllon aq bindshëm.
Duke e shikuar mozaikun të plotë, me gjithë katrorët e tij, ndonëse shtetet tona kanë edhe shumëçka për të bërë në shumë fusha, duhet të jemi objektivë dhe të pranojmë se kësaj radhe pengesa kryesore ishte te kulla e Ajfelit. Prandaj nuk duket e arsyeshme që dikush, në këtë rast qeveria e Shkupit dhe ajo e Tiranës, të akuzohen dhe të bartin përgjegjësi për shkak të jounitetit të BE-së, që ndoshta aspak s’ishte rezultat i mospërmbushjes së kritereve nga vendet aspirante.
* * *
Franca ose Holanda, mund të jenë komode në vënien e kushteve për vendet ballkanike, por kjo nuk mund të jetë mbulesë për disa fenomene që e turpërojnë vendin. Ndonëse nuk bie në kriteret që ia ka vënë Europa, Maqedonia e Veriut nuk po mund të çlirohet nga disa atavizma që kohë pas kohe nxjerrin kokë si shpirtra të këqij si në ata filmat horrorë të Karpenterit!
A është çështje manipulimi, a një frymë ksenofobe që buron nga thellësia e ndjenjave të stisura frojdiane, (ç’ne Frojdi këtu?!), këto manifestime u hedhin njollë të zezë vendit dhe devalvojnë çdo arritje në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike! Para do kohe në Idrizovë, e së fundmit edhe në Çashkë të Velesit, paturpësisht protestohet kundër mësimit në gjuhë amtare. Këto nuk janë vetëm shprehje e një vullneti jodemokratik dhe antishqiptarizëm i hapur, por dhe thirrje e pacipë për të mos respektuar të gjitha kushtetutat e deritashme(se të drejtat nuk u shpikën tash, por ishin në çdo kushtetutë) të Maqedonisë, në të cilat është garantuar mësimi në gjuhën amtare për të gjitha bashkësitë, por dhe është në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, të cilat Maqedonia i ka pranuar.
Përse ky kthim prapa, përse pikërisht tash, a është rastësi, a ka lidhje me përplasjet politike midis dy partive maqedonase dhe njëkohësisht porosi për partitë shqiptare, a është rikthim i temave të tejkaluara si uverturë për zgjedhjet e ardhshme? Çfarëdo që të jetë në pyetje, ndaj këtyre veprimeve të turpshme duhet të ketë distancim të qartë si nga qeveria, si nga opozita maqedonase. Nga kjo e dyta edhe më fortë, që të dëshmojë se respekton kushtetutën dhe mbron lirinë dhe të drejtat që ajo i garanton, sepse shumëkush mund t’ia adresojë pikërisht asaj si manipulim…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)